Si do të zhduket Universi? Hipoteza e fundit
Zgjerimi i pafund, Kërcitja e Madhe, singularitet, staticitet (dhe shumë më tepër): Hipotezat se cili do të jetë fati përfundimtar i Universit janë të shumta, dhe shumë të ndryshme nga njëra-tjetra (dhe për fatin tonë të mirë e përcaktojnë fundin shumë larg në kohë nga tani).
Tani kësaj liste i shtohet një studim i ri, i cili bazohet mbi teorinë e avullimit të Vrimave të Zeza të formuluar nga i ndjeri Stephen Hawking. Sipas këtij modeli, të zhvilluar nga Michael Wondrak, Walter van Sujlekom dhe Heino Falcke, astrofizikanë në Universitetin Radbaud në Holandë, Universi ynë po “avullon” ngadalë para syve tanë dhe do të zhduket kur të mbarojë ky proces avullimi.
Le të përpiqemi ta kuptojmë çështjen në terma më të thjeshtë. Teoria e Avullimit të Vrimave të Zeza u formulua nga Stephen Hawking në vitin 1974. Ajo parashikon se ndonëse këto objekte kanë një fushë gravitacionale aq të fuqishme, sa që nuk mund t’u shpëtojnë as lënda dhe as drita, ekzistojnë disa efekte kuantike dhe kushte të veçanta, ku Vrimat e Zeza mund të avullojnë ngadalë, duke emetuar vazhdimisht një rrezatim termik (i ashtuquajturi Rrezatimi Hawking).
Siç shpjegohet nga Instituti Kombëtar i Astrofizikës në SHBA, ky avullim do të çonte në ngushtimin e horizontit të ngjarjeve të një Vrime të Zezë, një proces ende i pavërejtur, faza përfundimtare e të cilit përfaqëson nga ana tjetër, një nga misteret e mëdha të fizikës teorike.
Me pak fjalë jemi ende në fushën e hipotezave, mbi të cilat shkencëtarët kanë punuar prej shumë kohësh. Në një studim të botuar në prill të këtij viti, sërish në “Physical Review Letters”, e nënshkruar nga një grup studiuesish nga departamenti i fizikës së Universiteti Sapienza i Romës, Instituti Kombëtar i Fizikës Bërthamore në Itali dhe Instituti Niels Bohr në Danimarkë, ka treguar përmes simulimeve komplekse numerike disa “fate” të mundshme për procesin e avullimit të Vrimave të Zeza, përfshirë shfaqjen e të ashtuquajturave “singularitete” (pikat në të cilat dendësia e materies arrin vlera kaq të larta, sa të shkaktojë një kolaps gravitacional të hapësirë-kohës) edhe jashtë vetë Vrimës së Zezë.
Kjo do të shkelte parimin e “censurës kozmike” të formuluar nga fizikanti Roger Penrose, sipas të cilit singularitetet janë gjithmonë brenda Vrimës së Zezë, dhe nuk mund të jenë në komunikim me botën e jashtme. Por në një skenar alternativ, parashikohet që Vrimat e Zeza mund të kthehen në “krimba”, pra në struktura (deri tani vetëm hipotetike) që janë në gjendje të lidhin pika të ndryshme të hapësirë-kohës .
“Ne kemi treguar se përveç rrezatimit të mirënjohur Hawking, mund të ketë edhe një rrezatim tjetër të panjohur deri më tani”- thotë Wondrak. Pra analogjia është kjo:nga Vrimat e Zeza mund të “avullojnë” në mënyrë spontane grimcat që u shpëtojnë atyre (Rrezatimi Hawking); grimcat mund të “avullojnë” spontanisht nga fusha elektrike dhe ta shkatërrojnë atë (Efekti Schwinger). Më pas ndoshta edhe nga hapësira-koha, grimca të tjera mund të “avullojnë” spontanisht, në kushte të caktuara gravitacionale. / Galileonet – Bota.al