Si ia doli ishulli i vogël të zhdukë turizmin masiv
Protestat kundër turizmit masiv kanë pushtuar së fundmi vendet si Barcelona, Mallorca, Santorini, Ibiza etj. Përkundrazi, ishujt El Hierro kanë zgjedhur në heshtje të bëjnë gjërat shumë ndryshe.
El Hierro, pjesë e ishujve Kanarie, mendohet se u shfaq në Oqeanin Atlantik rreth 1.2 milionë vjet më parë, pas shpërthimeve të dhunshme vullkanike nënujore, duke krijuar një peizazh të egër luginash pjellore dhe pyjesh me gjelbërim të përhershëm. Kjo topografi nuk është e përshtateshme për ndërtimin e resorteve apo rrokaqiejve që janë ngritur në ishuj të tjerë turistikë.
Ishulli me 11 000 banorë nuk ka fluturime direkte nga jashtë arkipelagut, që do të thotë se ai pranon vetëm një pjesë të vogël të vizitorëve në krahasim me fqinjët. Në vitin 2023, El Hierro priti afërsisht 20 300 vizitorë, ndërsa Tenerife, ishulli më i madh i arkipelagut, mirëpriti më shumë se 6.57 milionë turistë.
Qëllimi i El Hierro ka qenë gjithmonë rritja e numrit të vizitorëve gradualisht. Ishulli është angazhuar për të zbatuar një plan të gjerë zhvillimi që nga viti 1997, duke përfshirë krijimin e muzeve dhe qendrave të vizitorëve që promovojnë kulturën dhe traditat e tij. Fokusi kryesor ka qenë në organizimin e aktiviteteve me ndikim të kufizuar mjedisor, duke ruajtur natyrën.Vetëm në vitin 1962 në ishull u shtrua rruga e parë me asfalt dhe kishte vetëm një semafor.
“Ne duam të rrisim turizmin dhe të vazhdojmë të përmirësojmë standardin e jetesës së ishullit, por jo në dëm të cilësisë së jetës së banorëve apo burimeve natyrore të ishullit. Ne preferojmë të ruajmë kulturën tonë dhe të ndajmë mënyrën tonë të qetë të jetës me vizitorët”, tha Davinia Suarez Armas, drejtoreshë e turizmit dhe transportit të ishullit.
UNESCO e ka shpallur të gjithë ishullin dhe një zonë të madhe të ujërave të tij, Rezervë të Biosferës në vitin 2000 dhe Gjeopark në vitin 2014. Në mesin e shekullit të 20-të, për shkak të thatësirës shkatërruese nisi një emigracion masiv deri në Venezuelë, por sipas besimit vendas, falë ndërhyrjes hyjnore të Virgen de los Reyes, shenjtori mbrojtës i ishullit, iu dha fund kësaj katastrofe në vitin 1741. Që prej asaj kohe, çdo katër vjet organizohet Bajada de la Virgen, një festë njëmujore në të gjithë ishullin.
Duke qenë kështu shumë i lidhur me natyrën, ky ishull dëshiron të jetë destinacioni i parë spanjoll që arrin zero emetime. Ishulli po zhvillon një plan veprimi për klimën me qëllimin për të reduktuar emetimet me 50% deri në vitin 2030 dhe të arrijë zero emetime deri në vitin 2050. Këto janë ambicie të mëdha për një ishull kaq të vogël, por arritjet e tij në qëndrueshmëri po vlerësohen shumë, ndaj në shtator të këtij viti, El Hierro do të vlerësohet me çmimin e Turizmit për Destinacionin e Turizmit të Qëndrueshëm. (A2 Televizion)