Si e bleva kompletin e Kadaresë në librarinë te Teatri më 1982
Izet Abdyli
Pas demonstratave të vitit 1981, pushteti i atëhershëm komunist filloi një fushatë të egër edhe ndaj kulturës dhe historisë kombëtare, duke i vënë etiketat e frymës nacionaliste dhe irredentiste. Shumë figura e personalitete kombëtare të historisë, kulturës e letërsisë, për të cilët kishim mësuar e lexuar me vite në mënyrë afirmative, sa ora u përmbysën dhe aktiviteti dhe krijimtaria e tyre u cilësua nacionaliste, irredentiste, separatiste e çka jo në kontekst negativ nga pushteti i atëhershëm. Edhe figurat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare nuk u kursyen nga këto epitete denigruese. Të mos flasim për Kadarenë, Agollin e shkrimtarë të tjerë nga Shqipëria që sa ora u ndaluan dhe librat e tyre u tërhoqën nga shitja në librari.
Në vitin 1982, pasi kisha pushuar një vit nga studimet për shkak të burgosjes për pjesëmarrje në demonstrata, vazhdova vitin e tretë të studimeve në Fakultetin Juridik. Ndonëse në kushte të vështira ekonomike, babai dhe vëllai nuk kursyen asgjë që unë t’i vazhdoja studimet. Më kujtohet se shpesh nga të hollat që merrnim nga familja gjatë javës, kursenim, linim mangët ndonjë racion ushqimi, sa për të blerë një libër. Një ditë babai më dha para për një palë këpucë dhe së bashku me shokët e mi, të cilët i kisha bashkëvendës, Ramë dhe Hamdi Prenkun, dolem për t’i blerë në shtëpinë e mallrave “Gërmia”. Por, na ishte bërë pothuajse ritual që së pari ta vizitonim librarinë te Teatri, të shihnim ndonjë titull të ri. Aty me mirësjellje na priste plaku librashitës që i thoshim ne. Rastësisht shoh në një qoshe të rafteve kompletin e Kadaresë, botim të “Rilindjes”, i cili kishte kohë që ishte tërhequr nga shitja. E pyes librashitësin a është për shitje kompleti i Kadaresë. Pohon me kokë. Kur pyes për çmimin, më përputhej me paratë që kisha në xhep për këpucë. Pa hezituar fare i nxora paratë, ia dhashë plakut dhe mora nën sqetull kompletin e veprave, i gëzuar tej mase, por edhe duke i lënë të habitur shokët, të cilët mbeten pa tekst. I ekzaltuar aq shumë duke i shtrënguar librat, as që më shkonte mendja si do ta arsyetoja në shtëpi mosblerjen e këpucëve. Unë atë ditë vërtet mbeta pa këpucë, por gëzimin e asaj dite nuk e harroj kurrë!