SI MUND TË DILET NGA KJO KRIZË?

05 shkurt 2024 | 20:51

Shkruan: Milazim Krasniqi 

Jemi rrasë fjalë nga ambasadorë, ministra e emisarë që vejevijnë në Kosovë “si korpat e Zveçanit.” Njëri i bie thumbit, tjetri patkonit. Siç dihet, ka raste të shumta kur diplomatët e huaj e ushqejnë një krizë, sepse kanë interesa të kundërvëna. Rrjedhimisht as nuk është rastësi që Kosova i ka punët keq si në planin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të brendshëm. I ka sepse ka deficit të lidershipit të vet. Po të kishim lidership të vërtetë qeverisës dhe politikë mirëfilli shtetërore, zgjidhja do të mund bëhej me disa poteza, duke ua imponuar iniciativën tonë edhe të huajve. Ja si do të duhej të lëvizej drejt zgjidhjes së problemeve konkrete! 1. Dorëheqja momentale e katër kryetarëve të komunave në veri, shpallja e mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në ato komuna. 2. Dërgimi i menjëhershëm i Draft-Statutit nga ana e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese dhe harmonizimi e pastaj miratimi i tij nga qeveria. 3. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit, në pako me rregullimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë me një Marrëveshje Themeltare (Temeljni ugovor) të qeverisë së Kosovës me KOS (jo me qeverinë e Serbisë.) 4. Nëse qeveria Kurti nuk ka guxim që të marrë këso vendimesh, gjë që po duket sheshazhi, mund të formohet një qeveri e koalicionit të gjerë, vetëm për ta përmbyll nga ana e Kosovës këtë proces. (Në variantin e skajshëm mund të thirret një Asamble Kushtetuese, me mandat për ta mbyll këtë proces) 5. Pastaj me një akord të të gjithë akterëve mund të shkohet në zgjedhje të përgjithshme. Konkludim: e sigurt është që statu quoja nuk i konvenon Kosovës, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën qortim e presion të sponsorëve të saj, pa asnjë gjasë që të pranohet në OKB. Ndërsa Serbia është amnestuar edhe për sulmin në Banjskë dhe për politikat rusofile. Ky është një realitet absurd i llojit të vet, prandaj do të duhej të gjendej rruga që të dilet nga kjo situatë absurde. Nga kjo gjendje dilet vetëm me vendime të forta, të guximshme e me efekte strategjike. Jo me poteza me qëllime populiste, të cilat që të nesërmen kthehen kundër Kosovës, siç u kthye puna e targave, e inaugurimit të kryetarëve të komunave, e bastisjeve të marketeve e barnatoreve dhe e dinarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) tha se konsumatorët…