Si e rrezikon shëndetin i nxehti ekstrem?
Me të nxehtin ekstrem që ka kapluar shumicën e hemisferës veriore gjatë kësaj jave, autoritetet dhe ekspertët e shëndetit publik kanë lëshuar paralajmërime për të nxehtët, në mënyrë që njerëzit të jenë të sigurt.
Pjesë të Kinës, Indisë, Lindjes së Mesme, jugut të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara po përballen me mundësinë që të shënojnë nivele të reja rekorde të temperaturave.
Cilat janë rreziqet shëndetësore?
I nxehti ndikon në shëndet në disa mënyra.
Lodhja nga temperaturat e larta, përfshirë marramendjen, kokëdhimbjen, dridhjen e trupit dhe etjen, mund të prekin këdo dhe zakonisht këto simptoma nuk janë serioze nëse një person freskohet brenda 30 minutash.
Një gjendje më serioze shëndetësore është një sulm nga të nxehtët. Kjo nënkupton se temperatura trupore e një personi shkon mbi 40.6 gradë Celsius. Një gjendje e tillë konsiderohet emergjencë mjekësore dhe mund të shkaktojë dëme afatgjata në organe dhe vdekje. Simptomat përfshijnë frymëmarrje të përshpejtuar, hutim apo konvulsione dhe të vjella.
Përderisa ndryshimet klimatike në vitet e ardhshme do të vazhdojnë të rrisin temperaturat, rreziku i lagështisë po ashtu pritet të rritet. Ajri më i nxehtë mund të mbajë më shumë lagështi. Dhe më shumë lagështi në ajër ua bënë më të vështirë njerëzve që të djersiten, në mënyrë që të ulin temperaturën e trupit.
Kush është në rrezik?
Disa njerëz janë më të cenueshëm, përfshirë foshnjat dhe të moshuarit, por edhe personat që duhet të jenë aktivë apo që janë më të ekspozuar ndaj temperaturave të larta, sikurse janë të pastrehët.
Sëmundjet paraprake, përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare, por edhe diabeti, po ashtu mund të rrisin rrezikun dhe të përkeqësohen si pasojë e të nxehtit.
Shumë shtete nuk e regjistrojnë të nxehtin si arsye specifike e vdekjes, që nënkupton se nuk ka statistika për rrezikun e temperaturave të larta te këto komunitete.
Megjithatë, një studim i The Lancet i vitit 2021 vlerësoi se më pak se gjysmë milion vdekje mund t’i atribuohen temperaturave të larta çdo vit – një llogaritje konservatore që nuk përfshin të dhëna nga shumë shtete me të ardhura të ulëta.
Shumë në Evropë kanë frikë se do të përsëritet vera e vitit 2022, gjatë së cilës valët e të nxehtit vranë 61.000 persona, thanë shkencëtarët.
Rreziku do të vazhdojë të rritet pasi ndryshimet klimatike në dekadat në vijim pritet të rrisin edhe më shumë temperaturat.
Rreziqet më pak të dukshme
Përveç testimit të temperaturës së brendshme të trupit, i nxehti ekstrem mund të paraqesë edhe rreziqe të tjera sekondare.
Temperaturat më të nxehta inkurajojnë rritjen e baktereve dhe algave. Prandaj, valët e të nxehtit mund të rrisin rrezikun e kontaminimit të ujit me sëmundje sikurse kolera apo që mjediset ujore të ngufaten nga algat toksike.
I nxehti po ashtu mund të dëmtojë të mbjellat, duke rritur shqetësimet lidhur me sigurinë ushqimore.
Duke nisur nga viti 2030, ekspertët presin që numri i vdekjeve në botë do të rritet nga 250.000 në vit si rezultat i katër rreziqeve shëndetësore që lidhen me klimën: stresi nga të nxehtët, kequshqyerja e lidhur me pasigurinë ushqimore, malaria dhe diarreja, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Zjarret e nxitura nga pemët dhe shkurret e thara mund të çojnë në nivele të rrezikshme të ndotjes së ajrit, e cila më pas mund të shkaktojë inflamacion në mushkri dhe dëme të tjera shëndetësore.
Studimet po ashtu kanë sugjeruar se i nxehti ekstrem, por edhe ekspozimi ndaj tymit të zjarreve mund të jenë të lidhura me lindjet e foshnjave me nënpeshë dhe para kohe.
Stresi nga të nxehtët po ashtu mund të kontribuojë në përkeqësim të shëndetit mendor. Rritja e temperaturave gjatë natës mund të shkaktojë telashe me gjumin, duke përkeqësuar shëndetin mendor.
Koha ka rëndësi
Ekspertët thonë se më shumë vdekje ndodhin në fillim të verës kur trupat e njerëzve nuk kanë shans të ambientohen me sezonin.
Edhe vendndodhja ka rëndësi. Njerëzit përballen me rrezik më të lartë nëse jetojnë në vende ku nuk janë mësuar me të nxehtë ekstrem. Këtu përfshihen edhe pjesë të Evropës.
Teksa puna në ambiente të jashtme bëhet e rrezikshme për shkak të temperaturave të larta, disa shteteve dhe komunitete kanë mbyllur shkollat apo kanë reduktuar orarin e punës gjatë ditës për bizneset.
Çfarë mund të bëni?
Agjencitë e shëndetit publik nga India dhe SHBA-ja kanë publikuar këshilla për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta, ku përfshihet edhe shmangia e sforcimit dhe pirja e ujit.
Autoritetet shpesh synojnë të ndihmojnë qytetarët duke ngritur qendra për freskim, duke shpërndarë ujë apo duke ofruar qasje në transport publik të pajisur me sistem të kondicionimit të ajrit.
Punëtorët duhet të bëjnë më shumë pauza apo të ndërrojnë rrobat, thanë shkencëtarët.
Sipas tyre, është e rëndësishme që të shtohet kujdesi ndaj grupeve të cenueshme, sikurse janë të moshuarit.
Sulmi nga i nxehtët është emergjencë shëndetësore dhe kërkon trajtim të menjëhershëm profesional./REL