Si e pësoi natyra nga lufta në Ukrainë

13 mars 2023 | 08:09

Toka të djegura. Lumenj të ndotur. Fshatra të vërshuar dhe kratere të hapura.

Një vit pas nisjes së luftë së Rusisë në Ukrainë, shteti i dytë më i madh në Evropë përballet me dëme të ambientit – të shkaktuara nga lufta – në vlerë të 47 miliardë dollarëve, vlerëson Inspektorati shtetëror ukrainas për Ambientin.

Megjithatë, edhe ky vlerësim është vetëm i përkohshëm.

Teksa trupat ushtarake ruse ende pushtojnë pjesërisht apo plotësisht pesë rajonet ukrainase – Krime, Herson, Zaporizhja, Donjeck dhe Luhansk – shkencëtarët ukrainas, specialistët për mbrojtjen e ambientit dhe inspektorët shtetërorë, nuk mund të udhëtojnë lirshëm në territorin ukrainas për të vlerësuar dëmet në ambient.

Për një vlerësim më specifik, Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë, u ka treguar ekspertëve ukrainas për ambientin, disa fotografi –të siguruara nga kompania amerikane Planet Labs – të tetë zonave në Ukrainë, para se pas nisjes së luftimeve në mes të forcave ruse dhe atyre ukrainase.

Lviv: Depoja e naftës

Raketat ruse kanë goditur Lvivin më 26 mars 2022, një prej sulmeve të para të Moskës në këtë qytet perëndimor të Ukrainës.

Bombardimet e kanë shkatërruar një depo të naftës, duke i dëmtuar edhe tanket e rezervuarit, çka ka rezultuar me zjarr. Inspektorati shtetëror ukrainas për Ambientin nuk ka arritur të vlerësojë volumin e saktë të rrjedhjeve.

Në fotografinë më poshtë, të siguruar nga ky Inspektorat, shihet një rrjedhje në depo.

Rrjedhjet në depon e naftës në Lviv.
Rrjedhjet në depon e naftës në Lviv.

Inspektorati shtetëror i konsideron pasojat e sulmeve në këto ambiente si ndër më të rrezikshmet për ambientin. Rrjedhjet e naftës që prekin tokën dhe ujin, mund të vrasin pothuajse të gjithë organizmat me të cilat bien në kontakt.

Depoja e naftës në Lviv, 17 mars 2022
Depoja e naftës në Lviv, 17 mars 2022
Depoja e njëjtë më 5 maj 2022.
Depoja e njëjtë më 5 maj 2022.

Kur punëtorët e Inspektoratit shtetëror e kanë vizituar depon e naftës në Lviv, ata kanë gjetur krimba të tokës mbi sipërfaqen e rrjedhjeve të naftës.

Krimbat e tokës rrisin pjellorinë e tokës duke kontribuar me oksigjen, lëndë ushqyese të ndryshme dhe duke pastruar hapësirën për rritjen e rrënjëve.

Krimba tw ngordhur te depoja e naftës në Lviv.
Krimba të ngordhur te depoja e naftës në Lviv.

Rajoni i Kievit: Diga e lumit Irpin
Në mes të marsit vitit 2022, forcat e armatosura ukrainase kanë shkatërruar një digë të lumit Irpin, për të penguar avancimin e forcave ruse drejt kryeqytetit ukrainas, Kievit.

Inxhinierët e ujit kanë vlerësuar si “ta bëjnë tokën të pakalueshme, por pa vërshuar të gjitha fshatrat”, ka thënë John Spencer, kolonel i pensionuar amerikan, i cili udhëheq Departamentin për kërkime rreth luftës në Institutin West Point, në një artikull të publikuar më 1 korrik 2022. Duke përdorur imazhet satelitore, Shërbimi ukrainas i REL-it e ka kalkuluar se uji që ka dalë nga shkatërrimi i digës, është përhapur në një territor prej 25 kilometrash katrorë – një zonë dy herë më e madhe sesa ajo e qytetit Vishhorod, në të cilën kanë banuar 33.100 banorë deri në janar të vitit 2022.

Lumi Irpin, 28 shkurt 2022.
Lumi Irpin, 28 shkurt 2022.
Lumi Irpin 5 mars 2022
Lumi Irpin 5 mars 2022

Si pasojë e vërshimeve janë prekur shtatë fshatra në rajonin e Kievit – Demidiv, Kozaroviçi, Çervone, Huta-Mezhihirska, Horenka dhe Moshçuni – si dhe janë shkatërruar edhe pesticidet dhe kimikatet e pajisjet tjera bujqësore.

Sipas Inspektoratit shtetëror ukrainas, në pikun e përhapjes, zona e vërshuar ka arritur në 46 kilometra katrorë.

Ndonëse vërshimet mund ta kenë “ndotur shumë” lumin Irpin me kimikate të ndryshme, zëvendësdrejtori i Institutit shtetëror për Ambient Andriy Vahin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në të dhënat qeveritare nuk përmendet diçka e tillë.

Ai nuk i ka përmendur arsyet potenciale për këtë gjë.

Rajoni i Harkivit: Pylli Izjum

Varrezat masive në pyjet e Izjumit janë dëshmi për brutalitetin e forcave ruse në periudhën prill-shtator 2022, në këtë qytet që dikur i ka pasur 46.000 banorë.

Mirëpo edhe vetë pyjet e kanë vuajtur luftën.

Ukrainasit u referohen kolektivisht pyjeve, duke përfshirë një park kombëtar dhe një zonë pyjore në qytet.

Zjarret verore, që janë nxitur nga luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase, kanë djegur 70 për qind të 53.000 hektarëve me pyje që gjenden në Izjum, ka thënë Oleksandr Lysenko, zëvendësdrejtor i Departamentit për Pyje dhe Gjueti në rajonin e Harkivit, në disa prononcime për media në nëntor të vitit 2022.

Imazhet satelitore kanë treguar se dëmet ambientale, si pasojë e luftimeve, kanë qenë “të mëdha”, ka thënë Vahin, pa ofruar hollësi shtesë.

Agjencia ende nuk ka pasur qasje të plotë në pyje për të bërë vlerësime të sakta, sepse forcat ruse kontrollojnë disa pozicione, derisa për pjesët tjera ka shqetësime për prani të minave.

Dëmi, megjithatë, është përtej vetë drunjve, ka thënë Hanna Dobchenko, menaxhere e projekteve për pyjet në organizatën ndërkombëtare për ambient, WWF-Ukraine.

Përveç humbjes së kafshëve dhe bimëve, dëmet në tokë dhe ajër ndikojnë në rritje të lirimit të dioksidit të karbonit, çka, “përshpejton ndryshimet e vazhdueshme klimatike”, ka thënë ajo.

Rikuperimi nga kjo humbje nuk mund jetë i shpejtë.

“Duhet ta kuptoni që drunjtë që janë djegur aty kanë qenë, mesatarisht, 30 deri në 40 vjet të vjetër”, ka thënë Vahin.

“Ky nuk është plantacion, por pyll, dhe do të duhen dekada për përmirësim të situatës në të”.

Pyjet në Izjum, 28 korrik 2021
Pyjet në Izjum, 28 korrik 2021
Pyjet në Izjum, 6 korrik 2022
Pyjet në Izjum, 6 korrik 2022

Rajoni i Mikollaivit: Gadishulli Kinburn

Para shkurtit të vitit 2022, Gadishulli Kinburn, një kënd strategjik në mes të Detit të Zi dhe grykëderdhjes Dnjepër-Buh, është njohur për më shumë se 60 hektarët me orhide të kuqe, për liqenet dhe miliona zogj.

Prej nisjes së luftës, sulmet e vazhdueshme ia kanë transformuar identitetin.

Në qershor të vitit 2022, forcat ruse kanë fituar kontrollin e Kinburnit, një territor në mes të Detit të Zi dhe lumit Dnjepër.

Prej atëherë, zjarret e shpeshta kanë prekur gjithë rajonin.

Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë ka raportuar se brigada ruse e ashtuquajtur Don Cossacks e ka bombarduar qytezën ukrainase Oçakiv dhe zonat tjera që janë në afërsi të Kinburnit.

Pamjet satelitore kanë treguat zonat e djegura në gati gjithë gadishullin.

Rajoni i Mikollaivit: Gadishulli Kinburn, 30 korrik 2021
Rajoni i Mikollaivit: Gadishulli Kinburn, 30 korrik 2021
Rajoni i Mikollaivit: Gadishulli Kinburn, 31 korrik 2022
Rajoni i Mikollaivit: Gadishulli Kinburn, 31 korrik 2022

Tani për tani, pa qasje në gadishull, apo në zonat e mbrojtura, hulumtuesit “nuk mund të mbledhin të dhëna të sakta”, për të kuptuar se cilat rajone janë shkatërruar më shumë, ka thënë menaxherja e WWF-Ukraine, Olesya Petrovych.

Rajoni Zaporizhja: Centrali bërthamor Zaporizhja

Zjarret rreth centralit më të madh bërthamor në rajonin ukrainas të Zaporizhjas, në gusht të vitit 2022, kanë vënë më së shumti në pah kërcënimet ndërkombëtare për ambientin.

Zona e centralit bërthamor në Zaporizhja, 21 gusht 2022.
Zona e centralit bërthamor në Zaporizhja, 21 gusht 2022.
Zona e centralit bërthamor në Zaporizhja, 24 gusht 2022.
Zona e centralit bërthamor në Zaporizhja, 24 gusht 2022.

Si pasojë e bombardimeve ruse të atij muaji rreth centralit bërthamor të Zaporizhjas, kompania shtetërore e energjisë në Ukrainë, Enerhoatom, i ka çaktivizuar dy reaktorët e vetëm funksionalë, për të shmangur një katastrofë bërthamore.

Ndonëse reaktorët janë aktivizuar ndërkohë, ky central bërthamor, që tani kontrollohet nga forcat ruse, nuk prodhon më rrymë.

Megjithatë, ende ka rreziqe për granatime.

Më 24 janar 2023, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi, i ka thënë Parlamentit Evropian se ai, bashkë me ekspertë tjerë të agjencisë, e kanë vizituar centralin në Zaporizhja, dhe ka bërë thirrje për krijimin e një zonr të sigurt rreth objektit.

“Nuk e di për sa kohë do të jemi me fat në shmangien e një aksidenti bërthamor”, ka thënë ai.

Si, Ukraina, ashtu edhe Rusia, e kanë mbështetur propozimin e Grossit për krijimin e një zonë të sigurt rreth centralit, për të zvogëluar rrezikun e një aksidenti të tillë.

Rajoni i Hersonit: Fushat bujqësore

Trupat ushtarake ruse kanë avancuar në rajonin ukrainas të Hersonit më 2022, duke djegur shumë toka bujqësore, të mbjella me drithëra dhe fara luledielli.

Një zjarrfikës duke shuar zjarrin në një fushë të mbjellë në rajonin e Hersonit. 18 korrik 2022
Një zjarrfikës duke shuar zjarrin në një fushë të mbjellë në rajonin e Hersonit. 18 korrik 2022

Ministria për Politika Ushqimore dhe Shkolla e Kievit për Ekonomi, vlerësojnë se deri në nëntor të vitit 2022, lufta ka shkaktuar dëme në vlerë të 34 miliardë dollarëve për sektorin e bujqësisë në Ukrainë.

Para luftës, Ukraina është njohur si një prej vendeve më të mëdha eksportuese të drithit dhe nënprodukteve të tij.

Humbjet përfshijnë tokat e djegura bujqësore dhe humbjen e të ardhurave nga shitjet.

Shërbimi ukrainas i REL-it, i ka krahasuar imazhet satelitore të rajonit të Hersonit përkatësisht të verës së vitit 2021 me ato të vitit 2022. Fotografia e dytë tregon dëmet e shkaktuara nga zjarret e vazhdueshme. Pjesët e zeza janë tokat e djegura.

Tokat bujqësore në Herson. 28 korrik 2021
Tokat bujqësore në Herson. 28 korrik 2021
Tokat bujqësore në Herson. 14 korrik 2022
Tokat bujqësore në Herson. 14 korrik 2022

Qendrat e goditura nga artileria

Krateret e formuara nga goditjet e artilerisë përbëjnë problem në ardhje për ambientin e Ukrainës, kanë paralajmëruar ekspertët e kësaj fushe.

Kur shpërthen një predhë dhe krijon një krater, lëndët ndotëse depërtojnë në tokë dhe në ujërat tokësorë.

Ekspertët ushtarakë perëndimorë vlerësojnë se ukrainasit kanë shumë më pak predha dhe raketa sesa rusët.

Imazhet satelitore kanë treguar zona më pak të dendura me kratere afër pozicioneve ushtarake ruse, në krahasim me pozicionet ushtarake ukrainase.

Për të adresuar dëmin, Inspektorati shtetëror për Ambient, duhet të ketë informacion për kimikatet e përdorura në raketat më moderne ruse, si dhe për pajisje të duhura laboratorike për t’i analizuar ato, ka thënë zëvendësdrejtori i Inspektoratit, Vahin.

“Shembull, ne e analizojmë raketën [ruse] Kh-101, që nuk ka shpërthyer, por që ka sasi kimikatesh”, ka thënë Vahin.

“Aty nuk është gjetur naftë, mirëpo aty janë identifikuar substanca tjera si decilen. Ne as nuk kemi laboratorë që testojmë substanca të tilla”.

Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, ka thënë se disa përzierje substancash janë të barabarta me “bomba toksike”.

Kur këto substanca të depërtojnë në ujë, ato lirojnë sasi të mëdha të acidit toksik nitrik.

Decileni është njëri prej tyre, i cili, sipas ekspertëve është “tejet armiqësor”.

Nisur prej majtas: Qyteti i Limanit, 25 maj 2022, qyteti i Sllovianskut, 6 qershor 2022, qyteti i Bahmutit, 7 janar 2023, fshati Pavlivka, 10 shkurt 2023
Nisur prej majtas: Qyteti i Limanit, 25 maj 2022, qyteti i Sllovianskut, 6 qershor 2022, qyteti i Bahmutit, 7 janar 2023, fshati Pavlivka, 10 shkurt 2023

Fortifikimet

“Dhëmbët e dragoit” të Rusisë – pengesa trekëndore antitank, të bëra prej betoni të përforcuar – datojnë prej Luftës së Dytë Botërore.

Forcat ruse tani i përdorin këto pajisje për të penguar lëvizjet e pajisjeve të lehta ukrainase.

Fortifikime të tilla, që nuk mund të lëvizen lehtë, janë parë në të katër rajonet ukrainase që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse: Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja.

Pamjet satelitore të Planet Labs shfaqin një grupim të këtyre strukturave afër fshatit Baranikivka që gjendet në rajonin Luhansk, apo rreth 100 kilometra lindje të qytetit Izjum, që kontrollohet nga ukrainasit.

Fshati Barankivka në rajonin e Luhanskut, 4 dhjetor 2022.
Fshati Barankivka në rajonin e Luhanskut, 4 dhjetor 2022.
Fshati Barankivka në rajonin e Luhanskut, 27 janar 2023.
Fshati Barankivka në rajonin e Luhanskut, 27 janar 2023.

Duke kujtuar se këto struktura janë përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, Vajin ka thënë se lëvizja e “dhëmbëve të dragoit” mund të mos jetë ekonomikisht e lehtë pas përfundimit të luftës./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i KFOR-it në Kosovë do të zhvillojë një stërvitje…