Si nis hetimi i Byrosë për konfiskimin e pasurisë dhe kush janë të targetuarit?

19 korrik 2022 | 08:00

Në emisionin “Pressing” të t7 mbrëmë është diskutuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në panel kanë qenë të ftuar Albert Krasniqi, Avni Zogiani, Ehat Miftaraj dhe Jusuf Thaçi.

Gjatë emisionit u fol edhe për procedurat se si nis verifikimi i pasurisë së dikujt.

Opinionisti Avni Zogiani tha se procedura e verifikimit nis me informata të jashtme.

“Procedura nis me informata të jashtme dhe kjo është konstatuar si problem”, tha Zogiani.

Ndërsa Albert Krasniqi ka dhënë detaje të tjera rreth këtyre procedurave. Ai tha se janë dy raste kur nis procedura. Rasti i parë, sipas Krasniqit, është sipas detyrës zyrtare, ndërkaq rasti i dytë është kur pranohen informacione nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Janë dy raste kur nis procedura. E para është sipas detyrës zyrtare, byroja i ka agjentët e vet që mund të nisin vet me verifiku ata që dyshojnë, po për këtë ka thënë që duhet të ketë një sistem, a do të përzgjidhen në mënyrë të rëndomtë apo të profilit të lartë dhe pikërisht këtu thotë që ekziston rreziku që kjo gjykatë do të mbi ngarkohet me raste të profilit të ulët, e profili ilartë nuk do të preket nga kjo byro. Për këtë duhet ti caktojmë kategoritë, niveli i lartë po na intereson, peshqit e mëdhenj. E dyta thotë që mundet të pranojë informacione nga institucionet e Republikës së Kosovës, persona fizikë, juridikë apo persona tjerë të cilët në mënyrë anonime mund të dorëzojnë informata dhe byroja i nis hetimet. Praktikisht mund të nisin ndaj kujt të dojnë, kur të dojnë me i kry këto verifikime”, tha Krasniqi.

Ai bëri me dije se IKD ka nxjerrë mesataren për një rast në Gjykatën Themelore, e që është 8.3 vjet.

“Rreziku i konfiskimit civil është që me këto abuzohet në publik, të bëhet gjyqi publik, byroja i nis hetimet, ty të privon nga angazhimit politik sepse njerëzit do të thonë që je i korruptuar. Mesatarja që e ka nxjerrë IKD-ja është 8.3 vjet i një rasti në gjykatën themelore”, tha Krasniqi.

Ehat Miftaraj nga IKD njoftoi se në momentin që Byroja nis hetimet, personit të caktuar i ngrihet pasuria dhe nuk ka qasje në të.

“Nëse ta ngrin pasurinë, 8.3 vjet nuk ki qasje në të. Në momentin që shkon në Gjykatë ajo pasuri duhet me u ngri ”, tha Miftaraj.

Albert Krasniqi tha se pasuria ngrihet në rastet kur ka rrezik se ajo mund të tjetërsohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelensky, është takuar të…