Si kanë qenë ndër vite marrëdhëniet e Trumpit me Zelenskyn?

21 shkurt 2025 | 07:59

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump dhe homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky kanë hyrë në një përplasje verbale pasi lideri amerikan nisi bisedime me Rusinë për të përfunduar konfliktin, por nuk përfshiu Ukrainën.

Pasi lideri ukrainas tha se udhëheqësi amerikan ishte në një “hapësirë dezinformimi”, Trump e quajti Zelenskyn “diktator”, një koment që u dënua nga aleatët e Kievit, shkruan bbc.

Ata kanë shkëmbyer fjalë të ashpra në të kaluarën, por Zelensky zakonisht ka tentuar të mbajë një linjë diplomatike me Trumpin.

Këtu është një pasqyrë e asaj që të dy kanë thënë për njëri-tjetrin gjatë viteve, transmeton Telegrafi.

21 prill 2019 – Në ditën kur Zelensky u zgjodh president i Ukrainës, Trump, ende në mandatin e parë, e telefonoi për ta uruar. Trump thotë se ishte një “zgjedhje e jashtëzakonshme” dhe shton se “do të bësh një punë të shkëlqyer”.

2019 – Aleatët e Trumpit fillojnë të ngritin akuza se Joe Biden, atëherë kryefavorit i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020, loboi që Ukraina të shkarkonte prokurorin e saj kryesor për të penguar një hetim mbi kompaninë energjetike Burisma. Djali i Biden, Hunter, ishte anëtar i bordit të firmës. Akuzat më vonë u zbuluan të jenë të fabrikuara nga një informator i FBI-së, dhe prokurori u largua nga posti për korrupsion.

25 korrik 2019 – Në një bisedë telefonike që do të bëhej baza për “impeachment” (fajësimin) e parë të Trumpit, ky i fundit i kërkon Zelenskyt “të më bësh një favor” dhe “të zbardhësh thelbin” e akuzave për Bidenët dhe Burismën. Zelensky thotë se një rishikim i provave do të bëhej më vonë atë vit.

29 shtator 2020 – Gjatë debatit të parë presidencial midis Trumpit dhe Bidenit, Trump aludoi për akuzat, duke thënë se “pasi u bëre zëvendëspresident, [Hunter] u pasurua në Ukrainë, Kinë, Moskë dhe vende të tjera. Dhe nuk kishte punë”.

24 shkurt 2022 – Rusia nis invadimin e plotë të Ukrainës. Trump thotë se “sulmi rus ndaj Ukrainës është i tmerrshëm. Po lutemi për popullin e krenar të Ukrainës”. Ai shton se Zelensky është “i guximshëm” që qëndron në Kiev dhe pretendon se invazioni “nuk do të kishte ndodhur” po të ishte zgjedhur në vitin 2020.

5 mars 2023 – “Para se të arrij në Zyrën Ovale, unë do të kem zgjidhur luftën shkatërruese midis Rusisë dhe Ukrainës”, thotë Trump në një konferencë të konservatorëve. “Dhe nuk do të më marrë më shumë se një ditë”.

Maj 2024 – Mandati i Zelenskyt skadon, por ai mbetet në detyrë, pasi zgjedhjet e planifikuara në Ukrainë nuk zhvillohen për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme. Zelensky kishte shprehur shpresën për të mbajtur zgjedhje, por kishte thënë më parë “nuk është koha për zgjedhje”.

25 shtator 2024 – Gjatë fushatës, Trump akuzon Zelenskyn se “po bën akuzat të pista ndaj presidentit të tij të preferuar, mua”, duke shtuar se “çdo marrëveshje, edhe ajo më e keqja, do të kishte qenë më mirë se ajo që kemi tani”.

27 shtator 2024 – Zelensky dhe Trump takohen në Trump Tower në New York para zgjedhjeve amerikane. Zelensky thotë se ata kanë një “pikëpamje të përbashkët që lufta duhet të ndalet dhe (Vladimir) Putin nuk mund të fitojë”, ndërsa Trump thotë se do ta zgjidhë luftën “shumë shpejt”.

6 nëntor 2024 – Trump rizgjidhet president i SHBA-së. Në fjalimin e fitores, ai betohet të “ndalë luftërat”, pa përmendur drejtpërdrejt Ukrainën. Zelensky është ndër liderët e parë botërorë që e telefonon për ta uruar, duke shkruar menjëherë se mezi pret të shohë një SHBA “të fortë” nën “lidershipin e vendosur” të Trumpit.

22 janar 2025 – “Është koha për të bërë një marrëveshje”, shkruan Trump në Truth Social. “Ne mund ta bëjmë në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”. Ai shton se pa një marrëveshje, do të jetë i detyruar të vendosë kufizime të mëtejshme ekonomike ndaj Rusisë.

23 janar 2025 – Trump i thotë Forumit Ekonomik Botëror se Zelensky “dëshiron të bëjë një marrëveshje” por Putin “mund të mos e dojë”.

15 shkurt 2025 – Zelensky shkruan se ka filluar të punojë me ekipin e Trumpit, duke shtuar se “aktualisht, bota po shikon nga Amerika si fuqia që ka aftësinë jo vetëm të ndalë luftën, por gjithashtu të ndihmojë në sigurimin e qëndrueshmërisë së paqes më pas”.

18 shkurt 2025 – Bisedimet SHBA-Rusi për përfundimin e luftës fillojnë në Riad, Arabinë Saudite. Zelensky u thotë gazetarëve se bisedimet u zhvilluan “pas shpinës së Ukrainës”, duke shtuar se “sërish, vendime për Ukrainën po merren pa Ukrainën. Po pyes veten pse ata besojnë se Ukraina do të pranojë këto ultimatumet tani, nëse ne i refuzonim ato në momentin më të vështirë?”

18 shkurt 2025 – Pas bisedimeve, Trump thotë se ishte “i zhgënjyer” nga reagimi i Ukrainës dhe fajëson Ukrainën për fillimin e luftës, duke thënë se vendi “mund ta kishte bërë një marrëveshje” më herët.

19 shkurt 2025 – Zelensky thotë se presidenti i SHBA-së është kapur në një “hapësirë dezinformimi” ruse. Ai shton se “ne po qëndrojmë fort me këmbët tona. Unë po shpresoj te bashkimi i Ukrainës, guximi ynë… te bashkimi i Evropës dhe pragmatizmi i Amerikës”.

19 shkurt 2025 – Trump akuzon Zelenskyn se e ka bindur SHBA-në “të shpenzojë 350 miliardë dollarë (333 miliardë euro) për të hyrë në një luftë që ai, pa SHBA-në dhe ‘TRUMP’, nuk do të jetë kurrë në gjendje ta zgjidhë” dhe se ka pretenduar që gjysmën e atyre parave tanimë i ka humbur. Trump e quan Zelenskyn një “diktator” që ka “bërë një punë të tmerrshme”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Neil Armstrong / BBC Një bandë e krimit të…