Si e mbrojtën burrat e Preshevës veprën e Ismail Kadaresë dhe…? 

04 korrik 2024 | 14:11

Kështu fliste Bejtullah Osmani, nxënësi besnik i mësuesve të Ernest Koliqit

Nga Sabri BEQIRI

…Kudo që i gjenim nëpër Kosovë e në ndonjë librari të skajshme në Maqedoni i sillnim në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Bile edhe nëpër katunde. Ndoshta më shumë nëpër shkollat e katundeve. Kështu, së pari në shpirtrat tanë, dhe në shtëpitë tona rikthenim Skënderbeun dhe Kadarenë.

Tek fëmijët e mi, që janë të gjithë të arsimuar, si dhe rrumbullak tridhjetë e tetë vjet (38) sa punova me nxënës, përveç mistereve të numrave, këtë frymë kam përçuar.

Djalit tim, Bardhylit, i qoftë fal e hallall mundi im si  prind dhe i gjithë familjes sonë.

Në Preshevë,  në kryeqytetin e Kosovës lindore, si thonë vendësit, ka më shumë rrëfime si histori, ngjizur në kujtesë brezash se sa të shkruara nga kronistë të kohës. Entuziastët më të rinj dhe më vullnet të pashuar qëndrojnë diku në mes. Shquhen për përkushtim e admirim Brezi i 68-tes….

Fill pas mbarimit te Luftës Çlirimtare në Kosovën Lindore, Bejtullah Osmani, arsimtari veteran nga Presheva dhe babai i dëshmorit të lirisë Bardhyl Osmani që ka gatuar rrumbullak 38 breza shkollarësh ka rrëfyer copëza historie të jetuar.

– Me shpirt ende ndjehem si arsimtar. Si sot me kujtohet kur nisa detyrën e mësuesisë në një shkollë në viset  e Karadakut, në Ceravajkë, në trevën më epike të kësaj ane. Pastaj si kërkonin rrethanat e kohët vazhdova punën me nxënës në Miratoc, Raincë, Sllupçan të Kumanovës, në gjimnazin e Preshevës, në Prishtinë. Kishim vështirësi gjithmonë. Mungonin arsimtarët. Unë u diplomova për matematikë. Nxënësve ua mësoja misteret e numrave. Nxënësit e mi nuk po më harrojnë. Ndalën, më pyesin për shëndet e gjithçka. Njeriu kur kalon një jetë me nxënës ndjehet gjithnjë i ri.

Bardhyli, djali im, i njohur me nofkën “Delta” ka rënë dëshmor në Rahovicë të Preshevës më 16 maj 2001. Ra në fushën e nderit dora -dorës me bashkëluftëtarët Shaban Ukshini e Sami Ukshini nga Zhegra e Gjilanit dhe Kastriot Islami nga Renatoci i Preshevës. Bardhyli që herët ishte nisur në rrugën që e kishte zgjedhur. Më fliste për udhëtimet e tij nëpër Shqipëri, Kosovë, e Iliridë. Ka marrë pjesë në luftë edhe në Kosovë. Djali më fliste për majat e Pashtrikut, për bashkëluftëtarët e tij…. Si ushtar i UÇPMB-së ka gëzuar një nderim të madh. Ishte ushtar me përvojë, ka qenë student i Ndërtimtarisë.

Bejtullah Osmani përmend me nderim arsimtarët e tij: Abdullah Zajmin, Tajar Hatipin, Ahmet Mumxhiun, mësuesit e Ernest Koliqit, që i thoshin me përmallim “Koha e Shqipnisë”

Kur nisa punën në arsim, të nesërmen u thashë nxënësve që të vijnë bashkë me prindërit. Isha i ri, plot vullnet e entuziast i madh. Vërejta që nxënësit shikonin si vjedhurazi njëri-tjetrin. Po i shihja si me sy si të përulur, diçka parandjenja, por nuk më thoshin asgjë. Korrieri i shkollës, në burrë i moshuar, mu afrua e më tha: “Zotni mësues, këta nxënësit e tu gati të gjithë janë fëmijë pa prindër.– Si është e mundur? – Ashtu de! Janë fëmijë jetimë, më tha më zë të dhimbshëm dhe më nguli një shikim zhdrivilluas.

Mandej mësova për 92 martirët e Seukut në Cerevajkë të Karadakut të Preshevës. Kanë kaluar vite e vite nga ajo ngjarje… Gjithnjë më rrinë parasysh ato pamje. Kjo histori e fëmijëve jetimë, etërit e të cilëve ishin vrarë në Luftë e pas luftës së Dytë (1941-45) më ka përcjell vazhdimisht në jetë. Në Ceravajkë mësonin fëmijët e katundeve Depcë, Sefer, Lezbali, Nezaj, Gruhal, Stanec, Buhiq, Ilicë, Magjere, Renatoc, Gosponicë, Garje, Bukoc.

 

Pamja e dytë: – Në fund vitet tetëdhjetë u larguan dhunshëm librat e Ismail Kadaresë dhe të disa shkrimtarëve të tjerë nga bibliotekat e shkollave të Preshevës. E dini si e pse? Iu pengonin regjimit serb, si u pengon edhe sot, rimëkëmbja e arsimit dhe kulturës shqiptare. Pastaj i kurdisen skandalet për të ndërruar emrin e Gjimnazit “Skënderbeu”. I vriste shpata e tij . Ia kishin friken. U Thashë njerëzve të mi, miseve e shumëkujt: -Çka të bëjmë o burra?

Bisedonim ne që na digjte në shpirt ndërrimi i emrit të shkollës dhe zhdukja e veprave të Kadaresë. Nuk ishte puna vetëm te Kadareja, por frika e tyre (regjimit serb) ishte se në Kosovën lindore po ringjallej shpirti i lirisë, i arsimit e kulturës. Për ne ishte ky një cungim, këputje e ngulfatej e frymës  së idealeve kombëtare.

Ne u organizuam, i rikthyem librat e Kadaresë, dhe të rilindësve të tjerë shqiptarë. Kudo që i gjenim nëpër Kosovë e në ndonjë librari të skajshme në Maqedoni i sillnim në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Bile edhe nëpër katunde. Ndoshta më shumë nëpër shkollat e katundeve. Kështu, së pari në shpirtrat tanë, dhe në shtëpitë tona po rikthenim Skënderbeun dhe Kadarenë.

Tek fëmijët e mi, që janë të gjithë të arsimuar, si dhe rrum tridhjetë e tetë vjet(38) sa punova me nxënës këtë frymë e ideal kam përçuar.

Djalit tim, Bardhylit, i qoftë fal e hallall mundi im si  prind dhe i gjithë Familjes sonë.

Shënim

Bashkëbisedimi me Bejtullah Osmanin është bërë në Preshevë në shtator 2001, një fragment është botuar në Jetë e mendësi shqiptare (Sabri Beqiri), Botoi Design House 2008, faqe 223

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori skocez, Gerard Butler, thuhet se zemrën e tij e…