Si e plagosi polici aksidentalisht tezakun 16-vjeçar?
Në muajin prill u diplomua si polic i Kosovës në gjeneratën e 59-të të këtij institucioni.
Mirëpo vetëm pak muaj më pas, polici Fatjon Hoti u suspendua nga kjo pozitë.
Kjo pasi që në orët e para të së martës derisa po përgatitej për punë ai plagosi aksidentalisht tezakun e tij në Dubravë të Istogut.
Viktima 16-vjeçar në orët e mesnatës të së martës fillimisht u dërgua për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.
Por për shkak të lëndimeve të rënda në pjesën e kokës, i njëjti u dërgua për t’iu nënshtruar një operimi në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
E gjatë pasdites, nga Shërbimi Spitalor dolën me një komunikatë, ku njoftuan për gjendjen e të miturit.
“QKUK, ju konfirmon se një 16 vjeçar ka ardhur në Klinikën Emergjente, si pasojë e plagosjes me armë zjarri. Të njëjtit i është ofruar fillimisht ndihma emergjente mjekësore, i janë bërë ekzaminimet diagnostike dhe në konsultim me mjekun neurokirug dhe anesteziologu, është futur në sallë të operacionit. Pas operacionit, pacienti është transferuar në Mjekim Intensiv në Klinikën e Pediatrisë!”, thuhet në komunikatë.
Derisa për këtë rast janë njoftuar edhe organet e sigurisë por edhe ato mbikëqyrëse të Policisë së Kosovës.
Nga Inspektorati Policor kanë treguar se hetimet fillestare tregojnë se dyshohet se është shkrepur aksidentalisht arma.
“Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar. Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare”, thonë nga inspektorati.
Po ashtu, IPK ka bërë të ditur se tashmë zyrtari policor është suspenduar nga puna dhe të njëjtit i është caktuar ndalimi prej 48-orësh.