Si e njoha burrin fisnik, Qazim Zymberi

16 dhjetor 2021 | 11:57

Nga Gani Morina:

Në vend të Përkujtimit;

Si e njoha burrin fisnik, Qazim Zymberi!

Zymtësinë e atyre viteve të rënda, në një farë mënyre, e rivalizonin vetëm nxënësit e studentët, shkolla, paçka që jashtë objekteve. Në fakt, Ne rivalizonim pushtimin….

Në shkollën e mesme medicinale “ Luciano Motroni” në Prizren, vijonim mësimet me vullnet të madh, një pasion e etje për dije, vinte e na përcillte si një mision që suksesi duhej arrirë, përkundër pengesave, që ishin bërë aleat me armikun.

Edhe profesorët jepnin maksimumin, siç edhe kërkonin…

Në mesin e shumë shokëve, njoha edhe Dukagjin Zymberin, nga fshati Ruhot i Pejës.

Fillimisht, ne u ofruam si njerëz të “anës tonë”….e më vonë derisa, flisnim edhe për zhvillimet politike, Dukagjini më rrëfeu se si axhën e tij Hamitin, e kishte të plagosur në Demonstrata…..edhe unë i rrëfeja gjëra nga jeta ime…..edhe për plagën time të zemrës, vrasjen e vëllaut Hakiut, por e luta që të mos i tregoj askujt në klasë se , mund të më duan për dhembje, e ajo më mbyste …..e fshihja atë dhembje, duke u shfaqur tejet i hareshëm në klasë.

Udhëtonim pothuajse çdo javë…Në “shinobus” përpos qytetarëve, një pjesë e madhe ishim nxënës, mbase edhe ndonjë student i SHL.

Zakonisht, me ndonjë përjashtim, dy milicë e shoqëronin udhëtimin….shpesh na legjitimonin si një mënyrë presioni,si për të treguar prezencën e njëfarë pushteti të pushtuesit.

Por, Ne shpesh i sfidonim duke kënduar si grup shokësh, dihej me inat e për inat të armikut, pa përjashtuar edhe dëshirën për argëtim që na ishte mohuar e pamundësuar….

Kur ja merrnim këngës “Oj, Shqipni moj rreze Dielli, e kush të ka dasht, kush të ka dasht, si bac Enveri….

Vërtet , zemra mal na bëhej jo, vetëm Ne, po edhe popullit, që udhëtonte me tren…kjo zakonisht ndodhte fundjavave kur, Ne vinim e ktheheshim …!

Rrezet e diellit të atij marsi të hershëm na kënaqnin mua e Dugin, derisa rrapëllima e lëkundjet e “shinobusit” sikur na përkundnin….ishim të gëzuar, si fëmijë të përmalluar për familjen….

Në stacionin e Volljakut, një ekspeditë policore, me shpejtësi rrethoi “shinobusin” u futën brenda, me tyta automatikësh i rrëzuan çantat tona, dhe mua e Dugit na thanë “izagji van”.

Nuk i kuptuam, na shtyn me tyta dhe na zbritën poshtë…filluan të na goditnin fillimisht mua, me ata “pendrekët” e gjatë, por unë nga instikti e dhimbja, jo nga trimëria, fillova të “mbrohem”, meqë më synonte kokën, unë vëja dorën. “Lësho dorën poshtë”, klithte milici disa herë, derisa erdhën të gjithë dhe filluan të më rrihnin, duke më rrëzuar përtokë…

“Shinobusi” u nis , por e kthyen, dhe më  futën brenda, në shkallë….e mora pak veten dhe, po kërkoja me sy Dugin. Atë , e kishin ndal në stacion.

Me të mbërritur në shpi, i thash vëllaut Bedriut, që të shkoj në Ruhot, të marr vesh për Dugin, ose ti lajmëroi familjen për ngjarjen.

Dugin e kishin lëshuar, pasi e kishin maltretuar, derisa ai ishte ndalur tek dajat e tij në Leshan.

Bedriu, kur shkon në Ruhot, e takon babain e Dugit, Qazim Zymberin, të cilit i tregon për ngjarjen….Bedriu ishte mahnitur me mikpritjen e qëndrimin e bacës Qazim.

Ai ish burrë, e burrnisht e përballojë, më tha Bedriu.

Derisa Ne, tërë familja u pllakosëm nga brenga për fatin e Dugit, të nesërmen në mëngjes në familjen tonë erdhe baca Qazim, i qetë e tërë fisnikëri….Erdha, tha të iu tregoj se Dugi është në shpi…Erdha se e pash e dija se do brengoseni ……

U kënaqem atë ditë, me atë njeri që peshonte fjalën.

Me Dugin, vazhduam temat e “nxehta” të organizimit ilegal, flisnim për luftën. Ai, për këtë çështje, më thoshte, fletë gjithmonë edhe daja  Gani, nga Leshani….., i cili pasi erdhi nga kurbeti, erdhi në Familjen tonë, për tu takuar me vëllain Lutfiun, i cili veç kishte themeluar celulat e para të UÇK-së.

Ndërsa unë, sa herë shkoja në Ruhot, ose takonim bacën Qazim, më mahniste maturia e tij, bujaria, korrektësia e porosit e tij…..ishte njeri në kuptimin e plotë të fjalës, njeri i jashtëzakonshëm…

I lakmoja Dugagjinit se e ka babain, dhe ma kujtonte babain tim të ndjerë!

QOFTË I PËRJETSHËM KUJTIMI PËR QAZIM ZYMBERIN, BURRIN ME VIRTYTE, QË KËTË FUNDVIT KALOI NË AMSHIM !

PUSHOFSH NË PAQEN E PARAJSËS QAZIM ZYMBERI !

GM.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të lejojë…