Shyqiri Bytyqi: Studentët e kolegjeve private do t’i nënshtrohen provimit shteteror
Rezultatet e një ankete të realizuar ditë më parë nga studentët e gazetarisë, kanë nxjerrë të dhëna shqetësuese për cilësinë e arsimit në vend. Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk e dinë kush është “Hasan Prishtina”, emrin e të cilit e mbanë Universiteti, ku ata marrin dije.
Ky është vetëm një nga problemet që e ka alarmuar edhe Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Nga edukimi i keq dhe kultura e papunës që është duke u krijuar në Kosovë, sipas tij mund të shfaqen pasoja vështirë të rikoperueshme për të ardhmen, nëse nuk merren masa tani.
Bytyqi tregon për Gazetën Fjala se ka nisur një reformë të thellë në arsimin publik dhe privat, me qëllim të përmirësimit të cilësisë, pasi në të dyja sektorët thotë se situata është e rëndë.
Derisa në 7 universitetet publike të hapura në kohë fushate elektorale nga Hashim Thaçi, sa ishte kryeministër, pritet të këtë një organizim të stafit e programeve, në kolegjet private pritet të kthehet provimi shtetërorë. Studentët do t’i nënshtrohen provimit shtetëror në momentin kur e përfundojnë një program të caktuar në një fakultet të caktuar.
“Pra, nuk mundemi t’i mbyllim sytë para një gjendje të tillë reale që sot ekziston. Ne sot e dimë që kemi një numër të jashtëzakonshëm të studentëve nëpër këto kolegje, që baraspesha e vlerës së diplomës dhe dijes nuk janë të barabarta”, thotë Bytyqi.
Në këtë intervistë ai flet për super asistenten e teknikut që ligjëronte në 13 lëndë, punësimet familjare në UP, ndikimin politik në arsim, pagat e mësimdhënësve e masat për të dalë nga kjo situatë.