Si ndikon te organizmi i njeriut ndryshimi i akrepave të orës
Me ardhjen e pranverës, tashmë që edhe dita me natën u barazuan dhe e para fillon rrugëtimin e saj për t’i marrë sa më shumë kohë errësirës, ka ardhur koha edhe për të ndryshuar orën.
Duke gdhirë e diela e 25 marsit, do të rikthehet ajo që quhet ndryshe edhe si “ora ligjore”. Ndryshimi do të ndodhë në orën 02:00 pas mesnate, kur akrepat do të avancojnë me 60 minuta, duke treguar menjëherë orën 03:00 të mëngjesit.
Ndryshimi i orës në fakt sjell disa disavantazhe për mirëqenien tonë. Organizmi i njeriut e ndien menjëherë ndryshimin, njësoj siç ndihet lodhja fizike me të cilën përballemi kur kalojmë nga një zonë orare në një tjetër, pas një udhëtimi të gjatë ajror. Sipas disa studimeve, ata që e ndiejnë më shumë ndryshimin janë fëmijët dhe të moshuarit, transmeton tch.
Trupi ynë mund të vijojë të ndiejë ndryshimin edhe në ditët pasardhëse. Sipas një studimi të publikuar në “Neuroscience Letters”, njerëzit tentojnë të flenë më pak dhe shohin më pak ëndrra në periudhën e tranzicionit nga ora diellore në atë ligjore, e anasjelltas.
Ndryshimi i orës shkakton rritje të stresit dhe një lodhje të përgjithshme, që ndikon edhe në kapacitetin tonë të përqëndrimit. Edhe prej këtij motivi është evidentuar një rritje e numrit të aksidenteve rrugore, më së shumti të hënën e parë pas fundjavës së ndërrimit të orës.
Gjithsesi, është provuar gjithashtu se, duke përjashtuar të hënën e parë, incidentet vdekjeprurëse ulen ndjeshëm në periudhën kur është në fuqi ora ligjore. Me shumë mundësi, motivi kryesor është fakti që ka më shumë sasi ndriçimi në orët kur njerëzit kthehen nga puna.
Si mund ta përballojmë ndryshimin e orës? Sigurisht duke tentuar të vetëpërgatitemi një apo dy ditë përpara, në mënyrë që organizmi ynë ta ndiejë sa më pak lodhjen me të cilën do të përballet. Duke u përpjekur të shkojmë në shtrat disi më shpejt sesa zakonisht, kjo mund të ndihmojë shumë orën tonë biologjike, e mund të përballemi me më pak probleme zgjimi. Në përgjithësi, edhe në këtë rast stili i jetesës bën diferencën. Përqëndrohuni tek aktivitetet fizike dhe ushqimi i shëndetshëm, mbi të gjitha në mbrëmje është mirë të konsumoni një darkë më të lehtë.
Një këshillë e fundit, njerëzit tradicionalë do të duhet të vazhdojnë të ndryshojnë akrepat e orëve të tyre të murit, ndërsa ata që janë më modernë, të epokës “high tech”, nuk do të kenë nevojë të kujdesen për orarin e telefonave të tyre “smartphone”, pasi ora ndryshon automatikisht bazuar mbi GPS-in.