Si e la ai hotelin

04 gusht 2021 | 13:39

LOUISA BALDWIN

Drejtoja një ashensor udhëtarësh te Hotel Empire i cili gjendej në cep të rrugës Bath, një bllok i madh ndërtimi me linja të tullave të kuqe dhe të bardha të cilat ngjasonin me proshutën e vënë në pjatë. Sapo kisha mbaruar shërbimin ushtarak me vlerësime të larta për sjellje. Realisht, me këtë mënyrë e fitova edhe punën.

Hoteli ishte pronë e një kompanie të madhe, me një komitet drejtues nga oficerë në pension dhe me zotërinj me pak para e me mundësi asgjë për të bërë. Ishte edhe koloneli im i ndjerë. Ai ishte një njeri i matur, por që ngurronte kur vullneti i tij nuk bëhej ashtu si atëherë kur i kërkova një punë e më tha: “Mole, ti je njeriu i duhur për të punuar tek ashensori i hotelit tonë të madh. Ushtarët iu përshtaten edhe shërbimeve civile, por edhe atyre të biznesit, dhe publiku i pëlqen ata shumë, mirëpo jo më shumë sesa marinarët. Atij që ishte deri tani, ia treguam udhën dhe ti tani mund të vish në vend të tij”.

Puna ishte mjaft interesante dhe paga mjaft e madhe, ndërsa unë do të rrija më shumë se një vit aty sikur të mos ndodhte ajo që ndodhi. Ashensori ynë ishte hidraulik. Asnjë prej atyre gjërave të lëkundshme nuk përplasej si ndonjë kafaz i një papagalli në një shkallë pusi, ndaj nuk duhet të kujdesesha shumë dhe besova me gjithë mend. Ai shkonte aq lehtë saqë dhe një fëmijë mund të punonte në të, me një siguri si të qën­dronte në tokë. Në vend se ta lustronim me reklama shkël­qyese si një ‘omnibus’, në të kishte pasqyra të mëdha ku zonjat shikoheshin në to dhe i rregullonin flokët duke shkuar në katet e poshtme, të veshura me plot stil për një mbrëmje solemne. Ashensori ngjante në një dhomë të vogël me jastëk kadifeje ngjyrë të kuqe ku mjaftonte vetëm të hysh në të dhe të fluturosh lart dhe poshtë, lehtë si një zog.

Secili vizitor hynte në të për t’u ngjitur lart apo për të zbritur poshtë. Disa prej tyre ishin francezë dhe e quanin ashensorin “assenser”, mjaft mirë për ta në gjuhën e tyre, padyshim, por pse amerikanët, që mund të flasin anglisht kur ata dëshirojnë, gjithmonë gjejnë mënyra për t’i bërë gjërat më shpejt se njerëzit e tjerë, sikur duhet të humbasin kohë dhe frymë duke e quajtur një ashensor “elevator/ngritës”, këtë nuk mund ta kuptoj.

Unë isha në krye të ashensorit nga mesdita deri në mesnatë. Deri atëherë njerëzit e teatrit dhe ata që darkonin veçse ishin ngjitur lart, dhe kushdo që kthehej më vonë ecte shkallëve sepse orari im përfundonte. Një nga derëtarët punonte në ashensor derisa unë në mëngjes vija në punë, por para orës dymbëdhjetë nuk kishte asgjë të veçantë, dhe jo shumë deri pas orës dy. Pastaj ishte një punë mjaft e ngjeshur me vizitorë që ngjiteshin e zbrisnin vazhdimisht, dhe zilja elektrike binte nga një kat në tjetrin si në një shtëpi të kapur nga flaka. Pastaj, gjatë darkës, zotëronte një magji e qetë, dhe unë ulesha qetë në ashensor ta lexoja gazetën, vetëm se nuk pija duhan. Askush nuk mund të pinte pasi që unë kisha kërkuar nga zotërinjtë e huaj që të mos pinë duhan në të, sepse ishte kundër rregullit. Nuk u thosha aq shpesh zotërinjve anglezë. Ata nuk janë si të huajt e tjerë, që purot e tyre duket se u janë ngjitur për buzë.

Gjersa njerëzit hynin në ashensor unë ua vëreja fytyrat pasi që kisha shikim të mprehtë dhe një kujtesë të mirë. Asnjëri nga vizitorët nuk kishte nevojë të më tregonte dy herë se ku ta çoja. I njihja ata dhe i njihja katet e tyre ashtu si ata vetë.

Ishte nëntor kur koloneli Saxby erdhi në Hotel Empire. E vura re veçanërisht për faktin se dallohej menjëherë që kishte qenë dikur ushtarak. Ai ishte një burrë i gjatë, i dobët, rreth të pesëdhjetave, me një hundë fajkonje të mprehtë dhe mustaqe gri, dhe ecte i ngurtë shkaku i një plage të marrë me armë në gju.

Por ajo që vura re më shumë ishte një shenjë, një e prerë në anën e djathtë të fytyrës. Sapo hyri në ashensor për të shkuar në dhomën e tij në katin e katërt, mendova se çfarë ndryshimi ekziston midis oficerëve.

Gjatësia e tij dhe trupi i hollë që kishte koloneli Saxby më kujtoi një postë telegrafike dhe kolonelin tim të vjetër. Koloneli im ishte si një fuçi me uniformë, por një ushtar i guximshëm dhe një zotëri gjithsesi. Dhoma e kolonel Saxby ishte me numër 210, pikërisht përballë derës së qelqtë që të çonte drejt ashensorit, dhe sa herë që ndaloja në katin e katërt, dhoma 210 më vështronte në fytyrë!

Koloneli zakonisht ngrihej me ashensor çdo ditë rregullisht, megjithëse nuk zbriti kurrë me të. Ndonjëherë, kur ishim vetëmnë ashensor, ai edhe fliste me mua. Ai më pyeti në cilin regjiment kisha shërbyer dhe tha se i njihte oficerët në të. Por nuk mund të them se ishte i qetë për të biseduar. Kishte diçka që qëndronte larg tij dhe gjithmonë dukej i thellë në mendime. Ai kurrë nuk u ul në ashensor. Qoftë i zbrazët apo plot, ai qëndronte si rrufeja në qiell në këmbë, nën llambë, ku drita i binte në fytyrën e zbehtë dhe faqen e tij të vrarë.

Një ditë shkurti nuk e mora kolonelin në ashensor. E vura re këtë fakt pasi ai ishte i rregullt si një orë zvicerane. Mendova se do të ishte larguar për disa ditë dhe nuk mendova më për të. Sa herë që ndaloja në katin e katërt, dera e dhomës 210 ishte e mbyllur dhe pasi ai shpesh e linte atë të hapur, siguro­hesha që koloneli nuk ishte aty. Në fund të javës dëgjova një shërbëtore të dhomës teksa thoshte se koloneli Saxby ishte i sëmurë, prandaj mendova se kjo ishte dhe arsyeja pse ai nuk ishte në ashensor kohën e fundit.

Ishte e martë, natë, e unë isha i zënë si rrallëherë. Ishte një trafik i ngarkuar lart-poshtë i cili vazhdoi kështu tërë mbrëmjen. Në ikjen e mesnatës, kur unë isha gati ta fikja dritën në ashen­sor, ta kyçja derën dhe ta linja çelësin në zyrë për burrin që do të vinte në mëngjes, zilja elektrike ra me mprehtësi. E pashë numrin dhe pashë që isha i kërkuar në katin e katërt. Erdhi ora dymbëdhjetë derisa hyra në ashensor. Ndërsa kaloja katet, të dytin dhe të tretin, pyeta veten se kush ishte ai që kishte kumbuar kaq vonë dhe mendova se duhet të ishte ndonjë i huaj që nuk dinte rregullin e shtëpisë. Por, kur ndalova në katin e katërt dhe hapa derën e ashensorit, koloneli Saxby po qëndronte i mbështjellë me petkun e tij ushtarak. Dera e dhomës së tij ishte mbyllur pas tij, sepse unë lexova numrin në të. Mendova se ishte i sëmurë dhe i shtrirë në shtratin e tij, edhe pse dukej si të ishte i sëmurë, por ai kishte vënë një kapelë dhe çfarë mund të dëshironte një burrë që kishte qenë në shtrat dhjetë ditë që të dilte në një mesnatë dimri? Nuk mendoj se ai më pa, por kur unë vura në lëvizje ashensorin, e shikova duke qëndruar nën llambë, duke fshehur sytë me hijen e kapelës së tij, dhe dritën e plotë në pjesën e poshtme të fytyrës, e që ishte e zbehtë vdekjeprurëse, shenja në faqen e tij dukej shumë më e zbehtë se herëve të tjera.

“Gëzohem që ju shoh se jeni më mirë, zotëri”, i thashë, por ai nuk tha asgjë, dhe unë nuk doja ta shikoja përsëri. Ai qëndroi si një statujë me mantelin e tij mbështjell, dhe unë u ndjeva plotësisht i lumtur kur i hapa derën që ai të dilte në sallë. E përshëndeta, ndërsa ai doli dhe më kaloi drejt derës.

“Koloneli dëshiron të dalë”, i thashë portierit që qëndroi duke shikuar. Ai hapi derën e përparme dhe koloneli Saxby doli jashtë në borë. “Kjo është një ikje”, tha portieri.

“Është”, thashë unë. “Nuk më pëlqej pamja e kolonelit. Ai nuk dukej aspak vetja. Ai ishte mjaftueshëm i sëmurë sa të qëndronte në shtratin e tij dhe ja ku është, duke dalë në një natë si kjo”. Sidoqoftë, ai kishte mantelin e famshëm që ta mbante ngrohtë. “Unë them, duke supozuar se ai shkoi në një ballo solemne dhe mantelin e kishte për ta fshehur veshjen e tij”, tha portieri duke qeshur me shqetësim. Sepse të dy ndihe­shim më të qetë sesa që interesoheshim të thoshim diçka dhe derisa flisnim, një zile e fortë i ra derës.

“Jo më pasagjerë për mua”, thashë dhe vërtet kësaj radhe isha duke fikur dritën kur Xhoi hapi derën dhe hynë dy zotërinj të cilët me një shikim i dija se ishin mjekë. Njëri ishte i gjatë, tjetri i shkurtër e i fortë, dhe që të dy hynë në ashensor.

“Na vjen keq, zotërinj, por është kundër rregullit që ashensori të ngjitet lart pas mesnatës”.

“Marrëzi!” tha zotëria i fortë, “sapo ka kaluar ora dymbëdhjetë dhe është një çështje e jetës dhe vdekjes. Na ço menjëherë në katin e katërt”, tha duke hyrë në lift me shpejtësinë e një të shtëne.

Kur hapa derën ata shkuan drejt e në dhomën numër 210. Një infermiere doli t’i priste dhe mjeku i fortë tha: “Nuk ka ndryshim për keq, shpresoj”. Ndërsa unë dëgjova përgjigjen: “Pacienti vdiq pesë minuta më parë, zotëri”. Megjithëse nuk kisha interesim të flisja, ishte më shumë sesa mund të qëndroja. Përcolla mjekët te dera dhe thashë: “Këtu ka një gabim, zotërinj. Unë e zbrita kolonelin me ashensor qëkur ora ra dymbëdhjetë dhe ai doli jashtë”. Mjeku i fortë tha prerë: “Është gabuar identiteti. Ishte dikush tjetër që e morët për kolonelin”.

“Duke kërkuar faljen tuaj, zotërinj, ishte vetë koloneli dhe portieri i natës i cili i hapi derën, e njohu atë, po ashtu si unë. Ai ishte i veshur për një natë si kjo, me petkun e tij ushtarak të mbështjellë rreth tij”.

“Eja brenda dhe shiko vetë”, tha infermierja.

Unë ndoqa mjekët në dhomë dhe atje ishte shtrirë koloneli Saxby. Dukej ashtu siç e kisha parë disa minuta më parë. Qëndronte shtrirë, i vdekur si të parët e tij, me mantelin e tij të madh, i përhapur mbi shtrat që ta mbante ngrohtë e të mos ndiente më të ftohtë. Atë natë nuk fjeta asnjë çast. U ula me Xhonin, duke pritur çdo minutë të dëgjoja kolonelin që i binte ziles së derës së përparme. Të nesërmen, sa herë që zilja e ngritësit binte e mprehtë dhe e papritur, djersa më shpërthente dhe dridhesha përsëri. U ndjeva aq keq sa u ndjeva herën e parë kur isha në veprim.

Unë dhe Xhoe i treguam të gjitha menaxherit, dhe ai tha se do të kishim ëndërruar, duke shtuar: “Merrni parasysh, mos flisni për këtë, ose shtëpia do të boshatiset brenda një jave”.

Arkivoli i kolonelit u fut fshehurazi natën tjetër. Unë dhe menaxheri, dhe varrmihësit, e morëm arkivolin në ashensor, duke qëndruar për së gjati, dhe nuk mbeti më vend në ashensor. Ata e bartën atë në dhomën 210 dhe për sa kohë unë prisja që ata të dilnin përsëri, një ndjenjë e çuditshme më pushtoi. Pastaj dera u hap me butësi, dhe gjashtë burra barten arkivolin e gjatë drejtpërdrejt në kalim dhe e vendosën me këmbë drejt derës së ashensorit derisa menaxheri më shikoi.

“Nuk mund ta bëj, zotëri”, thashë. “Nuk mund ta zbres kolonelin përsëri. E zbrita dje në mesnatë dhe kjo më mjaftoi”.

“Shtyje brenda!” tha menaxheri duke folur shkurt dhe me mprehtësi dhe e nisën arkivolin në ashensor. Menaxheri hyri i fundit dhe, para se ta mbyllte derën, tha: “Mole, ti punove në këtë ashensor dhe, në fund, më habite”. Dhe ashtu ishte, dhe pikërisht për këtë nuk do të qëndroja më në Hotel Empire pas asaj që ndodhi, edhe nëse do të ma dyfishonin pagën. Dhe kështu, me portierin e natës, u larguam së bashku.

 

 

Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Fortesë Frangu-Paçarada.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ERNEST BRAMAH Zoti Braun u mat ta ulte shikimin që…