Si do t’i mbajë Rusia territoret dhe popujt e pushtuar?

20 gusht 2024 | 11:44

Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ

George F. KENAN: Memoare  1925-1950 (3)

Kremlini nuk mund të nxisë më shpresat, besimet idealet

Rusët për asnjë çast nuk do të heqin dorë që për qëllime politike të shërbehen me armët ekonomike, pavarësisht se  kjo do t’ju kushtoj.

Duhet përmendur ndoshta edhe vështirësinë më të madhe me të cilën rusët do të ballafaqohen në drejtimin, udhëheqjen me territoret e sapofituara. Fjala është për kuadrot dhe forcës punuese. Në perëndim, Finlanda, Estonia, Latvia, Litva, Polonia, Gjermania nga Odra deri në Nise, Rutenia dhe Sllovakia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Jugosllavia bashkërisht kanë afro 95 milion banorë. Këtu nuk janë futur  Çekia dhe Moravia, dhe Austria, ku rusët dukshëm synojnë gjithashtu të kenë ndikim. Asnjë nga këta popuj nuk bie në grupin gjuhësor rus, dhe prej tyre vetëm rreth 60 për qind flet gjuhë sllavene. Për t’u mbajtur të nënshtruar ata anëtar të detyrueshëm dhe për t’u nënshtruar sigurisht se do të jetë e nevojshme kuadër më i madh policor dhe administrativ sa ai që ishte i nevojshëm në kohërat normale; dhe ai duhet të përbëhet nga një milionë njerëz.

Këtu rusët gjenden para dilemës. Nëse mbështeten gjerësisht kuadrot lokale, i nënshtrohen rrezikut që posa t’i tërheqin forcat e veta ushtarake të vijë deri te pakënaqësia, humbja e kontrollit. Nëse në vendin e tyre vendosin njerëzit e tyre, menjëherë do të paraqiten një varg vështirësish. Në radhë të parë, nuk kanë mjaft njerëz të cilët do të dinin gjuhët dhe doket e popujve të tjerë. Nëse tentojnë të mbajnë numrin më të madh të njerëzve të vet për kohë të gjatë jashtë vendit, atëherë rrezikojnë që ata njerëz të prishen nga interesat e ndryshme, jetës më të mirë dhe atmosferës më tolerante. Mund të përpiqen ta evitojnë këtë rrezik, me atë që do t’i mbajnë në grumbull në bashkësitë e kontrolluara sovjetike dhe që do t’ju ndalonin çfarëdo takim të afërt të pakontrolluar me popullatën vendase, ashtu siç tani veprojnë me diplomatët e tyre në botën e jashtme. Ose mund t’i dërgojnë në botën e jashtme vetëm për një kohë të shkurtër. Mirëpo, as në rastin e parë e as në të dytin njerëzve të tillë nuk është lehtë t’u ngulitesh njohjen e plotë të gjuhës së huaj dhe mënyrën e mendimit e cila u është e domosdoshme nëse duhet të jenë administrator të mirë.

Administrata sovjetike në këtë pikë gjendet para problemit me të cilin ballafaqohen të gjithë linguistët: kjo, se njeriu vërtet nuk mundet thellë ta njeh gjuhën dhe kulturën e ndonjë vendi të huaj dhe që me këtë rast edhe vet të mos bëhet pjesë e atij vendi dhe që të mos i merr edhe veset e atij vendi, atij populli. Ky fakt, veçmas shqetëson administratën sovjetike. Qytetari mesatar sovjetik, të cilin që nga fëmijëria e edukon rendi i pagabuar propagandistik i shtetit, nuk është mësuar që të mendojë në mënyrë të pavarur  dhe as që ka mjaft sens për përgjegjësi.

Zjarri i marksizmit revolucionar është shuar

Në këtë pikë i jemi afruar një fakti mjaft të rëndësishëm dhe shumë pak të njohur në shkallën e tashme të zhvillimit të Rusisë. Fjala është për atë, se në çfarë mase administrata e ka humbur pushtetin moral mbi masat e popullatës, banorëve rusë. Këtë po e përmendi me një frikë, shqetësim, sepse nga kjo mund të dalin konkluzione të gabuara të natyrës shumë serioze. Pra, kjo nuk do të thotë se në Rusi ekziston ndonjë pakënaqësi serioze. Kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk duan të punojnë atë që Kremlini kërkon prej tyre. Kjo nuk do të thotë se ata me gjithë gojë  do të falënderojnë sloganin, parullën të cilën e ka hedhur, futur shteti. Së fundi, kjo nuk do të thotë se shumë prej tyre vërtet nuk mburren dhe nuk entuziazmohen me ato tradita nacionale dhe aspiratat në mbrojtës në të cilin Kremlini tani më është shndërruar. Por, kjo do të thotë se në popullin rus nuk ka më shumë iluzione për kualitetet morale dhe shpirtërore të gjithë asaj që paraqet shteti. Zjarri i marksizmit revolucionar përfundimisht është shuar. Ajo që ngel nga ai mund të nxitë patriotizmin dhe ndjenjat nacionaliste, edhe me qëllim të mbrojtjes por edhe me qëllim të ekspansionit imperialist. Por nuk mund ta nxisë atë fond të idealizmit përfundimtar njerëzor të cilin ndonjëherë ka mundur ta nxisë revolucioni, ashti siç kanë ditur  ta bëjnë këtë, kishat në cilën do kohë. Kremlini më nuk mund t’i nxisë besimet më të thella, shpresat më intime, idealet më profitabile…

Përkundër kësaj, kur sot banorët  gojarisht njoftohen se është caktuar ndonjë shërbim i rëndësishëm fetar, njerëzit i mbushin kishat dhe madje edhe tërë kuartin e qytetit në atmosferë të ngazëllimit. Partia le t’i thërret anëtarët e vet dhe madje edhe qytetarët tjerë sovjetik në demonstrata në cilën do kohë, në cilin do numër dhe në cilën do formë. Ata do të paraqiten pa diskutim, do të bartin secilin transparent i cili ju vihet në grusht dhe do ta kryejnë cilëndo detyrë që ju jepet. Mirëpo, Partia më nuk mundet që në mesin e tyre të krijojë as hijen e atmosferës të ngazëllimit të vërtet dhe përjetimit i cili ishte lexuar në fytyrat e dhjetëra mijëra njerëzve me rastin e natës së Pashkëve në Moskë. Partia ka arritur të mbajë atë që është mbretërore; mirëpo veprimi i saj fillestar që të mbajë, përfshijë edhe atë që është hyjnore është hedhur qetë dhe vendosmërisht.

Kontrolli mbi popujt jo rus

Tani për tani, dhe madje edhe për dekada të cilat do të vijnë, kjo ndoshta nuk do të ketë ndonjë domethënie të madhe, të dukshme, praktike. Mirëpo paraqet mundësinë me të cilin shteti mund të llogarisë. Burimet e fanatizmit i janë shmangur kontrollit shtetëror. Deri atëherë kur Kishës t’i lejohen vetëm rrugët e pa rrezikshme dhe deri atëherë kur me kurrfarë forca tjera nuk lejohet të prekin në ato segmente të natyrës njerëzore dhe të pushtetit njerëzor, deri atëherë nuk ka rreziqe. Mirëpo nëse kurdoherë i përfshinë  dhe i aktivizon ndonjë ndikim nga jashtë, regjimi do të gjendet në rreziqet të mëdha, të paparashikueshme. Prandaj mu për këtë është më e madhe nevoja që masat sovjetike të izolohen nga ndikimi, prekja nga jashtë. Dhe me këtë problemi i kontrollit mbi popujt jorus bëhet edhe më delikat se kurdoherë më parë.

Pra, marrë në përgjithësi shihet se Rusia nuk do ta ketë të lehtë ta mbaj pushtetin të cilin e ka vënë ndaj popujve të Evropës së Mesme dhe asaj Lindore, vetëm nëse nuk merr ndihmë materiale dhe morale nga Perëndimi. Prandaj politika ruse në periudhën e ardhshme do të synojë që t’i afrojë, bëjë për veti popujt e Përqendrimit, dhe veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës: 1) që të përkrahin dhe legjitimojnë dominimin rus në ato territore në mënyrë që shtetet marionete ruse do t’i pranojnë për vende të pavarura dhe ndaj tyre do të sillen si ndaj të tillave, kurse në këtë mënyrë së bashku me qeverinë sovjetike do të mbrojnë gënjeshtrën për karakterin e pushtetit në ato vende, dhe 2) që Rusisë t’i ndajnë ndihmë të gjerë materiale e cila pushtetit sovjetik do t’i mundësoi të kompensojë dëmet ekonomike të cilat i ka shkaktuar me programet e shtrenjta, kryesisht politike dhe që vetit t’ia përshkruaj meritat pse popujve përkatës u ka sjell edhe përparimin ekonomik dhe jo vetëm përparimin politik.

Nëse në shikim të parë duket e çuditshme nëse Kremlini mund të shpresonte në përkrahjen e popujve demokratik për qëllime të kundërta idealeve të demokracisë perëndimore, duhet kujtuar se rusi ndaj të gjitha zhvillimeve të ndjenjave publike sillet si marinar ndaj erërave. Ai beson, se nëse nuk mund të notoj drejtpërdrejt kundër tyre, atëherë së paku mund të shfrytëzojë fuqinë e tyre që të drejtohet në drejtimin e kundërt të përgjithshëm, të kundërt nga drejtimi nga ato erëra që fryjnë. Atij nuk i duket e pamundur që entuziazmi, ngazëllimi i Perëndimit për demokraci dhe pavarësi nacionale të shfrytëzohet për të shtyrë interesat e autoritarizmit dhe për nënshtrimin e popujve tjerë. Ai di, që të shërbehet me një shprehje klasike, se “ me njerëzimin sundojnë fjalët e thjeshta”.

RUSËT LUFTOJNË PËR TERRITORE

Oferta amerikane dhe refuzimi rus

Më tej, sa i përket ShBA-ve, Kremlini llogarit në disa faktor të caktuar psikologjik për të cilët di se me të madhe do të veprojnë në dobi të Rusisë. Ai di se opinioni, publiku amerikan është i mësuar të besojë:

  1. a) se bashkëpunimi me Rusinë, ashtu sikur e mendojmë ne, është krejtësisht e mundur;
  2. b) se varet vetëm nga vendosja e marrëdhënieve personale, të përzemërta dhe të besueshme me udhëheqësit rus; dhe
  3. c) se nëse ShBA-të nuk gjejnë mënyra për të siguruar atë bashkëpunim ( sërish nëse ne e paramendojmë), atëherë lufta e kaluar është udhëhequr kot, kurse lufta e re është e paevitueshme dhe civilizimi gjendet para katastrofës së plotë).

Kremlini e di se asnjë nga këto konstatime nuk është i drejtë. E di se qeveria sovjetike, për shkak të strukturës së veçantë të strukturës të pushtetit të vet, teknikisht është e pa aftë të bashkëpunoj me qeveritë tjera në mënyrën se si amerikanët e kanë ndermen kur të flasin për bashkëpunimin. E di se policia e fshehtë sovjetike nuk ka kurrfarë qëllime të përkrah ato  takime të veçanta midis dy popujve të cilat marrëdhënie do të krijonin bazë të gjerë për besimin reciprok. E di se gjatë 11 vjet të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve qeveria e SHBA-ve më së paku në 99 për qind të rasteve kishte ndërmarrë iniciativën në mënyrë që në ato marrëdhënie të futeshin besimi dhe përzemërtës, dhe se ato përpjekje thuaja se gjithmonë kanë hasur në  dyshim, refuzim, qëndrim jo miqësor; deh se kjo nuk mund të jetë ndryshe as në të ardhmen. Së fundi e di se për paqen e ardhshme botërore aspak nuk është i domosdoshëm ai bashkëpunimi i afërt  të cilin synojnë amerikanët. Ai, si organizëm i cili në mënyrë të themeltë është orientuar në realitetin e fuqisë, e di se për hir të sigurimit të stabilitetit midis fuqive të të mëdha për  dekadat e ardhshme është  e domosdoshme ruajtja e vërtetë e baraspeshës, ekuilibrit logjik midis atyre dhe mirëkuptimi real për interesat vitale, gjegjëse të sferave të interesit.

Mirëpo, qeverisë sovjetike nuk i hynë në llogari që opinionit amerikan t’i thyen ato iluzione të cilat  janë shumë të dobishme për interesat sovjetike. Moskës i është për dëshire, vullneti që amerikanët të luhaten në disa iluzione të cilat do t’i shpijnë që në administratën e tyre të bëjnë presion për të bërë edhe të pamundurën dhe që gjithnjë për të shkuar një hap përpara në synimin që të fitojnë përkrahjen e qeverisë sovjetike. Derisa iluzionet e tilla të mund të mbahen në mesin e masave të gjëra të opinionit amerikan, deri atëherë Kremlini nuk do të heq dorë për shpresën se do të mund, që në ato rrethana, të shfrytëzojë demokracitë perëndimore si mjete më të mëdha dhe më të fuqishme për forcimin e pushtetit të vet në Evropën Lindore dhe atë të Mesme.

Pikërisht kjo shpresë fshihet prapa secilit aksionit rus në çështjet e sigurisë ndërkombëtare. Nga organizatat e sigurisë ndërkombëtare Rusia pret që ta mbroj qeverinë ruse në rripin e shteteve marionete. Nga ajo organizatë, ajo pret që në mënyrë automatike të sigurojë ndihmën e demokracie perëndimore kundër secilës forcë e cila do të provonte të çlirojë popujt përkatës. Nisur nga kjo, ajo pret që në formë kredish dhe ndihmë ekonomike menjëherë t’i kthehet zemërgjerësia për faktin pse ka pranuar të hyjë në këtë organizatë.

Kërcënimet e Trockit dhe Molotovit

Deri atëherë kur këshilltar të caktuar të Stalinit mund të shërbehen me argumente të tilla dhe me suksese të pandërprera të arsyetojnë një zhvillim të tillë mendimit, qeveria sovjetike edhe më tej do të veprojë sipas supozimit, hipotezës se me vendet perëndimore çdo gjë mund të realizohet dhe se do të mund, pa frikë nga vështirësitë eventuale, që bota e Perëndimit të pajtohet e programin e ekspansionit politik rus në Evropë, dhe madje që edhe nga ai të fitojë ndihmë për realizimin e atij programi.

Qeveria sovjetike, para popullit të vet nuk ka kurrfarë detyrime ndaj aleatëve perëndimorë. Në fushatën e pandërprerë të cilën gazeta e saj e udhëheq kundër elementeve reaksionare dhe “ mbeturinave të fashizmit” në botën e jashtme, me kujdes i mban dyert e hapura përmes të cilave në çdo moment mund të tërhiqet në izolim. Përmes qeverive marionete me të cilat sundon në Evropën Lindore dhe të Mesme,  gjithnjë, pa dëme  për prestigjin e saj mundet të tërheq vijat e frontit të fuqisë së vet politike.

Nëse bota e Perëndimit, përkundër të gjitha pritjeve normale, tubon forcën politike që Rusisë t’i shkurtojë ndihmën morale dhe materiale për forcimin e pushtetit rus në Evropën Lindore dhe të Mesme, Rusia sigurisht se nuk do të ishte në gjendje që me sukses për një kohë të gjatë të mbahet në tërë atë territor të cilit sot e pretendon. Në këtë rast duhet të vjen deri te tërheqja e linjës prapa. Mirëpo, nëse kjo ndodhë, Rusia në masë të plotë do ta shfrytëzojë forcën e fuqisë së vet në vendet perëndimore dhe përgjithësisht në botë. Ndoshta agjentët e pushtetit sovjetik do të detyrohen ta lëshojnë disa territore të cilat tani janë nën sundimin e tyre, mirëpo, ata, ta përdori me këtë rast thënien e Trockit “do t’i përplasin dyert ashtu që e tërë Evropa do të dridhet”. Me atë rast partitë komuniste do t’u krijojnë demokracive perëndimore vështirësi, sfida; dhe bota do të ketë arsye të rikujtoj kërcënimin të cilin Molotovi e kishte thënë, deklaruar në San Francisko – se Rusia, nëse konferenca nuk i ofron paqe dhe siguri në pajtim me kërkesat e saj, këtë do ta kërkojë dhe do ta gjejë tjetërkund.

Politika ruse mbështetet në tradhti dhe në mosbesim

Nëse bota perëndimore do t’i kundërvihej fuqishëm kësaj deklarate tërbuese, dhe nëse demokracia do të dëshmohej e gatshme që në ecjen e saj të qëndroj, mbaj edhe përpjekjet më të ashpra të pakicave të disiplinuara që në vendet e tyre ju shërbejnë interesave politike të Bashkimit Sovjetik, Moska atëherë do të luante letrën e saj të fundit. Më nuk do të kishte se me çfarë të atakonte, kërcënonte botën e Perëndimit. Përparimi i mëtutjeshëm ushtarak në perëndim vetëm se do t’i rriste obligimet, detyrimet të cilat rusët që tani nuk mund t’i plotësojnë. Moska nuk ka forcë detare e as ajrore e cila do të mund të rrezikonte rrugët detare dhe ajrore të botës.

Mirëpo, në Moskë askush nuk beson se, bota e Perëndimit, kur para dyerve të veta të ballafaqohet me ujkun e gjallë të pakënaqësisë sovjetike, ujkun i cili kërcënon që t’i kërcejë në shtëpi, megjithatë do të jetë në gjendje që me vendosmëri t’i kundërvihet. Pikërisht në këtë mosbesim, tradhti edhe mbështetet politika botërore sovjetike. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thierry Henry është larguar nga posti i përzgjedhësit në Kombëtaren…