Si e përjetoi Shqipëria ditën kur vdiq Enver Hoxha, rrëfimi i Teutës, nusës së djalit
Duke gdhirë mëngjesi i 11 prillit të vitit 1985, Sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, praktikisht numri një i shtetit shqiptar, ndërroi jetë në shtëpinë e tij, pas një vdekjeje klinike që kishte pësuar mëngjesin e 9 prillit.
Teuta Hoxha, bashkëshorte e Ilir Hoxhës, njërit prej dy djemve të Enver Hoxhës, ka sjellë në këtë dossier që risjell sot noa.al në kuadrin e 39 vjetorit të vdekjes së Envetit, pasazhe nga atmosfera e atyre orëve kur u mësua ikja nga kjo botë e Enver Hoxhës.
“Pavarësisht që me ndryshimin e sistemit, u hodh shumë baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, unë përsëri kam bindjen, se kanë qenë lot të sinqertë”, – thotë Teuta Hoxha.
Duke folur mbi kujtimet e saj për atë që ndodhi 32 vjet më parë, Teuta ka treguar se kur dhe si u përkeqësua gjendja shëndetësore e Enver Hoxhës:
“Ato dy ditë që Enveri ra në gjendje kome kanë qenë ditë ankthi për të gjithë ne. Ishin ditë të një pështjellimi të madh. Të dërmuar në shpirt, prisnim me ankthin e shpresës, nga çasti në çast që gjendje e tij të kthente, por çdo minutë që kalonte ishte një minus për shpresat tona. Më kujtohet që në datën 9 afër mbrëmjes pati një përmirësim, që na bëri të gëzoheshim dhe të përqafoheshim me njëri-tjetrin pot nuk zgjati shumë pasi gjendja përsëri u përkeqësua sërish”.
Duke përmendur me detaje mënyrën si u përjetua plot dhimbje vdekja e Hoxhës, Teuta thekson se “të gjitha këto janë dëshmi që Enver Hoxhën, sado të mundohen nuk mund ta shuajnë kurrë nga historia”.
Kurse ka shtuar: “Ashtu si ka thёnё profesori i nderuar Aleks Buda: “Enver Hoxha u rrit e u lartësua si pjellë e një historie të hidhur, të ashpër, sa dhe të lavdishme, shumëshekullore të një populli të vogël; me të u rrit dhe u lartësua edhe Shqipëria jonë socialiste dhe kombi ynë shqiptar, për t’u qëndruar për jetë e mot stuhive të kohës, shekujve të historisë…”.
Ajo, sё cilёs ne i trembeshim aq shumë, ndodhi më të hyrë të 11 prillit në ora 02 e10’, kur zemra e tij pushoi së rrahuri. Është e vështirë të përshkruash tronditjen që pësoi gjithsecili prej nesh. Nexhmija e pёrjetoi shumё, shumё rёndё. Mё kujtohet qё nuk qёndronte dot nё kёmbё. E ulur nё njё karrige, rrinte me sytё mbyllur dhe Kostandina e mbante me kompresa nё ballё e nё qafё. Nuk qante, mёrmёriste fjalё me vete, dhe vetёm emri Enver kuptohej kur e shqiptonte. Shpirtin ia mundonte dhimbja e patreguar…
Ishte njё humbje e pazёvёndёsueshme. Ajo humbi shokun e jetёs, burrin e shtёpisё, ne humbëm njeriun e dashur, babain, gjyshin e fëmijëve, ndaj dhimbja ishte shumё e madhe. Mua m’u duk se kishte ndodhur njё gjё e tmerrshme, pasi ishte vdekja e parë që e pёrjetoja kaq afёr. Nё atё gjendje nuk e përfytyroja dot se si mund të ikte pa kthim nga shtёpia një nga njerëzit e tu tё dashur. Më ka mbetur akoma në sy imazhi kur babai doli për herë të fundit nga shtëpia, por këtë herë në arkëmort për të mos u kthyer kurrë më. Paskëtaj, Ai do ti përkiste gjithë popullit, ne nuk do të mund ta qanim e ta përcillnim siç bëjnë të gjithë. Më kujtohet kur bënim homazhe pranë trupit të tij në Presidiumin e Kuvendit Popullor, ndjeja një ftohtësi, diçka që më largonte dhe m’i thante lotët. Atëherë unë kuptoja që kishim humbur edhe Udhëheqësin. Pra këto janë përjetime që unë, edhe sot, pas kaq vitesh, i kujtoj me dhimbje.
Tashmë janë të njohura për publikun filmimet dhe fotografitë e shumta të ditëve të zisë kombëtare, ku janë fiksuar në celuloid, aq shumë lot dhe dhimbje. Për ne familjarët,kuptohet që ishte një ngushëllim i madh, pjesëmarrja e mijëra-mijëra vetë në këtë mort kombëtar. Dhimbja e njerëzve ishte e papërshkruar. Më kujtohet që në disa raste u detyruam ne pjesëtarët e familjes të mund të ngushëllonim dhe të qetësonim njerëzit në hidhërimin e madh që i kishte pushtuar. Pavarësisht që me ndryshimin e sistemit, u hodh shumë baltë mbi figurën e Enver Hoxhës, unë përsëri kam bindjen, se kanë qenë lot të sinqertë. Vargani i pambarim, vaji dhe dhimbja ishin nga njerëzit e popullit, të cilët kishin humbur Udhëheqësin e tyre. Enver Hoxha ishte dhe do të mbetet në kujtesën historike Bir i Vegjëlisë. Prandaj sot, kur rishoh në televizor ceremonitë, më vinë ndër mend, fjalët e presidentit Abraham Linkoln që thotë: “Mund të mashtrosh një pjesë të popullit përgjithmonë, mund të mashtrosh edhe të gjithë popullin për një farë kohe, por nuk mund të mashtrosh të gjithë popullin për gjithë kohën”.
Kur kujtoj ato ditë, nuk di të veçoj se kush kanë qenë emocionet më të mëdha. Çdo ditë, çdo orë e minutë ishte emocion më vete. Ndarja ditën e fundit padyshim që kishte peshën më të rëndë. Nuk jam në gjendje të flas për atë ditë. Unë vetëm mund të them, që Enver Hoxhën më shumë se dheu, e mbuloi dhimbja popullore.
Ceremoninë e përshkruan bukur, antifashisti i madh grek, mik i Enver Hoxhës, Manolis Glezias, pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit: “Ishte një ceremoni tepër e thjeshtë, por madhështore, dhe nuk kishte aspak karakterin e një ceremonie të stisur, ishte jashtëzakonisht prekëse dhe pa iu shmangur zakoneve të popullit shqiptar”.
Pjesëmarrja e popullit ishte shumë e madhe. Në sheshin ku mbajti fjalimin Ramiz Alia ishin grumbulluar me mijëra njerëz nën shiun e vazhdueshëm që binte. Hidhërimi i madh i njerëzve dukej hapur. Ata shprehnin dhimbjen e tyre, pasi Enver Hoxha ishte për shqiptarët vazhduesi i traditave të pavarësisë.
Pas varrimit, ne hapёm shtёpinё, siҫ bёjnё tё gjitha familjet shqiptare, pёr tё pritur ngushёllime. Mё kujtohet qё erdhёn qindra e qindra njerёz. Njerёzit prisnin nё radhё tё gjatё. Pёr njё javё rresht, vizitat fillonin nё mёngjes dhe mbylleshin afёr orёs 8 tё mbrёmjes. Vizitat vazhduan dhe mё pas, por jo me intensitetin e ditёve tё para.
Shumë telegrame nga kryetarë shtetesh
“Ato ditё mё kujtohet qё nga personalitetet më të larta të 100 e ca shteteve, nga të pesë kontinentet, me të cilët kishim marrëdhënie diplomatike, ngushëllonin zyrtarët tanë, disa edhe familjen. Dua të përmend telegramin e ngushëllimit të Presidentit të Republikës Franceze, Fransua Miteran, që shkruante: “Shoku Enver Hoxha-personalitet i fuqishëm që ka vulën në historinë e Shqipërisë”. Ose Presidentin e Republikës Turke, Kenan Evren:-“Shoku Enver Hoxha-burrë shteti i madh i vlerësuar nga mbarë bota”. Kancelari Federal i Republikës së Austrisë shkruante: “Shqipëria humbi një personalitet që ka hyrë në Historinë e Europës”.
Telegrame erdhën dhe nga shumë personalitete të tjerë si, Xhulio Andreoti, Karolos Papulias, Roland Dyma e shumë të tjerë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në mbledhjen e saj të radhës mbajti një minutë heshtje për humbjen e Enver Hoxhës.
Gazeta të shumta të vendeve të ndryshme, agjenci lajmesh, radioja dhe televizioni i tyre, jepnin vazhdimisht, edhe pas ditëve të zisë, artikuj lidhur me vdekjen e Enver Hoxhës.