Si e kujtoj ndryshe profesor Hajrullah Goranin?
Shkruan: Bajram Mjeku-
Kur para pak minutave mora lajmin se paska ndërrua jetë dr. Hajrullah Gorani, të gjithëve na kujtohet se i ndjeri ishte vetëm profesor në Fakultetin Ekonomik dhe kryetar i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Dr. Hajrullah Gorani ishte edhe ish i burgosur politik dhe familjarët e ish të burgosurve politikë sipas rrëfimeve të baballarëve të tyre, profesor Goranin e kujtojnë si burrë dinjitoz me qëndrim titanik në vitet pesëdhjeta në Burgun e Nishit, por edhe profesor Gorani fliste me madhështi për shokët e burgut.
Kur dy vjet më parë isha duke shkruar librin Testamenti i fshehur”, ku protagonist kryesor ishte Gjokë Spaçi dhe 21 veprimtarë tjerë të Grupit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dr. Kosovë Bajraktari, djali i Zekë Bajraktarit nga Suhareka, kujton një ngjarje interesante nga burgu të babait të tij dhe profesor Goranit. Kështu e citonte dr. Kosovë Bajraktari, prof. Hajrullah Goranin: “Solidarizimi midis anëtarëve të Grupit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishte i madh. Kur më dërguan në qeli, aty e gjeta Zekë Bajraktarin, i cili kishte kohë që gjendej aty. Zekës i kishin mbetur edhe katër ditë të qëndronte në qeli dhe nuk hante bukë. Zeka arsyetohej se ndjente dhembje në lukth. Ai këtë e bënte me qëllim, që ta ruante bukën për mua. Ditën kur doli nga qelia, Zeka më tha: ‘Merre bukën ti, mbasi unë sot dal nga qelia dhe do të gjendem disi!”.
Këta ishin burrat e mëdhenj të Kosovës, të cilët rrugën e lirisë na e trasuan me gjak e sakrifica, të cilën ne sot e gëzojmë dhe për fatin tonë të keq, jo rrallë edhe e përbuzim…
Dritë pastë shpirti i Tij.