Si e fitoi Kina betejën kundër koronavirusit
Prova e parë që Kina po e fitonte vërtet betejën me koronavirusin ishte vizita e presidentit Xi Jingping në epiqendrën e sëmundjes, Wuhan.
Po si ia doli mbanë Kina, vendosi nga ku shpërtheu sëmundja që ta vinte nën kontroll virusin e tmerrshëm? Pekini veproi me “grusht të hekurt” për izolimin e të gjithë qytetit të Wuhanit dhe të 11 milionë banorëve të tij, e më pas edhe mjaft qytete të tjerë. Për tu siguruar që njerëzit nuk do të lëviznin, u nxor në rrugë ushtria. Nga janari deri në shkurt, Kina izoloi 507.5 milionë banorë, me karantina të plota ose të pjesshme në 20 provinca të vendit.
Tre kompanitë e mëdha të telefonisë, “China Mobile”, “China Telecom” dhe “China Unicom”, bashkëpunuan ngushtësisht me autoritetet për shpërndarjen e të dhënave të lokalizimit të virusit, e të njëjtën gjë bëri Ministria e Informimit Teknologjik. Në luftën kundër sëmundjes u përdor çdo gjë: robotë dezinfektues, helmeta smart, dronë të pajisur me kamera termike. Autoritetet kineze mobilizuan edhe sistemin e tyre të sofistikuar të mbikqyrjes për të diktuar individët e prekur e për të vendosur karantinat. Kamerat e njohjes së fytyrës janë gjithandej në Kinë dhe kompanitë, e përmirësuan teknologjinë e tyre në mënyrë që të skanonin masat për temperaturë e të dallonin personat që nuk mbanin maskë. Pikasja e shpejtë e infektimeve ishte çelës i suksesit edhe në Korenë e Jugut.