Si kërkon koha të sillemi (veprojmë) e si po sillemi (veprojmë) ne?
Shkruan: Naim Ismajli
Gjendja e krijuar kërkon mobilizim, bashkëpunim, mbështetje e solidarizim gjithëqytetar. Kjo është gjëja e duhur, karshi nevojës që kërkon pandemia Coronavirus (COVID-19). Mirëpo ne jemi të çakorduar, të përqarë, në luftën politike për të treguar kryeneqësinë e injorancën.
Ka një shpërputhje mes veprimit të institucioneve dhe klasës politike karshi kërkesës, pritjes dhe nevojës imediate të gjendjes së krijuar. Apelet e institucioneve për qytetarët, të shoqëruara me udhëzime e kanë humbur shijen nga veprimi i tyre politik me nivelin më të ulët të papjekurisë, papërgjegjësisë që po shfaqin çdo ditë e çdo orë kohëve të fundit.
Nuk ka strategji të qartë afatgjate të veprimit në gjithë dimensionet e kërkuara. Kryeneqësi për parime personale e klanore, duke dëmtuar parimet shoqërore. Në vend të arritjes së partneritetit me vendet dhe institucionet ndërkombëtare, që me ndihmën e tyre ta përballojmë pandeminë, ne po prishim edhe partneritetin dhe unitetin e brendshëm institucional e politik.
Kush duhet t’i bie këmbanës për të ndikuar në ngritjen e përgjegjësisë që keni, për besimin që keni marrur?
Pushteti i vetëm funksional edhe pse me resurse të kufizuara, sot është pushteti lokal (Komunat), mjekët gjithë mantelbardhët, (heronjët e gjallë) dhe shërbimi i pa kursyer i Policisë së Kosovës (PK).
Të gjithë këta kanë nevojë për mbështetje duke krijuar mekanizma, procedura e fonde, të cilat do alokoheshin në mbrojtjen shëndetit dhe mirëqenies sociale të qytetarit tonë. Duhet t’ju përgjigjemi nevojave të qytetarëve e jo të mbesim peng i parimeve dhe procedurave byrokratike, të cilat edhe në kushte normale janë pengesë për furnizim.
Andaj duhet të sillemi me përgjegjësi, kompetencë, në koherencë me nevojën e situatës.
Apeli i ekspertëve të fushës së shëndetësisë dhe i atyre të sigurisë (mendim i eksperteve dhe eksperiencat e tyre) nuk kanë zbatim dhe nuk dëgjohen fare.
Ne vend të tyre janë “parimet”, tregimi i muskujve dhe injoranca e skajshme e institucioneve dhe klasës politike. Apelet pa shije për unitet të disa zërave të cilët në veprim kanë fyrjet e përqarjet dhe mbjellin përqarjen në vete subjektet e tyre nuk kanë lezet më për tu gëlltitur.
Të rrethuar me gjitha shtetet fqinje dhe shtete tjera të cilat kanë ngritur nivelin e masave deri te ajo e jashtëzakonshme, a nuk po bie këmbana se ne me papërgjegjshmërinë dhe injorancën që po tregojmë mund të izolohemi dhe si të vetmuar çfarë mund të bëjmë dhe si do të jetë fati jonë?
Gjendja e pandemisë COVID – 19 kërkon sjellje tjetër më ndryshe nga ajo që po sillemi ne.
Adaj të bashkohemi në këtë betejë globale ta mundim Coronavirusin!
(Autori është kryetar i komunës së Shtimes)