Si funksionoi zingjiri i ryshfetit tek “Subvencionet 2021″
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca lidhur me kërkesën e prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 të dyshuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 2021”.
Të dyshuar në këtë rast janë Sadat Shkodra, Luan Statovci, Salih Statovci, Hasan Maxharraj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj, Adushe Ukshini, Driton Alaj, Pajtim Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Bajrami-Sejdiu.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën për masë të paraburgimit, të parashtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Aty thuhet se kërkesa është paraqitur ndaj të gjithë të pandehurve, sepse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit “nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale” Marrja e ryshfetit nga neni 421 paragrafi .1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 të KPRK-së, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafi 2.7 të KPRK-së.
“Në bazë të provave të cilat janë mbledhur në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura dhe janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit dhe plotësohen të gjitha kushtet ligjore të parapara me nenin 187 par. 1.1 sepse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale, po ashtu plotësohen kushtet nga paragrafi 1.2.1, 1.2.2. dhe par. 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, thuhet në kërkesë.
Tutje, thuhet se në bazë të aktvendimeve për fillim të hetimeve dhe aktvendimit për zgjerim të hetimeve, si dhe gjatë zbatimit të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të pandehurit e lartcekur nga veprimet e tyre ka rezultuar se janë duke e keqpërdorur detyrën zyrtare, si dhe ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit në kohë dhe vende të ndryshme kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm dhe kanë dhënë ryshfet, pastaj i kanë ndarë në mes veti dhe për këtë çështje janë të regjistruara të gjitha veprimet e kundërligjshme.
Tutje, thuhet se sipas provave të siguruara gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe aplikimit te masave teknike të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, të pandehurit e lartcekur, në cilësinë e personave zyrtar, Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, në mënyrë direke apo të tërthortë kane kërkuar dhe pranuar përfitim (para) për vete, apo kanë pranuar premtimin për përfitim, në mënyrë që të veprojnë apo të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare ose në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare.
“Konkretisht të pandehurit e lartcekur në mënyrë direkte apo përmes personave të tretë kanë kërkuar ryshfet nga persona të ndryshëm kryesisht fermer në mënyrë që të njëjtit t’ i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve, disa prej të cilëve (fermer) dyshohet se janë futur në listën e përfituesve pa e plotësuar asnjë kriter ligjor, por duke dhënë ryshfet (para) ose anasjelltas disa fermer edhe pse i kanë plotësuar kushtet të njëjtit nuk janë futur në listat e përfituesve pasi që nuk kanë pranuar që të japin ryshfet”, thuhet në këtë kërkesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurorisë, ndaj të pandehurve janë zbatuar masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit dhe atë të pandehurit janë vëzhguar në lokacione të ndryshme, duke u incizuar në vende të ndryshme me audio dhe video dhe të njëjtit janë vëzhguar duke u incizuar dhe fotografuar, janë përgjuar të gjitha mjetet e telekomunikimeve e janë monitoruar bisedat në vende të ndryshme.
Tutje, thuhet se nga audio dhe video incizimet vërtetohet se të pandehurit në lokacione të ndryshme, varësisht nga interesi dhe marrëveshja japin ryshfet, marrin ryshfet dhe pastaj i ndajnë në mes veti sipas marrëveshjes.
“Në mënyrë shumë të qartë parat e marra janë video incizuar duke iu dorëzuar njëri tjetrit. Të pandehurit parat në kartëmonedha të ndryshme kur i ndajnë në mes veti i llogarisin aty për aty fitimin e tyre, në raste të ndryshme sjellën me zarfe nga tereni nga persona zyrtar të cilat operojnë në terren dhe tani janë të pandehur dhe në raste të ndryshme të pandehurit madje edhe tradhtojnë njëri tjetrin sa i përket shumave të fituara sepse ata nuk i ndajnë në mënyrë proporcionale sipas marrëveshjes duke mos iu treguar njërit tjetrit vlerën e saktë të ryshfetit të marrë”, thuhet në kërkesë.
Sipas prokurorise, përfituesit e subvencionit fillimisht detyrohen të shkojnë në bankat përkatëse t’i pranojnë paratë të cilat i përfitojnë nga subvencionet, pastaj menjëherë brenda ditës të i sjellin ryshfetin, sepse në mes tyre gjithnjë ekziston mosbesimi dhe tradhtia se mund të mos i marrin parat e premtuara. Tutje, thuhet se në raste të ndryshme paraprakisht i detyrojnë të i sjellin një shumë të parave në formë kapari, pastaj pjesën tjetër pasi që ta marrin nga bankat.
“Në disa raste ka prova që vërtetojnë dyshimin e bazuar se aplikuesit për subvencion dyshohet se janë futur në listën e përfituesve pa e plotësuar asnjë kriter ligjor por duke ofruar ryshfet (para) ose anasjelltas disa fermer edhe pse i kanë plotësuar kushtet të njëjtit nuk janë futur ne listat e përfituesve pasi qe nuk kanë pranuar që të japin ryshfet dhe me këto veprime të pandehurit në bazë të pozitës zyrtare që mbanin kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të KPRK-së.”, thuhet në kërkesë.
Sipas kërkesës, të pandehurit e lartcekur në marrëveshje paraprake në raste të ndryshme veprojnë me metoda të ngjashme dhe atë duke i kontaktuar aplikuesit për subvencione në mënyrë direkte apo përmes personave të tjerë dhe i njoftojnë ata se të njëjtit kanë vështirësi që të përfitojnë subvencionin për të cilin kanë aplikuar, pastaj paraprakisht e njoftojnë se mund të iu ofrojnë ndihmë në marrjen e subvencionit dhe për këtë duhet të dhënë ryshfet në vlera të ndryshme.
“Në raste të ndryshme të pandehurit veprojnë në atë mënyrë që gjatë bisedës përmes ndërmjetësuesve pajtohen për vlerën që aplikuesi mund të merr gjatë përfitimit dhe për vlerën e ryshfetit që duhet të jepet me rastin e pranimit të subvencionit nga aplikuesi”, thotë kërkesa.
Sipas prokurorisë, në këto raste përmbushen elementet e parapara nga neni 421 të KPRK-së, kur personi zyrtar, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose që pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, në mënyrë që personi zyrtar të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare. Tutje, thuhet se në këto raste të pandehurit në mënyrë shumë të qartë i ndajnë rolet dhe kërkojnë vlera të ndryshme dhe planifikojnë ndarjen e fitimit.
Sipas kërkesës, ka prova që vërtetojnë se pas një bisede paraprake në mes të pandehurit Berat Nika dhe Luan Statotvci kontaktojnë me një nga ryshfet dhënësit, i cili ende nuk është arrestuar dhe i pandehuri Berat Nika, zyrtar për pagesa direkte, pasi pranon ryshfet nga ai dhe të njëjtat menjëherë i sjell në zyrën e drejtorit Luan Statovci dhe i ndajnë për gjysmë.
Ndërkaq, thuhet se e pandehura Adushe Ukshini, duke e shfrytëzuar pozitën e saj si zyrtare te “Inspektorit ne AZHB”, ka vepruar në mënyrë te kundërligjshme për përfitim material për vete apo persona te tjerë, konkretisht ka pranuar shuma te ndryshme te parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm, në mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve për subvencione. Sipas prokurorisë, kjo vërtetohet nga provat e siguruara gjate aplikimit te masave te fshehta te hetimit ku e njëjta shihet duke i sjell para drejtorit Luan Statovci, të cilat i ndajnë në mes veti.
“I pandehuri Sadat Shkodra duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare te “Drejtorit te Departamentit të Pagesave Direkte ne AZHB” ka vepruar në mënyrë te kundërligjshme për përfitim material për vete apo persona te tjerë, konkretisht ka pranuar shuma të ndryshme të parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm ne mënyrë që të njëjtit t’i fus ne listën e përfituesve për subvencione, kjo vërtetohet nga provat e siguruara gjate aplikimit të masave të fshehta të hetimit ku i njëjti në disa raste shihet duke pranuar para dhe duke i ndarë me zyrtarët e tjerë të AZHB-se në zyrën e tij”, thotë kërkesa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, thuhet se i pandehuri Hasan Maxharraj, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si zyrtar për zhvillimin e bujqësisë në Komunën e Istogut, ka vepruar në mënyrë te kundërligjshme për përfitim material për vete apo persona te tjerë, konkretisht i njëjti dëgjohet duke thënë se ka pranuar apo do të pranoj shuma të ndryshme të parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm, në mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve për subvencione duke ushtruar ndikim të drejtori Luan Statovci, e cila thuhet se vërtetohet nga provat e siguruara gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit ,ku i njëjti dëgjohet në disa raste duke i thënë Luanit se “te kam sjell shuma te parave ne vlere te ndryshme deri ne 12.000 Euro”.
“I pandehuri Kushtrim Zogaj duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare te “zyrtar për politika bujqësore ne AZHB” ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme për përfitim material për vete apo persona te tjerë, konkretisht dyshohet se është i përfshirë në marrje te ryshfetit ne bashkëkryerje së bashku me zyrtarët tjerë në AZHB) nga persona te ndryshëm ne mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve për subvencione”, thuhet në kërkesë.
Për të pandehurën Kastriote Bajrami-Sejdiu thuhet dyshohet ju ka ofruar dhe dhënë ryshfet zyrtarëve tjerë në AZHB, në mënyrë që të njëjtit të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, konkretisht qe ta fusin ne listën e përfituesve për subvencione personin i cili ende nuk është arrestuar.
“Dhe njëkohësisht ta largojnë nga lista e zeze, kjo vërtetohet nga provat e siguruara gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit, ku e njëjta dëgjohet duke biseduar me drejtorin Luan Statovci dhe Sadat Shkodra, konkretisht zhvillohet një bisedë e gjatë ku negociohet rreth shumës së parave që duhet të ua jap aplikuesi te dyshuarve, ku fillimisht Sadati në prezencë te drejtorit Luan Statovci i kërkon Kastriotes shumën prej 2000 Eurove dhe pas negociatave të zhvilluara dakordohen që puna të kryhet për shumen 1000 Euro”, thotë kërkesa.
Sipas kërkesës, i pandehuri Pajtim Krasniqi dyshohet se iu ka ofruar dhe dhënë ryshfet zyrtarëve tjerë ne AZHB, në mënyrë që të njëjtit të veprojnë ne kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, konkretisht që ta fusin në listën e përfituesve për subvencione atë dhe vëllain e tij, Shpejtim Krasniqi.
“Kjo vërtetohet nga provat e siguruara gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit ku shihet Berat Nika në dy raste duke i sjell shumën e parave prej 5000 Euro dhe 2000 Euro Luan Statovcit të cilat i ndajnë përgjysmë, dhe gjatë bisedës të njëjtit thonë se këto para ia ka dhënë ryshfet Pajtim dhe Shpejtim Krasniqi ndërsa këta dy te fundit së bashku kanë përfituar subvencion shumën e parave 13472 Euro në mënyrë te kundërligjshme”, thuhet në kërkesë.
Tutje, thuhet se i pandehuri Shpejtim Krasniqi dyshohet se iu ka ofruar dhe dhënë ryshfet zyrtareve tjerë në AZHB, në mënyrë që të njëjtit të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, konkretisht qe ta fusin në listën e përfituesve për subvencione atë dhe vllaun e tij Shpejtim Krasniqi.
“Kjo vërtetohet nga provat e siguruara gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit ku shihet Berat Nika në dy raste duke i sjell shumën e parave prej 5000 Euro dhe 2000 Euro Luan Statovcit të cilat i ndajnë përgjysmë, dhe gjatë bisedës të njëjtit thonë se këto para ia ka dhënë ryshfet Pajtim dhe Shpejtim Krasniqi ndërsa këta dy të fundit së bashku kanë përfituar subvencion shumën e parave 13472 Euro në mënyrë te kundërligjshme”, thotë kërkesa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkaq, thuhet se i pandehuri Driton Alaj dyshohet se ju ka ofruar ryshfet zyrtarëve tjerë në AZHB, në mënyre që të njëjtit të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, konkretisht që ta fusin në listën e përfituesve për subvencione në mënyrë të kundërligjshme, gjë e cila thuhet se edhe ka ndodhur dhe i njëjti ka përfituar shumën e parave prej rreth 100,000.00 (njëqindte mije) Euro. Po ashtu thuhet se i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke larguar nga lista e zeze persona (fermer) pa ndonjë vendim me shkrim.
Ndërkaq, për të pandehurin Sali Statovci thuhet se fillimisht nuk ka qenë i dyshuar për veprime të kundërligjshme, mirëpo gjatë zbatimit të masave të Vëzhgimit dhe të Hetimit gjatë një komunikimi me vëllain e tij Luan Statovci, kuptohet se të njëjtit bashkëpunojnë dhe dyshohet se i njëjti është zbatues i veprimeve të kundërligjshme në teren në kontakt me persona të tjerë.
“Dhe në bazë të nenit 105 par 4 të KPP-së është paraqitur kërkesë që të bëhet kontrolli në pronën e Sali Statovci për shkak se është e nevojshme të ruhen provat e veprës penale apo të konfiskohen sendet përkatëse të cilat nuk mund të ruhen apo të sigurohen pa zbatimin e kontrollit”, thuhet në kërkesë.
Sipas kërkesës, gjatë zbatimit të kontrollit te i pandehuri Sali Statovci në shtëpinë e tij në fshatin Batllavë, Komuna e Podujevës, janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale të cilat ndërlidhen me veprën penale për të cilën dyshohet se e ka kryer, ndër të tjera janë sekuestruar shuma e parave ne vlere prej 406,000.00 (katër qindtë e gjashte mije) Euro, 600 dollar, 200 franga zvicerane, 275 lira turke, një telefon dhe vetura “Toyota”.
“Para këto të cilat gjatë kontrollit është përpjekur që të i fshehin nga policia e Kosovës. Këto para të gjetura fuqizojnë edhe më shumë për veprimet e kundërligjshme të të pandehurve sepse nuk kanë mund të japin asnjë arsye për vlerë ne parave të gjetura”, thotë kërkesa.
Tutje, thuhet se i pandehuri Salih Statovci dyshohet se i ka ndihmuar vëllain e tij Luanit në fshehjen e provave, konkretisht të parave, të cilat i ka përfituar përmes marrjes se ryshfetit pasi qe Luani vazhdimisht gjate aplikimit te masave te fshehta te hetimit dëgjohet duke thënë se ka në posedim shumën e parave në vlerë prej rreth 600.000 (gjashtëqind mije) Euro.
Sipas kërkesës, dëshmitari Visar Krasniqi i cili kishte deklaron se të pandehurit, zyrtarë në Ministrinë e Bujqësisë, i kanë kërkuar ryshfet shumën prej 30,000.00 (tridhjetëmijë) Euro, në mënyrë që të merret një vendim në favorin e tij për të qenë përfitues i një subvencioni (pagesa direkte), i cili pretendonte që ta përfitonte subvencionin ne vlerë prej rreth 90,000.00 (nëntëdhjetë mije) Euro dhe kjo thuhet se dëshmohet edhe nga procesverbali i inspektoreve me numër 007770.
“I njëjti deklaron se inspektori Sadat Shkodra me qellim është duke ia zvarritur procedurat pasi qe para një kohe ishte takuar me axhën e tij Agron Krasniqi dhe i kishte thënë se Visari ka dokumentacion te mangët dhe për t’ia kryer këtë pune duhet te na jap 30,000.00 (tridhjetëmijë) Euro pasi qe i njëjti është vet i treti”, thuhet në kërkesë.
Tutje, thuhet se gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit në zyrën e të dyshuarit Luan Statovci kanë dëgjuar biseda mes tij dhe inspektorit Sadat Shkodra duke biseduar për ankuesin Visar Krasniqi dhe duke bërë plane se si t’ia marrin parat (ryshfet), në mënyrë që të ia lëshojnë vendimin për përfitimin e subvencionit Visar Krasniqi.
“Po ashtu dëgjohen edhe zyrtar tjerë të Ministrisë te cilët i kemi identifikuar siç janë : Berat Nika dhe Hasan Maxharraj, te cilët bisedojnë duke deklaruar se në disa raste se kanë marr para nga persona te cilët kanë aplikuar për subvencione, duke i përmendur të njëjtit me emra dhe duke përmendur shuma te ndryshme të parave për të cilat thonë se i kanë marr nga ta dhe po ashtu duke bërë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25,000.00 Euro për aplikues”, thuhet në kërkesë.
Në këto rrethana, prokuroria ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara ligjore që ndaj të pandehurve të lartcekur të caktohet masa e paraburgimit, me arsyetimin se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura dhe janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ndaj të pandehurve të caktohet kjo masë.
Sipas prokurorisë ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurve, asgjësimi, fshehja apo ndryshimi i provave të veprës penale, pengimi në rrjedhjen e procedurës penale, pesha e veprës penale si dhe mënyra dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre penale.
“Duke marrë për bazë se gjatë zbatimit të masave teknike të vëzhgimit dhe hetimit të pandehurit kanë përdor forma të ndryshme të avancuara për kryerjen e veprës penale ku pa asnjë frikë nga zbatimi i ligjit në mënyrë të lirë bisedojnë se si kanë përfituar para ma herët nga persona të caktuar, e që Prokuroria tani për tani nuk mund të i cek për shkak se edhe tani është duke vazhduar ndërmarrja e veprimeve në arrestimin e personave të cilët kanë dhënë ryshfet. Po ashtu të pandehurit shihet se kanë përdorur forma të ndryshme direkte dhe indirekte dhe përfitojnë shuma të mëdha parash në vende të ndryshme në Kosovë dhe në zyrat e Agjencionit për Zhvillim në Prishtinë. Po ashtu të pandehurit bisedojnë dhe planifikojnë se si në të ardhmen në këtë vit që të planifikojnë projekte dhe merren vesh se si të përfitojnë shuma deri 150.000.00 € për një projekt”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesë të prokurorisë thuhet se duke parë veprimet e zyrtarëve që të përfitojnë para në mënyrë të kundërligjshme nga bujqit, për të cilët Republika e Kosovës është përpjekur që të iu siguron subvencionet, dhe përmes tyre të arrijnë zhvillimin ekonomik, të pandehurit përfitojnë para në mënyrë të kundërligjshëm nga një shtet i cili konsiderohet si shteti me i varfër në Evropë.
Sipas prokurorisë, me rastin e paraqitjes se kësaj kërkese, prokurori ka marrë parasysh edhe masat e tjera me të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurve, mirëpo ka ardhur në përfundim se nuk mund të ndikojë asnjë masë tjetër te të pandehurit përveç masës së caktimit të paraburgimit duke marrë parasysh të gjitha arsyet e cekura me lartë./ Betimi për Drejtësi