Si mund të aplikojnë qytetarët që nuk janë pjesë e BE-së për një vizë pune në Zvicër?
Nëse nuk jeni shtetas i një shteti të BE/EFTA-s, ju duhet vizë për të punuar në Zvicër, shkruan albinfo.ch.
Shtetasit e vendeve të treta, i një vendi që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, ose Norvegjia, Islanda ose Lihtenshtajni – EFTA, ndryshe nga njerëzit nga vendet e BE/EFTA, të cilët mund të shkojnë lirisht në Zvicër dhe të marrin një leje pune me lehtësi, do t’u duhet të kalojnë nëpër shumë hapa për të arritur deri në atë pikë.
Kjo është ajo që duhet të dini, sipas “thelocal.ch”.
Përpara se të kërkohet një vizë pune nga një ambasadë ose konsullatë zvicerane në vendin tuaj, duhet të ndërmerren fillimisht disa hapa të rëndësishëm administrativë.
E para dhe më e rëndësishmja midis tyre është në fakt të kesh një ofertë të fortë pune ose një punëdhënës të gatshëm t’ju punësojë.
Si për kujtesë, një punëdhënës zviceran mund të rekrutojë një punëtor nga jashtë BE-së/EFTA-s vetëm në kushte shumë strikte.
Për shembull, ju duhet të jeni një specialist i kualifikuar ose profesionist i aftë në fushën tuaj. Kjo do të thotë që ju duhet të keni një diplomë nga një universitet ose një institucion i arsimit të lartë, si dhe një numër vitesh përvojë pune profesionale.
Për më tepër, ju mund të punësoheni vetëm nëse punëdhënësi mund t’u provojë autoriteteve se nuk mund të gjendet asnjë kandidat i përshtatshëm zviceran ose BE/EFTA për të plotësuar pozicionin vakant.
Vetëm kur të plotësohen këto kritere strikte dhe vetëm nëse nuk është shteruar ende kuota e lejes e rezervuar për punonjësit e vendeve të treta, do të lejoheni të punoni në Zvicër.
Së pari, punëdhënësi duhet të aplikojë tek autoritetet e imigracionit në kantonin e tyre për lejen tuaj të punës ose L ose B, në varësi të kohëzgjatjes së kontratës suaj të punës.
Kompania duhet të vërtetojë se të gjitha kushtet e sipërpërmendura për punësimin tuaj janë plotësuar.
Pasi të jenë dorëzuar autorizimet e kërkuara, aplikacioni duhet t’i dërgohet për miratim Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), autoriteti përfundimtar për të gjitha çështjet që lidhen me imigracionin dhe lejet e punës.
Nëse autorizimet e kërkuara janë dorëzuar, hapi tjetër është aplikimi për vizën e hyrjes.
Përveç dokumenteve të tjera që duhet të paraqisni – si fotokopje e pasaportës tuaj si dhe kontratës së punës – ju do të bashkëngjitni edhe autorizimin e punës të lëshuar nga autoriteti kantonal.
Pasi të arrijë viza e hyrjes (zakonisht pas disa javësh, megjithëse procesi mund të marrë më pak kohë) ju jeni të lirë të hyni në Zvicër.
Megjithatë, përpara se të filloni punën tuaj, do t’ju duhet të paraqiteni në zyrën kantonale të imigracionit që ka lëshuar lejen tuaj të punës, jo më vonë se 14 ditë pas mbërritjes tuaj.
Ju mund të aplikoni për vizë vetëm nga jashtë, pasi nuk mund të shkoni në Zvicër si turist dhe të kërkosh punë.
Nëse e bëni këtë dhe ndodh që të gjeni një të tillë, përsëri do t’ju duhet të largoheni nga Zvicra dhe të ndërmerrni procesin nga vendi juaj. /REL