Si ndalohet vjedhja e rrymës?

21 gusht 2022 | 14:23

Për shkak të vjedhjes së rrymës, deri në 40 konsumatorë shkyçen brenda një dite nga rrjeti i elektrik, thonë punonjës të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike të Kosovës (KEDS).

Kohëve të fundit, KEDS ka rritur kontrollet tek ekonomitë familjare dhe komerciale, që dyshohet se shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.

Kontrollet po bëhen për shkak edhe për shkak të krizës energjetike që ka mbërthyer Kosovën dhe Evropën dhe rrjedhimisht, në Kosovë janë rikthyer reduktimet e rrymës për shkak të çmimit të lartë në berzat ndërkombëtare.

Një aksion të tillë për shkyçjen e rrymës në rajone të ndryshme të Kosovës, ekipi i KEDS-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës e kryen edhe më 16 gusht.

Ekipi i “Radios Evropa e Lirë” ishte i pranishëm në këtë aksion.

Një biznes në Komunën e Podujevës është shkyçur nga rrjeti pasi ekipi i KEDS-it konstatoi se rryma e shpenzuar nuk po faturohej. Ndaj këtij biznesi u ngrit kallëzim penal për vjedhje të rrymës.

Koordinatori për kontrollimin e humbjeve në KEDS, Fatos Çeku, ka treguar për “Radion Evropa e Lirë” se në çfarë forme në shumicën e rasteve vidhet rryma.

“Vjedhjet bëhen në forma të ndryshme, si për shembull ka linja direkte jashtë pikës matëse me kabllo të ndryshëm, ndërprerës, prekje të njësorit, e të tjera”, ka thënë Çeku.

Sipas institucioneve shtetërore, në Kosovë rreth 19 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë paraqitet si humbje teknike dhe komerciale.

Humbjet teknike të energjisë elektrike janë ato që humbin në rrjetin shpërndarës, ndërkaq ato komerciale janë konsum i paautorizuar.

Megjithatë, Ministria e Ekonomisë ka thënë se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike vitin e kaluar ka qenë 110 milionë euro, ndërkaq këtë vit parashihet që të arrijë në vlerën prej 99 milionë eurosh.

Niveli i lartë i humbjeve teknike dhe komerciale të rrymës thuhet se është një ndër shkaktarët për furnizim jo të qëndrueshëm me energji në Kosovë.

Humbjet e rrymës po e përcjellin Kosovën që nga paslufta. Ekspertët e energjisë kanë thënë se niveli i vjedhjes së rrymës ndër vite ka rënë, por mund të bie edhe më shumë.

Profesori në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, Bedri Dragusha, ka thënë se KEDS-i mund të realizojë eliminimin e vjedhjes së rrymës. “Vendosja e njësorëve digjitalë ose njësive matëse në shtyllat elektrike apo në hyrje të shtëpive mund të parandalojnë vjedhjen. Matës të tillë regjistrojnë sa energji kalon deri aty. Dhe nga ai vend, KEDS-i më pas e di se sa është vjedhur rryma sepse nuk faturohet”, ka thënë  Dragusha.

KEDS-i ka thënë se ka investuar në njësorë digjitalë dhe njësi matëse dhe këto investime kanë ndikuar që ndër vite të bie niveli i vjedhjes së rrymës. Megjithatë, kjo kompani thotë se humbjet e energjisë ende janë të mëdha.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se nga 630 mijë njësorë, tashmë rreth 500 mijë prej tyre janë digjitale. “Kjo ka ndikuar në zvogëlimin e humbjeve”, ka thënë Buzhala, duke shtuar se humbjet teknike dhe komerciale më 2013, kur ka nisur operimin KEDS-i pas privatizimit, kanë qenë 32 për qind.

Sipas Viktor Buzhalës, KEDS-i për çdo vit dorëzon në gjykata rreth 5.000 kallëzime penale për keqpërdorim të energjisë elektrike.

Por, përveç digjitalizimit të njësorëve, Besfort Kosova, menaxher në iniciativën rajonale “Balkan Green Foundation”, ka vlerësuar se mosefikasiteti i gjyqësorit ka ndikuar në përqindjen e lartë të keqpërdoruesve të rrymës.

Edhe zëdhënësi i KEDS-it, ka thënë se nëse këto raste do të shqyrtoheshin nga gjykatat, “ky problem nuk do të ekzistonte”. “Rreth 80 për qind e lëndëve për një kohë të gjatë nuk janë shqyrtuar fare”, ka thënë t=Buzhala.

“REL”-i ka pyetur edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës se sa lëndë janë zgjidhur deri më tash dhe sa janë të pazgjidhura, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se janë duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë KEDS. Nga ky institucion kanë paralajmëruar se do të merren masa shtesë për këtë dukuri.

Vjedhja e energjisë elektrike jo vetëm që është vepër penale sipas Kodit Penal, thuhet në njoftim të kësaj ministrie të datës 16 gusht, por tashmë ajo përbën “kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve” .

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Kosova në…