Si do të funksionojë linja emergjente për mbushjen e Liqenit të Badocit
Kryeministri Avdullah Hoti e ka vizituar dje Liqenin e Badocit nga ku ka njoftuar se është funksionalizuar linja emergjente për mbushjen e këtij liqeni. Drejtori i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka treguar se si saktësisht funksionon kjo linjë.
“Mbushja e Badocit me ujë është një sistem që është ndërtuar në vitin 1993 nga ish-sistemi serbo-sllav në atë kohë që ka menaxhuar me pjesën e kompanisë dhe të gjitha asetet që i kemi pasë. Në vitin 1993 është investuar kjo linjë me një gjatësi prej 6,8 kilometrash e cila ujin e merr përmes sistemit të Ujmanit ose Ibër-Lepencit prej ku uji me gravitet arrin deri në pjesën e stacionit pompues në Besi, prej aty në gjatësi prej 40 kilometrash përmes kanalit të hapur arrin në stacionin e pompimit që ne e quajmë Hajvali dhe nga aty në gjatësi prej 6,8 kilometrash përmes pompit arrin në Badoc”.
“Sistemi është rifunksionalizuar. Është vënë në punë në vitin 1993, është vënë në punë sërish në vitin 1997 kur ka qenë një thatësi ekstreme, më pas edhe në vitin 2014 është vënë në punë për shkak të thatësisë ekstreme. Edhe këtë vit e kemi vënë në punë, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti, por edhe duke parë gjendjen në liqenin tonë akumulues në Badoc. Me ekipet tona së bashku me përkrahjen e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” kemi sanuar të sanojmë 45 defekte, Kemi punuar nga 10 tetori me turne të zgjatura dhe me tri ekipe gjatë gjithë kohës në terren. Është ndërruar një linjë prej afro 100 metrash ku është vendosur material i ri – tubacion i polietilenit”.
Por, për sa kohë dhe sa sipërfaqe e Liqenit të Badocit mund të mbushet, pas funksionalizimit të kësaj linje emergjente?
“Sa i përket mbushjes, pjesa e prurjes që vjen ne mund të lëshojmë deri në 350 litër për sekond afërsisht aq është edhe kapaciteti mesatar trajtues i impiantit në Badoc. Pjesa që marrim nga sistetmi i Ibër Lepencit i kemi dy alternativa: mbushja e vetë Badocit dhe tërheqja nga Badoci dhe një mundësi që është më e mirë nga aspekti teknik dhe ekonomik me qëllim të ruajtjes së efiçencës së energjisë elektrike është që direkt përmes sistemit pompues nga Çagllavica ta dërgojmë në sistemin e ndërmjetmë pompues që kemi ne dhe me ngritje mekanike të dërgohet në trajtim. Do ta shfrytëzojmë më shumë këtë mundësi, sepse kemi kosto më të ulët të shpenzimit të energjisë. Me këtë Badocin nuk e mbushim fizikisht, por nuk tërheqim ujë nga Badoci gjë që ndikon që të rritet akumulimi ose të ruhet”.
“Jemi në stinën e vjeshtës në drejtim të stinës së dimrit dhe po shpresojmë shumë që do të kemi reshje atmosferike me të cilat do të sigurohet një mbushje në aspektin natyral të Liqenit të Badoci. Mirëpo, sistemi është funksional. Ne sot e kemi testuar dhe në çdo moment që kërkohet është në punë. Sistemi është vënë sot në punë dhe do të mbetet edhe për një kohë duke përcjellur trendin e ndryshimit të motit. Në momentin që shohim se siguria e furnizimit me ujë dhe akumulimit nuk vihet në rrezik, atëherë do ta ndërpresim sepse kursejmë kosto të lartë të energjisë elektrike”.