Shumica e qytetarëve serbë thonë që Serbia e ka humbur Kosovën përgjithmonë
Në një sondazh në Serbi, i kryer nga Instituti për Çështje Evropiane, nga 8 deri më 14 mars të këtij viti në një mostër prej 1 207 pjesëmarrësish, qytetarët e anketuar iu janë përgjigjur pyetjes nëse Serbia e ka humbur përgjithmonë Kosovën?
Veç kësaj në dialogun e brendshëm janë pyetur edhe për njohjen e Kosovës, demarkacionin dhe referendumin.
Dy të tretat e shtetasve të Serbisë do të votonin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës në referendum, edhe pse shumica mendojnë se Kosova është e humbur për Serbinë dhe se Serbia nuk është në gjendje të rivendosë sovranitetin në atë territor.
Ndërsa 47 për qind e qytetarëve e konsiderojnë Kosovën si një kauzë të humbur për Serbinë, 12 për qind janë të pavendosur lidhur me këtë çështje dhe 41 për qind mendojnë se Serbia ende ka sovranitet mbi të.
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve të anketës që mendojnë se Kosova është e humbur për Serbinë janë midis moshave 30 dhe 60 vjeç, kanë një nivel më të lartë arsimor dhe jetojnë në pjesë të ndryshme të Serbisë (me përjashtim të Serbisë Lindore dhe Jugore).
Pothuajse gjysma beson se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë në Kosovë.
Siç shkruan “Blic”, ky opinion është i përhapur në mesin e grave që janë më të vjetra se 30 vjeç, pjesëmarrësit e anketimit të cilët kanë të paktën arsim të mesëm dhe njerëz që jetojnë në rajonin e Beogradit, njofton “Klan Kosova”.
Mbi 36 për qind e pjesëmarrësve besojnë se Serbia mund të rifitojë sovranitetin në Kosovë, ndërsa 15 për qind janë të pavendosur.
93 për qind e të anketuarve nuk morën pjesë në dialogun e brendshëm për Kosovën, 4 për qind u përgjigjën me “Nuk e di”, ndërsa 3 për qind e të anketuarve deklaruan se morën pjesë në dialog.