Si, ku dhe nga kush ndodhi vrasja e Draganit, policit më famëkeq të Prishtinës
Rrëfime nga ditari i luftës
Një prej historive më interesante e mbase edhe më spektakulare të luftës në Prishtinë është ajo e marsit të vitit 1999, kur, në lagjen Emshir (sot Kalabria) te kryeqytetit u vra Dragani, polici më famëkeq i Prishtinës. Dragani, bashkë me dy policë të tjerë, të cilët tinëzisht, ishin futur në shtëpinë e pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mehdi Asllanit, dhe të djemve të tij ushtar (me Bekimin isha njohur që në betejën e lavdishme të Qafës së Kaqanollit disa muaj para historisë së Emshirit) duke besuar se do ta shpinin aksionin deri ne fund pa ndonjë problem, meqë familja ishte duke fjetur. Por, e kam lexuar në një dramë të një autori të njohur shqiptar se: “Në luftë njerëzit vriten atëherë kur mund të duket e palogjikshme që të vriten, e ndonjëherë shpëtojnë kur është e palogjikshme të besohet se mund të shpëtohet”.
Për ta ribotuar këtë rrëfim, si një dramë filmash Holivudian, i kam shkruar në Facebook PLAKUT (siç e quanim gjatë luftës Mehdiun) me idenë që ta botoja si një histori të jashtëzakonshme mbi një ngjarje të vërtetë dhe të papërsëritshme, por nuk më ktheu përgjigje. Por, nuk do të besoja se emrin e tij do ta gjeja në njërën prej listave të “veteranëve të gënjeshtër”.
Zot bëje mirë, se shumëçka është e kalbur në këtë shtetin tonë.
Shoku im Mehdi Asllani, Plaku ynë i urtë dhe trim, t’i je një prej legjendave të gjalla të UÇK-së. Respekti im për ty dhe familjen tënde nuk do shqitet nga zemra ime.
JA SI NDODHI VRASJE E DRAGANIT POLICIT MË FAMËKEQ TË PRISHTINËS
Nga Haqif MULLIQI
Derisa lufta kishte përfshirë Kosovën në pjesën më të madhe të saj, megjithatë, në një paralele me jetën letargjike që po e zhvillonin kryeqytetasit tanë muaj të tërë, ishte në skenën gri një luftë e cila më së shpeshti pandehej, por edhe rreth së cilës thureshin rrëfime të ndryshme – të besueshme dhe të pabesueshme. Ishin SKIFTERAT, një njësit elitist gueril i komanduar nga Shtabi i Zonës Operative të Llapit, djemtë dhe vashat kryeqytetase që po e zhvillonin luftën e tyre të vështirë dhe të paparashikueshme, e cila kishte një qëllim: goditjen në trurin e operativës së armikut, trurin e UDB-së. Shi për këto, djemtë dhe vashat e këtij njësiti të famshëm gueril bënë prita dhe organizuan me dhjetëra e dhjetëra aksione të suksesshme, duke u shkaktuar dëme të pakompensueshme efektivave të Sigurimit Shtetëror serb në Prishtinë, por edhe duke asgjësuar edhe disa dhjetëra policë më namazi, të cilët ishin “shquar” për krimet e shfrenuara kundër civilëve shqiptarë në Prishtinë. Ndërsa njëri prej emrave më të urryer të forcave kriminale serbe në kryeqytet ishte ai i Draganit, policit i cili ishte uniformuar nga pushtetarët serb nga fakti se ishte një kriminel ordiner i njohur i Prishtinës dhe shqiptarofob patologjik.
Vrasja e tij erdhi tepër e merituar në kohën kur guerilët e SKIFTERAVE tashmë e kishin sajuar një plan për kapjen e tij, por, siç do të mësohet nga ky rrëfim që do të pasojë më poshtë, në një storie tepër-tepër interesante dhe dramatike, me ç‘rast krimineli i shquar serb e pagoi në mënyrë të merituar gjithë hakun që u kishte prishtinasve, pasi që emri i tij qe shndërruar në emblemë të krimit serb në Prishtinë dhe rrethinë. Me të drejtë.
TAKIMI I PARË ME ASLLAN ASLLANIN
Mund të ketë qenë 4 marsi kur Muharremi (Indriti), një mik imi nga Prishtina, erdhi dhe më ftoi në apartamentin tim në Bregun e Diellit në Prishtinë. Ishte ky apartamenti im të cilin nuk e dinin shumë njerëz, për çështje të sigurisë. Muharremi më tregoi se disa nga miqtë e mi të moçëm dhe bashkëpunëtorët, anëtarë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, donin të më takonin me urgjencë. Në fakt, kishte kaluar afro një motmot që kur LKÇK-ja, saktësisht më 11 maj të vitit 1998, e kishte nënshkruar marrëveshjen me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së që tërë efektivin e vet ushtarak të shkrijë në UÇK, por njëkohësisht ta shfrytëzojë të drejtën që ta ruaj subjektivitetin politik.
Nuk e di se a ishte Muharremi (një pronar furre në rrugën ‘Xhemail Ibishi’ të Prishtinës) anëtar i LKÇK-së apo jo, por se ishte simpatizues i flaktë i kësaj organizate dhe i UÇK-së, këtu nuk kisha asnjë dyshim. Fundja, që nga tetori i vitit 1998, kur njerëzit e LKÇK-së e kishin caktuar njeri të ndërlidhjes sime dhe të këtyre luftëtarëve të Lirisë pikërisht Muharremin, unë me këtë djalë bukur ekstravagant, me flokë shumë të gjata dhe bionde, natën, ditën, kurdo qoftë që e kërkonte puna dhe nevoja, me makinën e tij e mësynim Gallapin. Ndërsa, jo rrallë, mu në shtëpinë e tij takohesha edhe me njerëz të tjerë të luftës. Më së shpeshti me luftëtarin Rrahman Dini “Balin”, po ashtu pjesëtar i LKÇK-së. Madje, një radhe Muharremi ma pat thënë se diku viteve të tetëdhjeta vëllai i tij kishte milituar me Rrahmanin dhe kishte rënë në burg e ishte dënuar bashkë me të. Ndërsa, unë Rrahmanin e njihja nga kohët dhe ai ishte njeriu që më kishte ndërlidhur drejtpërsëdrejti me LKÇK-në dhe me të kisha bërë edhe disa aktivitete bukur të rrezikshme ilegale, do të thosha.
Sido që të jetë, pra më 4 mars, me Muharremin, por edhe tim vëlla, Hakiun, si dhe Qemail Jasharin, po ashtu një luftëtar trim nga Drenica, i cili më 5 mars e vitit 1998 ia kishte dalë që ta çajë rrethimin e lagjes Jashari të Prekazit dhe të dalë matanë bashkë me Bashkim Jasharin, mbërrijmë në Zllashë, pra aty ku ishte shtabi i Brigadës 153, si dhe selia e udhëheqjes së LKÇK-së, në krye të së cilës në këtë kohë ishte miku im Valoni, Valon Murati.
Natyrisht, për shkak të udhëtimeve të mia të shpeshta në Gallap, unë atje edhe i njihja shumë nga ushtarët e Brigadës 153, të cilës po i printe ushtaraku i shkëlqyer Adem Shehu, një prej udhëheqësve të paharruar të UÇK-së në këto anë. Dhe njëri prej ushtarëve me të cilin u takova asaj dite ishte edhe Cani. Cani ishte nga Prishtina, ndërsa e vetmja gjë që dija për të ishte se ishte ushtar, po në Zonën Operative të Llapit e kishte edhe vëllanë e tij Bekimin, me të cilin ishim takuar në Qafë të Kaçanollit në shtator të vitit 1998, në betejën e famshme të UÇK-së, kur, saktësisht, për të parën herë që nga fillimi i luftës, pjesëtarët e UÇK-së ia dolën ta thyejnë Ushtrinë Jugosllave, duke e detyruar që të zmbrapset turpërisht dhe duke i shkaktuar humbje të papërshkrueshme si në njerëz ashtu edhe në teknikë.
Pasi që kisha mbaruar punë në Gallap, ku me komandantët e Brigadës 153 qemë marrë vesh për disa gjëra të veçanta dhe obligime që kisha në kryeqytet, dhe pasi atë natë kaluam në një odë katundi të rregulluar tradicionalisht për ato anë, të nesërmen në mëngjes herët, sërish me Hakiun dhe Qemajlin, morëm udhë për në Prishtinë. Madje u nisëm para agimit, ngase e dinim se policët serbë në atë kohë, rëndom, as nuk vinin prita e as nuk kontrollonin rrugëve. Të paktën jo rrugëve nga frekuentonim ne, ngase e dinin se andej ishin prore të kërcënuar me rrezikun.
Pra, u kthyem në Prishtinë, duke mos e pandehur dot se pikërisht Canit, atij ushtarit të ri nga Prishtina, me të cilin u takuam në Gallap, një ditë a dy më pas do t’i ndodhë një ndodhi vërtetë e pazakonshme dhe ai, tok me babain e tij, xha Mehdiun, Mehdi Asllanin, të cilin të gjithë ne e njihnim me emrin luftarak PLAKU, për shkak të moshës së tij, do t’u ngjajë ndodhia e cila do të flitet e përflitet në kryeqytet e më gjerë dhe e cila do t’i shtojë lavdinë e përjetshme kësaj familjeje bujare dhe patriotike të frymëzuar me idenë e atdhedashurisë dhe idealin e LIRISË të veshur me petkun Ushtri Çlirimtare e Kosovës.
Por, për çfarë në fakt është fjala, dhe kush e si e vrau policin më famëkeq të Prishtinës, një ish-shërbëtor e më pas hajn serb nga kryeqyteti, i cili e fliste shqipen rrjedhshëm, e për aq më shumë edhe i njihte njerëzit mirë e mirë, ngase ishte i lindur e i rritur në Prishtinë, në mesin e shqiptarëve? Pra, kush e vrau këtë bir bushtre, i cili vite të tëra rinisë prishtinase ia kishte sjellë shpirtin në maje të hundës? Kush e vrau kriminelin serb me emrin Dragan?
KTHIMI I CANIT NË SHTËPI
“CANI, Fitimi, shoku i tij, si dhe Kushtrimi, djali im më i vogël, kanë qenë duke fjetur në të njëjtën dhomë”, rrëfen xha Mehdiu. “Unë dhe gruaja asaj nate kemi kujdestaruar asaj nate deri në mëngjes. E dinim se ishim të vëzhguar dhe të gjitha shenjat na bënin me dije se mund të ndodhte ndonjë ndërhyrje edhe në shtëpinë tonë. Për aq më shumë, instinktin më të theksuar lidhur me atë se do të na ‘vizitonin’ shkijet e kishte zonja ime. Asllani, pra Cani, djali im, i cili ishte ushtar në ZO të Llapit, saktësisht në Gallap, kishte ardhur asaj dite nga mali dhe ne e kishim këshilluar që të pushonte asaj nate. Në fakt, unë Canit i kisha çuar fjalë që të vinte në shtëpi, ngase ishte evidente se diç mund të ndodhte me ne dhe e thirra që të shihnim se si do t’ia bënim së bashku. Gruaja ime nuk ishte në dijeni lidhur me atë se unë e kisha thirrur Canin dhe nën presionin e parandjenjave se mund të na ndodhte ndonjë konfrontim me shkije, asaj dite i kishte thënë Canit se nuk kishte bërë mirë që kishte ardhur. ‘A keni shkuar në mal apo jo?’, e pyeti ajo djalin. ‘Nëse keni vendosur njëherë që të shkoni, atëherë vazhdoni të rrini e të luftoni atje, ngase në qytet është shumë rrezik nga policia’.
Unë dhe Cani shikoheshim ndërmjet vetes, mbrapa shpinës së saj dhe buzëqeshnim ndërmjet veti. Në fakt, gruaja kishte të drejtë, por ide imja ishte që së bashku me Canin të sprovonim e ta evakuonim familjen diku në ndonjë zonë më të sigurt, ngase ishte evidente se shkijet e dinin se ne tashmë që të tre, Unë, Cani dhe Bekimi, ishim inkuadruar në radhët e UÇK-së dhe mund ta priste ndonjë e paparashikuar tërë familjen. Çetnikët, e dinë të gjithë, janë të pamëshirshëm. Ata vrasin edhe gra edhe fëmijë, pa dallim. Lufta e tyre, sikundër e kemi ditur dhe siç u dëshmua, është luftë e ndyrë. Luftë kanibalësh, do të thosha”, thotë PLAKU për të shtuar: “Por, druajtja ime kryesore, por edhe e Canit, ishte se çfarë nëse shkijet po asaj dite do ta ndërmarrin aksionin. Si? Së fundit, a luftohet me fëmijët nëpër këmbë?
Çdo herë kur më vinin djemtë nga ZO e Llapit, do të thotë nga lufta, bënim roje nga dy orë, me radhë. Por, këtë herë, me gruan vendosëm që të bënim roje vetë.
“Për të bërë roje”, vazhdon tutje xha Mejdiu, unë kisha një ‘Scorpion’ ndërsa Cani, nën jastëk kishte dy bomba.
Zonja ime më shoqëroi gjatë tërë natës. Na vinte keq që ta zgjonim Canin, ngase vetëm pak orë më parë atë nga Zllashi e kishte sjellë një bashkëluftëtar i tij nga guerilja, Kujtimi, Kujtim Pasjaça, përmes të cilit në fakt unë edhe i kisha dërguar fjalë djalit ndër luftëtarët e Gallapit.
Poende, mendoj se është interesant që të theksohet se Cani, duke pandehur se komandantët e tij mbase nuk do ta lironin që të zhdirgjej në Prishtinë ngase ishte një periudhë kohore mjaft e rrezikshme, megjithatë ky i vë në lajthitje ata duke u kërkuar që të vinte në Prishtinë për t’u kontrolluar tek mjeku. Një arsyetim të plotë kishte edhe në faktin se në dy këmbët Cani kishte nga një shufër metalike dhe u thotë komandantëve të tij se kishte dhembje të këmbëve dhe se i duhej me urgjencë të vinte në kontroll mjekësor”, rrëfen PLAKU.
Kështu Cani ia del që të zhdirgjet në kryeqytet, në lagjen e tij Emshir, ku u lind dhe e kaloi tërë jetën, duke mos e pandehur dot se vetëm një ditë pas, bashkë me t’et, do të bëjë një trimëri të paparë, të denjë për heronjtë e rapsodive.
KUSH PO TROKISTE NË DERË ATIJ MËNGJESI TË HERSHËM
“Ne as nuk e kishim pandehur dot”, rrëfen në vazhdim edhe Cani, “se ajo që ndodhi mund të ndodhte mu asaj dite kur edhe ndodhi…
Kujtimi më solli asaj nate dhe, meqë isha vërtetë i lodhur, ngase në mal kishim bërë shumë aktivitete ushtarake asaj dite dhe njëherësh kisha ecur bukur shumë edhe këmbë, jam shtrirë të fle”.
Ndërsa, edhe sipas rrëfimit të Mehdiut, edhe atij të Canit, PLAKU Fitimin e përcjell diku nga ora 6 e mëngjesit, ngase kishte të shkonte në punë. “Ata, siç duket, kanë pritur që të tuboheshim që të tre në shtëpi: unë, Bekimi dhe Cani”, rrëfen Mehdiu tutje. “Ata, pa dyshim kishin informata të sigurta se të dy djemtë ishin tek lufta, gjë që unë nuk mund ta them edhe për vete, ngase unë shpesh, meqë isha në organizim në Zonën Operative të Karadakut, vija këtu, pra në shtëpi, qëndroja dy apo tre ditë, shkoja në Zllashë, në Gjilan, Prizren, Pashtrik, Planejë etj., ngase kisha dëshira të caktuara, e para së gjithash që të organizoja një korridor të furnizimit nga Pashtriku deri në Dardanë (ish-Kamenicë). Do të thotë, njerëzit e tyre më kishin parë bukur shpesh dhe unë lëvizja mjaft, por mbase edhe për shkak të moshës ata mund të mos e kenë pandehur se edhe unë isha inkuadruar në UÇK.
Ishte ora e saktë 6 e 30 minuta, ku e përcolla Fitimin. Pasi e përcolla atë, ia lëshova edhe një shikim, anekënd shtëpisë, për të parë se mos kishte lëvizur gjë, por nuk vura re asgjë të jashtëzakonshme.
Ishte ditë e diel e 7 marsit të vitit 1999. Në gjashtë e gjysmë të mëngjesit agu ishte lëshuar mbi Prishtinë. Nga përvoja që kisha përpara, kur kam qenë i arratisur në vitin 1974, e dija se shkijet rrethimet i bëjnë zakonisht me të aguar. Në fakt, ata rrethimin e bëjnë pak më herët, nëpër natë, por trokasin me të zbardhuar të ditës. Ata janë frikacakë dhe i kanë dy gjëra: kurrë nuk shkojnë në numër të vogël dhe natën kaçakut nuk i bien në shtëpi.
Kjo mbase edhe më mashtroi. Mendova, agoi dita plotësisht, dhe së fundit është e diel dhe nuk do të na gërgasin asaj dite. Por, tamam kam hyrë brenda në shtëpi, kur jam futur në dhomë që të shtrihesha një çikëz për të pushuar, ndërsa Asllanit po i fusja “Scorpionin” nën jastëk, ku, sikundër e thash edhe më lart, i kishte edhe dy bomba, ndërsa unë edhe një revole timen, ata ia behën sikur të mbinin nga toka… Unë për një çast i kam dëgjuar kur kanë trokitur në derë. Ishte një trokije e vogël, dhe jo gjithaq e zakonshme për trokimat e policisë serbe. U afrova të shihja tek xhami i derës se kush ishte. Zonja ime ma përkujtoi se mos ishin policët, ndërsa unë nuk e përfilla sugjerimin, duke ia kthyer se ishte e pamundshme, ngase ata vijnë paksa më ndryshe. Sapo e kam hapur perden për të shikuar se kush po trokiste në derë atij mëngjesi të hershëm, shkijet m’i kanë drejtuar kallashët dhe i kanë rënë derës shkelm duke u futur rrufeshëm brenda”, rrëfen Mehdi Asllani.
E THASH, E TËRA ISHTE SHUMË E FURISHME
Pastaj Mehdiu nisë të rrëfej dhe të përshkruaj se si kanë hyrë policët dhe ku ishin vendosur. “Dy”, thotë ai në vazhdim të rrëfimit të tij, “kanë hyrë drejtë në dhomën e fjetjes së djemve dhe kanë arritur me të shpejtë tek Asllani, njëri është futur rrufeshëm andej nga dhoma e majtë të cilën e ka vëzhguar besoj shumë shpejt. Dhe kur gruaja me vajza është përpjekur që të hynte në dhomën ku ishim ne, ky i fundit ua ka drejtuar kallashin dhe i ka kërcënuar. Ndërsa i katërti ma ka vendosur mua tytën e kallashit në gjoks. Thjesht, ata na kapën për së gjalli, gjë që ishte varianti më i keq për të gjithë ne, ngase këtë nuk e kishim pandehur ndonjëherë se mund të ndodhte.
Ç’është e vërteta, unë dhe Cani e kishim bërë planin që, nëse do të vinin shkijet të na arrestojnë, njëri do ta hapte derën, do të tërhiqej nga e djathta ku ishte një mundësi strehimi, ndërsa ky që ishte në dhomë do të shtinte mbi ata në derë dhe të gjithë së bashku, më pas, do të sprovonim të tërhiqeshim nga pjesa e prapme e shtëpisë. Mirëpo, sikundër e thash, e tëra ishte shumë e furishme, ndërsa na mashtroi paraprakisht trokitja, të thuash normale, në derë e policëve, më pas edhe mënyra se si dy policët e parë u futën furishëm në dhomën ku ishte i shtrirë Cani, i cili nuk e kishte dëgjuar fare trokimën e butë të derës së shtëpisë.
Poende, Cani kishte qenë në gjumë të rëndë dhe mezi u çua, ndërkohë që edhe mua polici i tretë, duke më shtyrë me tytë të kallashit, më futi brenda në këtë dhomë. Unë, në fillim nuk e vura re Asllanin, i cili, çuditërisht, nuk këndellej shpejt dhe po e mbaja krahun paksa anash, me shpresë që ai të mund të shtinte mbi shkije e të mos më dëmtonte mua. Kur e ktheva kokën, për një çast e vura re se Asllani ishte hutuar bukur shumë, ngase as ai nuk e kishte pandehur dot se shkijet do ta kapnin për së gjalli.
Ai farë Dragani, faqeziu, i urdhëroi policët tjerë që ta siguronin atë. Aty e kam ndier vetën më së keqi në jetën time. Ishte ndjenjë e tmerrshme: ishim ushtarë dhe u kapëm të gjallë. Por, siç i thonë fjalës, kur ndodh fati në fatkeqësi, kur Dragani, me atë çetnikun tjetër bëhet gati ta lidh Asllanin me kllapa, ata e vënë re një pjesë të ‘Scorpionit’, i cili ishte zbuluar nën jastëk. Andaj këta marrin turr që t’ia marrin armën djalit dhe tek më pas ta lidhin. Ata ia kapin armën Asllanit, por, siç duket ata me këtë rast i japin edhe ide këtij në këtë çast dhe ky në mënyrë të furishme derisa Dragani e kap ‘Scorpionin’, ky e rrëmben bombën. Sapo e kap bombën Asllani, asaj ia heq edhe siguresën dhe e hedhë siguresën në dysheme. Në këtë çast, kur Cani e merr bombën, sa çel e mbyll sytë, situata pëson ndryshime të mëdha. E tëra mori krejtësisht tjetër kahje, ngase Dragani e hodhi kallashin në tokë, po ashtu edhe armën e Canit, dhe të pllakosur nga një frikë e papërshkrueshme ata bënin përpjekje që t’ia kapnin dorën djalit, që ta zaptojnë, për të mos i dhënë hapësirë as mundësi ta lëshonte ky atë nga dora. Bomba ishte ‘me lugë’, siç i thoshim.
Shkijet çirreshin në panik duke bërtitur edhe shqip e edhe serbisht. Dragani i thoshte Canit: ‘Mos Asllan, mos e hidh bombën! Mos se do të merremi vesh…! Mos se do ta pësosh edhe ti…!’ etj. etj.
Dhe u bënë lëmsh atje afër shtratit ku kishte fjetur Asllani, mirëpo ishte e vërtetë se ata nuk mund ta zaptonin Canin në asnjë mënyrë. Ata bënin përpjekje t’ia kapnin bombën, por Cani e zgjaste dorën matanë shtretërve dhe ata nuk mund t’ia kapnin atë. Asllani thërriste si zana: ‘Oj nënë, merri fëmijët e dil jashtë se nuk dorëzohem i gjallë!’
Ky nuk e dinte se në të njëjtën kohë polici i katërt po i mbante në shënjestër edhe gruan me dy vajzat. Do të ketë thirrur mbase pesë apo gjashtë herë kështu, por ajo, siç e thash, nuk kishte si të dilte nga shtëpia, ngase në dhomë i kishte ngujuar një shka i madh, kokërruar, të cilin edhe më të madh e bënte gjyksori antiplumb dhe elementet tjera që i kishte në trup.
E di se edhe njëherë më është drejtuar mua duke më thënë: ‘Babë, bre, merri fëmijët dhe nxirri jashtë!’. Por, edhe babai kot, ngase e kisha tytën e kallashit mu në gjoks dhe nuk mund të lëvizja dot, sado që gjatë gjithë kohës sytë më shkonin tek brezi i policit që më ruante mua, ku pandehja se mund t’ia nxirrja revolen në një çast të volitshëm dhe t’i shkrepja. Poende, gjatë gjithë kohës ia shihja edhe sytë këtij, por, çuditërisht ishte disi gjakftohtë dhe nuk besoja shumë se do t’ia dilja t’ia rrëmbeja armën.
Ndërsa, ai që po qëndronte tek dera e gruas dhe vajzave e mbante kallashin e drejtuar nga dhoma, por ishte nervoz dhe i trembur sa s’ka, ngase sytë orë e çast i kthente këndej, për të parë se si po zhvillohej ngjarja. Edhe ai e priste çasti kur po pëlcet bomba. Ishte e qartë se ai ishte më frikacak dhe nga frika, për fat, kishte harruar që t’ia çlironte këmbëzën kallashit. Poende, ai, ashtu në panik, disa herë ia tërhoqi shulin armës që mbante në duar, dhe kur e mori vesh se situata këtu nuk ka shpëtim, deshi t’i vras gruan me vajza, por, nga paniku, sikundër e thash, kallashin e kishte të frenuar dhe ai pra, për fat, nuk i shkrepte dot.
Unë mundohesha të shikoja edhe andej nga Cani, por edhe andej nga gruaja dhe fëmijët. Derisa te Cani ishte një rrëmujë e vërtetë e djali po rrokej me dy shkije , nga ana tjetër gruaja me vajza nuk e lëshonin asnjë zë të vetmin. Ashtu i kemi pas mësuar që, në rast të rrezikut, të mos lëshojnë zë, sepse rrezikoheshim të gjithë.
Thënë të drejtën, gruaja dhe vajzat më dhimbseshin shumë, ngase më shkonte mendja se mos vallë do t’i kujtohet atij qenbirëqenit ta çlirojë armën dhe t’i vrasë. Por, për fat të mirë, duket se shkau atje pas pak sikur e fitoi bindjen se armën e kishte me ndonjë defekt. Ky është fati në fatkeqësi. Siç e thash, ky para meje nuk m’i shkoqte sytë gjithaq, edhe pse ishim në rrezik që të gjithë brenda, ngase bomba mund të na dëmtonte që të gjithëve”, rrëfen Mehdi Asllani.
Është mbase interesant të theksohet se gjatë tërë kësaj kohe, Kushtrimi, djali më i vogël i Mehdiut, ishte i shtrirë mbi sfungjerin në dysheme ku e gjetën të shtrirë shkijet kur u futën brenda. Sa ishte rrëmujë brenda dhe me çfarë shpejtësie marramendëse ndodhnin gjërat, Kushtrimi ishte ngritur nga shtrati, dhe kishte dalë nga shtëpia, i pavërejtur nga askush. Ai ishte ndalur në breg të lumit që kalon pranë shtëpisë dhe, më pas, gjatë gjithë kohës e kishte, vrojtuar se si po zhvillohej kjo ngjarje e cila u ngjason filmave më interesant holivudian dhe rrjedhshmërinë e së cilës mund ta konceptojnë vetëm skenaristët brilant të filmit amerikan.
ASLLANI, SA MUNDEJ, SHTYHEJ DHE PËRMEÇATEJ ME SHKIJET
“Dragani”, ndërlidhet në bisedë edhe Cani, pra Asllan Asllani, ish luftëtari trim i UÇK-së, ”thërriste në shqipe: ‘Asllan, pashë Zotin mos e lësho bumen e mos na prish të gjithëve!’ Shkau ishte i tmerruar.
“Unë, thënë drejtë, nga përqendrimi që kisha me atë derrin që ma mbante tytën e armës mbi gjoks, nuk e kam vënë re fare si dhe nga ka dalë Trimi. Poende, qesh habitur kur më pas ma tha se ishte ngritur në këmbë dhe ashtu, thjesht, kishte dalë nga shtëpia”, rrëfen në vazhdim Mehdiu, ky burrë trim i kryeqytetit të Kosovës.
“Asllani sa mundej shtyhej dhe përmeçatej me shkijet . Në një çast më ka shkuar mendja që ta rrëmbeja njërin shka e t’ia hiqja djalit nga shpina, por nuk ma mori mendja se mund të bëja çfarëdo qoftë, ngase ishin shumë të gjerë, për shkak të antiplumbave dhe mjeteve të tjera, dhe e dita se s’mund të bëja gjë dot, ndërsa ky shkau nga pas më vriste sigurisht.
Në këtë çast vendosa që ta përdor një lloj ‘politike’ dhe me një zë bukur të prerë e të lartë u thash shkije ve: ‘Lirojeni djalin se unë e qetësoj’. Atyre u konvenoi shumë ky llaf, ngase besuan se mund të na mashtronin kështu dhe pa e pyetur këtë policin që më ruante mua se a kam apo nuk kam leje, jam shmangur ca në drejtim të Canit dhe dy kriminelëve. Unë jam afruar pranë Asllanit të cilin shkijet e liruan dhe ky u drejtua. Për një çast, papandehur shkijet dot, meqë e dija se është aty, rrëmbyeshëm e kam futur dorën nën jastëk dhe e kam rrëmbyer edhe bombën tjetër të Canit. Jam kthyer rrëmbimthi tek ai derri ‘im’ i cili më mbante gjatë tërë kohës në shënjestër. Kam dashur që siguresën e bombës t’ia nxjerr para hundës, por… fatkeqësisht, gishti tregues i dorës së djathtë, të cilin e kisha të lënduar nga kohët, nuk më bëri punë dhe unë nuk ia dola që ta hiqja siguresën. Siguresa ishte shumë e shtrënguar. Më pas, kur u ndodha në këtë situatë të papandehshme krejtësisht, e ula dorën poshtë që të mos mundej shkau ta shihte se unë s’e kisha tërhequr siguresën e bombës.
Në fillim, jam i sigurt se nuk e vuri re këtë fakt as ky, meqë, sikundër edhe shkijet tjerë, u pllakos në panik dhe nisi të çirrej me sa zë që kishte: ‘Hidhe atë, hidhe!’
Në sy ia vura re se po i rriteshin bebëzat dhe ishte e qartë se ai donte t’ia tërhiqte këmbëzën kallashit. Por, nuk ia merrte mendja ta bënte këtë, ngase, edhe pse e kishte një lloj dyshimi, megjithatë, nuk e dinte se a ia kisha tërhequr këmbëzën bombës apo jo. Të më vriste, kishte drojë se bomba do të binte ndërmjet nesh dhe do ta hidhte edhe atë në ajër.
Nga ana tjetër, unë s’kisha kohë dot që ta ndërroja gishtin në siguresë dhe ta nxirrja atë nga bomba. Ndërsa, për një çast unë ia dola disi që ta nxirrja njërën vegë të siguresës, por shkau, rrëmbimthi, më goditi ne tytë të kallashit në dorë dhe ma hodhi bombën në tokë. Ajo ishte e mbyllur me siguresë dhe nuk shkrepi. Tashmë ishte e qartë se shkau nuk do të priste më, por do të më ekzekutonte në vend. Kështu, me dorë të majtë, furishëm, ia ngrita kallashin lart. Kallashi i çetnikut shkrepi në tavan. Unë, nuk dua të gënjej, në ato çaste nuk e kam dëgjuar krismën e kallashit fare.
Në çastin kur Cani e ka dëgjuar krismën e kallashit, e hodhi bombën që kishte në dorë mbi shtrat, pastaj e rrëmbeu Draganin për krahu dhe e vendosi mbi bombë. Pastaj iu hodh sipëri, duke mos e lejuar të lëvizë”, rrëfen Mehdiu.
KUR SHKREPI BOMBA, DUKET SE IA KËPUTI KRAHËT DRAGANIT
“Më dha Zoti kuvet. Pasi e lëshova bombën mbi shtrat e rrëmbeva Draganin nga krahu dhe e shtriva mbi shtrat, do të thotë mbi bombë. Këtu më erdhi në shprehje edhe forca që e kisha akumuluar kohë më parë kur kisha ushtruar body-bilding, por edhe dëshira për ta mposhtur të keqen, për ta mposhtur serbin e zi futë”, rrëfen Cani.
“Kur e hodha mbi bombë ai edhe nja dy herë bërtiti pak, por duket se u dekurajua. Ishte i tmerruar dhe pak para se shkrepi bomba atij i humbi edhe e tërë forca. Dridhej qeni si thupra në ujë. E kisha lehtë për ta mbajtur.
Kur shkrepi bomba, duket se ia këputi krahët Draganit. Pastaj u ngrita në këmbë dhe e përplasa Draganin pas. Ishte ende i gjallë. Dhe jam kthyer shpejt të gjej cilëndo prej armëve. Dhe e gjeta “Scorpionin’.
Gulçimën nga pëlcitjen e bombës e kam dëgjuar. Dhoma është mbushur me zhurmë. Në këtë moment, derisa ia kam mbajtur shkaut kallashin lart me dorën e majtë, me të djathtën ia kam nxjerrë revolen nga brezi, atë që e sodisja gjatë e gjatë pak më parë, dhe ia kam afruar tytën e saj tek goja e ia kam shkrepur rrastë.
Shkau mbeti pa shpirt dhe nisi të rrëzohet në drejtim timin. Kjo më befasoi, ngase po prisja të rrëzohej në anën e kundërt, sipas inercisë. Unë e kam shtyrë shkaun pas dhe jam kthyer e kam thirr Asllanin: ‘Can, babë, a je mirë, bre bir!?’
‘Mirë jam babë, mirë!’
Tri herë e pyeta Asllanin se a ishte mirë.
Është interesant se polici tjetër, ai që me atë farë Dragan ndyrësirën po mundohej ta mposhte Canin, në çastin kur Cani e hodhi mbi bombë Draganin, ai e kishte nxjerr revolen për ta qëlluar djalin, mirëpo fati e deshi që kur pëlciti bomba nën Draganin, atë e goditi në dorën që mbante armën, por edhe në kokë, si dhe në pjesët tjera të trupit. Po të mos të pëlciste bomba edhe një sekondë të vetëm, ai sigurisht se do ta vriste Canin. Më pas edhe bashkëluftëtarët tanë tek UÇK-ja e kanë parë se revolja e këtij çetniku ishte po ashtu e ‘plagosur’. Duket se atë ciflat e bombës ia kishin nxjerrë nga dora. Fati, de!
Unë kur e mora vesh se djali kishte shpëtuar, atëherë i jam afruar dhe Draganit, meqë kisha frikë se do të ma vriste djalin, edhe pse i plagosur nga bomba, dhe ia kam lëshuar edhe një plumb. E mori në krye. E kënaqa të birin e shkinës. Vetë kishte kërkuar belanë dhe e gjeti si më së miri. Ia bëra kryet shoshë.
Ndërsa shkau tjetër, i cili deshi ta vriste Asllanin pas shpine, ishte ngritur në këmbë e duar dhe ishte nisur të dilte nga dhoma. Unë iu vura pas dhe e zura tek dhoma tjetër. Edhe këtij ia shkrepa një plumb, i cili, po kështu, e mori në krye. Edhe këtij ia bëra kryet shoshë. E pagoi edhe ky një pjesë borxhi të serbit në Kosovë”, rrëfen Mehdi Asllani nga Prishtina, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ndërkohë, më është kujtuar edhe shkau, i cili po i mbante në shënjestër gruan dhe fëmijët. Kur jam kthyer, e kam vënë re se ai nga frika kishte ikur dhe kishte dalë jashtë.
Të drejtën, ai disa herë është përpjekur që të shtijë mbi gruan dhe mbi vajzat, sërish, por, sërish, nga frika dhe paniku që e kishte pllakosur, nuk ia kishte dalë dot që ta çlironte armën dhe të vepronte me te.
Bile, është interesant një detal që pasi shkau bënë disa përpjekje që të shtijë mbi gruan dhe vajzat dhe nuk i shkrep arma, atëherë gruaja e merr një pantofle të përbaltur dhe ia reshë duke e qëlluar shkaun e hutuar dhe të tmerruar në kokë. Kështu, siç e thash, çetniku del nga shtëpia i lagur ndër vete nga frika.
Tashti e vura re se edhe unë, nga plumbat e kallashit të shkaut të cilin ia ngrita lart isha plagosur në maje të kokës. Me gjasë plumbi është kthyer nga lartë. Nuk ishte plagë shumë e rrezikshme, por gjaku më rridhte curril.
Ndërsa edhe disa cifla të bombës më kishin goditur nëpër trup. Por, për habinë time asnjëra nga plagët nuk më dhimbstë”, rrëfen PLAKU.
PLAGOSJA E POLICIT TË KATËRT
“Kur u kthye babai nga dhoma tjetër, ku e vrau shkaun e tretë, unë e pyeta se a mbaroi punë. Ai ma pohoi. Tashti çështja ishte se si t’ia bënim me shkaun e katërt, i cili ia doli të ikë jashtë”, thotë Cani.
“Kur doli shkau jashtë”, thotë tutje PLAKU, “unë e dija se ai mund të thërriste në ndihmë, me anë të radiolidhjes, që të vinin shkijet tjerë. Atëherë kam vrapuar nëpër dhoma dhe kam shkuar tek banjoja e vjetër dhe e kam hapur dritaren që të shihja se ku ishte shkau. Ç’është e vërteta, dritarja e banjës pandehja se do të jetë më afër makinës së policëve”, thotë Mehdiu.
Por, ndërkohë, sa kam vrapuar unë nëpër dhoma deri tek banjoja, Cani e ka rrëmbyer “Scorpionin” dhe ka dalë në derë. Çetniku ishte strehuar në fund të murit, duke u orvatur që ta rregullonte kallashin. Poende, Kushtrimi, i cili tërë këto i shihte nga jashtë, tregon se fishekët i derdheshin sikur kollomoçit kur i bien kokrrat. Thjesht, polici serb ishte tmerruar krejtësisht.
Kur doli Cani në derë, e vërejti shkaun dhe shtiu mbi të. Fati e deshi që plumbat e armës së Asllanit e marrin kriminelin dhe e rrëzojnë.
“Pastaj”, vazhdon tutje rrëfimin e tij Mehdi Asllani, “kur e hapa dritaren unë, shkau i plagosur e kishte ndërruar pozicionin dhe kishte dalë mbrapa “101”-shit të tyre. Ai më vuri re, por nuk mund të ngriste armë kundër meje. Unë e ngrita revolen dhe ia lëshova një plumb. E mori, me gjasë, në nofull dhe e rrëzova sërish. Ah, thash, mirë u bë se e vrava edhe këtë bir kudre.
Pas dy tre minutash e kam vënë re se shkau ishte kapur për mbrojtëse të makinës dhe e kishte nxjerrë kokën për të vrojtuar. Unë e mora sërish në thumb. Desha t’ia marr kryet, ngase boll kryemadh ishte, por kësaj here alltia më qëlloi si shtrembër diçka dhe plumbi nuk e mori më shkaun. Thënë drejt, këta faqezi duheshim vrarë krejt në krye, ngase ishin të veshur me antiplumb, do të thotë ishin të mbrojtur.
Kur u ktheva tek Cani, tashmë ky e kishte rrotulluar shkaun në dhomë dhe ia kishte marrë voki-tokin, disa kllapa për të burgosur, karikatorët etj. Më pas, së bashku i mblodhëm të gjitha armët e shkije ve që i gjetëm aty. Ishte e çuditshme se ishim shumë gjakftohtë. Vetëm nuk e dinim se ku ishte Kushtrimi i cili e dinim se kishte dalë jashtë.
Pastaj u veshëm shpejt e shpejt dhe vendosëm që me gruan dhe fëmijët të ikim. Tashti, sipas planit që kishim bërë shumë më herët, do të vazhdonim në futje të veprimit planin B, do të thotë atë të evakuimit nga Prishtina. Kjo nuk ishte e lehtë, ngase duheshim tërhequr shpejt dhe sigurt, ndërsa nuk kishim shumë mundësi. Vërtetë shumë na ndihmoi ajo që këtë segment e kishim bërë plan që më parë”, rrëfen zoti Mehdi Asllani, ndërkohë që çështja e evakuimit është vërtetë një rrëfim i veçantë, një ngjarje me shumë peripeci dhe dramaticitet.
VORBULLA E DEZINFORMATAVE DHE E TË PAVËRTETAVE SI HISTORI E NJË VRASJEJE TË NJË KRIMINEL
Policia dhe disa shqiptarë gojëkëqij, pas kësaj ngjarjeje, ashtu siç ndodhte rëndom për ta ndryshuar të vërtetën, bëjnë një varg konstruksionesh. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë: këtë heroizëm të vërtetë të pjesëtarëve të UÇK-së duheshin njollosur dhe minimizuar. Kështu, për ilustrim, së pari masmediat serbe lëshojnë informacion se vrasjen e policëve e kishin bërë Mehdiu me Asllanin, do të thotë babë e bir, pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më pas, lajmi tjetër ishte se atë vrasje e kanë kryer Asllani dhe Bekimi, do të thotë djali tjetër i Mehdi Asllanit, për të cilin në këtë rast nuk përmendej se me t’et dhe vëlla ishte pjesëtar i UÇK-së, por e kishin shtuar se këtë e kishin kryer me disa të mitur. Më pas, duke u korrigjuar, ata e theksojnë se fjala ishte për Asllanin dhe Bekimin me disa shokë, cigarexhinj, njerëz nga ‘mafia shqiptare’.
“Ata flisnin dhe nxirrnin shumë versione dhe natyrisht ne qesheshim me të gjitha ato. Thoshin se ishin dy policë të vrarë e një i plagosur. Po ashtu, thoshin se i kishim pritur në pabesi dhe i kishim vrarë etj. Mirëpo, në fund të fundit, ishin krejtësisht të parëndësishme. Më e rëndësishmja ishte se ata erdhën të na kapnin të gjallë, ndërsa ne i vramë dhe u treguam se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk dorëzohen lehtë dhe se shkaut dinë t’ia kallin cergën edhe në mes të qytetit”, përfundon rrëfimin e tij Mehdi Asllani, PLAKU, i cili, kur në fund të shtatorit të vitit 1998 në Abri të Drenicës kriminelët serbë kishin masakruar familjen Deliu nga ky fshat i Drenicës, në prezencën e mëse 20 burrave e kishte dhënë besën se do ta merrte hakun e familjes së Diturie Deliut, gocës gjashtëjavëshe, të cilës shkijet i kishin prerë të ëmën në fyt.
Këtë ma konfirmuan shumë nga ushtarët kur dy ditë pas rastit sërish isha ngjitur në Gallap për t’u takuar me komandantin Adem Shehu, Fatmir Humollin, Istref Klinakun, Sejdi Veselin, Valon Muratin, Sali Mustafën–Calin, Kujtim Pasjaçën, Shefqet Humollin, Agim Kuletën, Bahri Gashin, Osman Shahinin, Fatmir Sopin, Isa Kastratin si dhe miqtë e bashkëluftëtarët e mi të tjerë.
Dhe, teksa po bisedoja me mikun tim Rrahman Dinin “Balin” për rastin e Emshirit, ngase shumëçka nuk e kisha të qartë nga ajo që kishte ndodhur në ditën kur ishte vrarë polici, pleh i zi, Dragani, më i mizershmi mbase në tërë Prishtinën, si nga askund, para më shfaqet, fillimisht Cani e më pas edhe Plaku, me të cilët që atëherë u morëm vesh që një ditë, në Prishtinën dhe Kosovën e lirë, ta bëjmë këtë rrëfim për publikun. Dhe këtë e bëmë një nate shtatori.
Kur u ndamë, Cani, ashtu i thjeshtë dhe i paimponueshëm siç është, iu bashkëngjit moshatarëve të tij në kafiterinë e preferuar në qytet, ndërsa Mehdi Asllani, Plaku, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili me të birin e tij Asllanin shënoi një epope të vërtetë në përleshjen me kriminelët serbë.