Si e kuptuan të burgosurit në Serbi lajmin për përfundimin e luftës në Kosovë?, flet Isak Shabani
Vetëm 7 ditë pas vrasjes së komandantit të UÇK-së, Zahir Pajazitit, ish-bashkëluftëtari i tij, Isak Shabani, u arrestua nga forcat serbe në Prishtinë. Pasi u dënua me 10 vjet burgim, Shabani u transferua në Burgun e Nishit. Isak Shabani ka rrëfyer se si u kumtua lajmi për përfundimin e luftës në Kosovë në Burgun e Nishit dhe festen e ushtrisë serbe.
Orë të shumta policore ishin prezentë në Gjykatës serbe të Qarkut në Prishtinë.
Këtu në shkurt të vitit 1997, disa ish-pjesëtarë të UÇK-së dolën para gjykatësit.
Mbi ta, rendonin veprat e rënda për terrorizëm.
E në mesin e tyre, ishte edhe Isak Shabani.
Ky i fundit, ra në duart e policëve serbë, vetëm 7 ditë pas vrasjes së ish-bashkëluftëtarit të lirisë, Zahir Pajazitit.
“Këtu afër shoqatës së OVL-UÇK-së, ka qenë një rrugicë e vogël, kanë qenë shumë qytetarë që atë kohë u marrshin me shkëmbimin e parave, dhe duke kaluar atypari, ka pasur shumë policë të maskuar në rroba civile dhe në ato momente mu kanë gjuajtur përmbi katër policë civil dhe me kanë arrestuar”, tregon Isak Shabani, ish-bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit, raporton Tëvë1.
Pas kësaj, për 5 ditë, askush nuk dinte gjë për fatin e Isak Shabanit.
Kurse në ditën e gjashtë, grupi i përbërë prej mbi 10 ish-anëtarëve të UÇK-së, dolën para gjykatësit serb.
E Isak Shabani, u dënua me 10 vjet burgim, ku pjesën më të madhe të dënimit, e mbajti në Burgun e Prishtinës, ku edhe filluan torturat me çnjerëzore.
“Torturat kanë qenë më së shtazarake, ka qenë kohë e ftohte, dimër, na kanë zhveshur, tortura me shkopinj të gomës, pastaj elektroshoku, që ka qenë shumë i rëndë. Pastaj në ditën e 6 na kanë dërguar të gjyqtari”, shprehet Shabani. Isaku nga këtu u transferua në disa burgje.
Por, maji e gjeti në Burgun e Dubravës, ku i shpëtoi njërës prej masakrave më të rënda të luftës.
Me fillimin e qershorit, Isak Shabani dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë u transferuan në Burgun e Nishit në Serbi.
Këtu, nuk po arrinin ta besonin lajmin që po qarkullonte mes të burgosurve e gardianëve serbë.
“Për herë të parë kur kam dëgjuar që lufta ka përfunduar, ka qenë në qytetin e Nishit. I kam dëgjuar disa krisma të lloj-lloj arme, që gjuajtshin nëpër ajër. Pastaj e kam dëgjuar një gardian që ka thënë se ushtria po gëzohet, tregon Shabani.
Por, gjithçka u konfirmua në orët e pasdites në burgun e Nishit.
Në Kosovë, kishte mbaruar lufta.
Tani deputeti i PDK-së, tregon se si u dha lajmi në Serbi, për përfundimin e luftës në Kosovë.
“Pasi u vendosem nëpër ato qelitë e burgut, në ora 15:00 u dëgjua një radio, e kishin lëshuar përmes atyre zmadhuesve neper burg dhe lajmi kryesor ishte që lufta përfundoi dhe Serbia fitoi. Dmth ky ishte lajmi i parë, Serbia fitoi, lufta përfundoi. Edhe në ato momente ata thoshin se Serbia fitoi”, thotë ai.
Isak Shabani dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë, u liruan vetëm në mars të vitit 2001, pas në kuvendin serb kishte kaluar ligji për amnisti.