Si konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe cilat janë afatet ligjore?

25 shkurt 2025 | 19:14

Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka bërë që analistë dhe njohës të çështjeve politike të parashikojnë krizë dhe zvarritje në formimin e institucioneve të reja.

Formimit të qeverisë së re, duhet t’i paraprijë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Por, cilat janë procedurat që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit dhe cilat janë afatet?

Naim Jakaj nga IKD ka thënë për IndeksOnline se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare, Presidentja e thërret seancën konstituive e cila duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve.

Në rast se ajo nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, në mungesë të saj, Kuvendi mblidhet vetë. Sipas Rregullores së Kuvendit, në këtë rast, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë. Kryetari i legjislaturës së mëparshme, jo më vonë se pesë (5) ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, e thërret mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike, që kanë fituar vende në Kuvend, për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e vendeve të deputetëve në sallën e seancave plenare. Në rast se mbledhja nuk thirret nga Kryetari paraprak, brenda afatit pesë (5) ditorë, Kuvendi mblidhet vetë, në ditën e caktuar nga Presidenti. Seancën konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu. Në mungesë ose refuzimit të tyre, detyra i kalon deputetëve tjerë sipas të njëjtave kritere. Gjatë kësaj seance nuk zhvillohet debat”, ka thënë Jakaj.

Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit (61 vota për).

Më tutje, Jakaj thotë se në asnjërën nga dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, nuk është parashikuar situata kur kryetari i Kuvendit ose kur Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit prej 30 ditëve nga shpallja e rezultateve zgjedhore.

“Një gjë të tillë është vërejtur edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, veçanërisht nëse dështimi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Por që sipas GjK-së, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e deputetëve është parakusht që Kuvendi të fillojë funksionimin si organ legjislativ. Kjo kërkon praninë dhe votimin e të gjithë deputetëve për ta konstituar atë. Për më tepër, Gjykata konsideron se seanca konstituive nuk mundet të konsiderohet se është realizuar plotësisht, nëse Kuvendi nuk e zgjedhë  Kryetarin dhe nënkryetarët e tij. I takon partisë fituese që në rastin e konstituimit të Kuvendit, respektivisht propozimi për kryetar të Kuvendit dhe njërin nga nënkryetarët dhe partive të tjera të propozojnë nënkryetarët dhe të marrin pjesë në votim dhe ta konstituojnë Kuvendin, në mënyrë që më tutje t’i hapet rrugë formimit të qeverisë së Kosovës”, ka shtuar Jakaj.

Lëvizja Vetëvendosje është renditur subjekti i parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, me afër 41% të votave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë…