Shumica e deputetëve të PD-së në krah të Alibeajt
Në Shqipëri një “Platformë parimesh për bashkimin e demokratëve” e prezantuar të shtunën nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka nxjerrë në pah ndarjen e thellë, që ekziston brenda grupit parlamentar të PD-së.
Të paktën 32 deputetë, që përbëjnë shumicën e grupit, e kanë firmosur dokumentin, duke dëshmuar që, ndonëse ka marrë kontrollin e selisë së partisë, ish-kryeministri Sali Berisha, nuk ka mundur të ketë mbështetjen e gjerë të deputetëve, edhe pas dorëheqjes së ish-kryetarit Lulzim Basha, raporton TCh.
Demokratët numërojnë 59 mandate, nga të cilat 6 i përkasin aleatëve të saj, të cilët kanë qëndruar larg përplasjeve të forta në PD.
Sali Berisha duket se ka mbështetjen e të paktën 15 deputetëve, ndërsa një grup i vogël qëndron ende i parreshtuar haptazi.
Platforma kërkon qartazi ndërprerjen e procesve të nisura nga Berisha dhe mbështetësit e tij, duke nisur që nga zgjedhjet e drejtuesve vendorë që po mbahen në degët e partisë.
Nga ana tjetër propozohet ngritja e një grupi pune të përbashkët me deputetë “për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e proceseve të zgjedhjeve dhe organizimit të partisë”.