Si kapitulloi Millosheviqi në restorantin e shqiptarit në Bllacë?
Me 6 qershor, Ramadan Sadiku hapi dyert e restorantit të tij në Bllacë, në të cilin për disa ditë u vendosën gjeneralët kryesor të NATO-s. Vetëm disa ditë më vonë, Sadiku e kuptoi që në pronën e tij, do të zhvillohen bisedimet që do ta ndryshojnë fatin e Kosovës. Aty për tri ditë rresht përfaqësuesit e NATO-s dhe ushtrisë serbe, debatuan ashpër për t’i dhënë fund Serbisë në Kosovë. Ramadan Sadiku ishte shqiptari i vetëm që u lejua të qëndrojë brenda hapësirave të restorantit dhe për Tëvë1, ka zbuluar detajet që çuan në nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës.
Në fillim të qershorit, forcat e NATO-s, i ishin afruar Kosovës.
Por, ende nuk kishte një marrëveshje, që paqeruajtësit të futën në vendin ku Serbia po kryente krimet më çnjerëzore.
E që një gjë e tillë të arrihet, 14 gjeneralë u takuan në një restorant në afërsi të Bllacës në Maqedoninë e Veriut.
Ishin këta përfaqësuesit e NATO-s dhe ata të ushtrisë serbe.
E pikë takimi i tyre, ishte restorantit “Evropa ‘93”, pronë e Ramadan Sadikut.
“Një ditë kanë ardhur dy eprorë të NATO-s dhe kemi biseduar dhe kemi bërë një marrëveshje, që objektin të ua lë atyre për disa ditë. Ose më saktë, për 20 ditë dhe nuk e dija se çfarë do të bëhet aty. Me thanë që ta largoj komplet personelin, vetëm unë të mbes aty”, tregon pwr Twvw 1 Ramadan Sadiku, pronar i restorantit.
Kur të gjithë u larguan, hapësira e restorantit u mbush me ushtarakë.
I vetmi që u lejua të qëndrojë, ishte pronari i restorantit.
“Unë jam i vetmi shqiptar, do të thotë edhe nga Maqedonia edhe nga Kosova që kam marrë pjesë në ato bisedime, por kam marrë pjesë në mënyrë indirekte, si pronar i restorantit. Kanë qenë 14 persona që kanë bërë marrëveshje, 7 nga pala e NATO-s dhe 7 nga pala e ushtrisë serbe”, thotë Sadiku.
Takimi i 6 qershorit të vitit 1999, filloi me disa orë vonesë.
Kjo pasi pala serbe refuzonte të hynte në një restorant me pronar shqiptar.
Por, insistimi i forcave veri-atlantike, bëri që takimi të filloi, ani pse me tri orë vonesë.
Pronari i restorantit, Ramadan Sadiku, mban mend sjelljen e përfaqësuesve serb, kur flitej që NATO të hynte në Kosovë.
“Fillimi i bisedave kanë qenë shumë të ashpërsuar, mendoja që nuk do të merren vesh, shkojshin në drejtim të acarimit, më shumë u frikësojsha pasi jashtë restorantit ishin ushtritë e dy anëve, do të thotë përballë restorantit ishte ushtria serbe dhe rreth e përqark ishte ushtria e NATO-s. Oficerët brenda restorantit kishin lidhje direkte me ushtritë e veta dhe çdo bisede që u bënte brenda, u transmetojke jashtë. Dita e parë ka shkuar krejt me nervozizëm”, shprehet ai.
Në këtë formë, kaluan tri ditë bisedime.
Me 9 qershor, NATO kishte fituar avantazhin në tryezë, me çka kishin ndërruar edhe pozicionet.
“Filloi edhe gjenerali i NATO-s, Mike Jackson, të iu kërcënohet serbeve, ai u thoshte që doni ju apo jo, ne do të futemi në Kosovë. Është më mirë që të bëjmë bisedë të qetë e të merremi vesh. Ditën e tretë u përgatitën aq tepër, saqë mendova që do të kërcas në njërën anë”, tregon Sadiku.
Njeriu që ngritjen në pushtet e filloi në një ballkon të Fushë Kosovës, fundin e shënoi në një lokal me pronar shqiptar në Bllacë.
“Unë e kam ndje vetën shumë krenar, që kapitullimi i Millosheviqit filloi nga objekti im. Edhe sot e kësaj ditë e kam krenarinë që komplet ushtria kriminele serbe, filluan të kapitullojnë nga objekti im”, shprehet Sadiku.
E ajo çka u bisedua në pronën e shqiptarit, u finalizua në Kumanovë.
Marrëveshja ushtarako-teknike e Kumanovës, bëri që Serbia ta filloi tërheqjen e trupave nga Kosova.
E tri ditë më pas, forcat e NATO-s hynë në territorin e Kosovës.
Por, në 25 vjetorin e këtyre ngjarjeve, restoranti i shqiptarit ku filloi e gjitha kjo, ka mbetur në harresë.