Si po krijohen problemet kombëtare e shoqërore
Nga Jakup Krasniqi
Pa asnjë dyshim, shoqëria njerëzore ka arritur suksese në shumë fusha të jetës politike, kulturore, arsimore, shëndetësore, shkencore e zhvillimore. Të gjitha këto janë rezultat i energjive pozitive të njerëzve mendjehapur që kanë shikuar e punuar për një të ardhme më të mirë, më të begatë e më lehtësuese për shoqërinë njerëzore.
Për dallim nga energjitë pozitive, shoqërinë njerëzore e kanë përcjellë dhe po e përcjellin edhe sot energji negative, që jo pak herë e kanë rrezikuar ekzistencën e shoqërisë njerëzore. Dëme të mëdha i kanë shkaktuar e vazhdojnë t’i shkaktojnë njeriut dhe shoqërisë edhe sot e kësaj dite. Energji negative për shoqërinë prodhon edhe “dashuria” e njerëzve për vetveten dhe kombit që i përkasin. Kjo “dashuri” i pengon njerëzit që të shohin interesin e individit tjetër apo të kombit tjetër. Energjia negative rezulton e rrezikshme sidomos kur politika shtetërore bëhet qendra e përhapjes së saj, në këto raste energjia negative (dashuria për kombin tim hyjnor) prodhon shumë urrejtje për kombet tjera dhe zakonisht në raste të tilla nacionalizmi bëhet i egër dhe prodhon politika të krimit e të gjenocidit. Kjo formë e nacionalizmit të egër në rajonin e Ballkanit është shfaqur në shekullin XIX, ka vazhduar në shekullin XX në Serbi, sidomos u rishfaq me egërsi të shtuar në mesin e viteve të ’80-ta në Projektin e ASHAS-së. Ndërsa kulmin e arriti në vitet e ’90-ta. Në këto vite u shkaktuan më se tri luftëra që popujve të Federatës Jugosllave, të udhëhequra nga Serbia. Shqiptarët, boshnjakët e kroatët përjetuan gjenocidin që Serbia e Millosheviqit ushtroi mbi këta popuj që me dekada kishin bashkëjetuar. Kishin bashkëjetuar me gjarprin me zile në gji! Këto luftëra konfirmuan se ajo bashkëjetesës ishte e dhunshme, edhe pse për vite ishin paketuar si politika të bashkim-vëllazërimit! Krijesat federative të sistemit socialist në Europë askund nuk përfunduan me luftëra si në shpërbërjen e federatës jugosllave.
“Dashuria” për vetveten e popullit serb, e krijuar nga miti i rrejshëm serb,e pamë sesi shndërrohet në urrejtje për të tjerët deri në politika të krimit e të gjenocidit. Këtë “dashuri” ne shqiptarët e tejkaluam disi, është mirë që ia lamë historisë, ndonëse atë histori të dhimbshme nuk mund e nuk guxojmë kurrë që ta harrojmë. Tani, që njëzet, përkatësisht dhjetë vjet pas pavarësisë, cila dashuri po na e rrezikon të sotmen e të ardhmen tonë njerëzore e kombëtare? Sot, njeriun e kombin tonë është duke e rrezikuar dashuria për grykësinë personale, për njerëzit e klanin që i përket a i përkas, dashuria për mendimin që kam a që ke, për politikën që e ushqej a e ushqen, për qeverisjen që e ushtroj apo e ushtrojmë, qeverisje thjesht për përfitime personale. Me këto dashuri që i kultivuam pas Pavarësisë, çka i ndihmuan njeriut tonë, bashkëkombësve tanë dhe pasurisë së vendit tonë? Si ta quajmë këtë dashuri? Dashuri apo grykësi? Mbase, ta quajmë më saktë, dashuri për grykësi! “Dashuri” e cila njerëzve tanë u ka shkaktuar e po ju shkakton dhimbje të mëdha. U ka shkaktuar humbje të shpresës e të besimit, ua ka mbjellë në kokë paperspektivën për jetën në atdheun e tyre. Kjo ka bërë që shpresën e perspektiven ta shohin në ikje nga atdheu i tyre aq i dashur. Edhe pse kjo dashuri është zvetënuar shumë! E atdheut nuk i mjafton vetëm dashuria e qeveritarëve, por dashuria e përkushtimi i së paku shumicës së qytetarëve të tij.
Përfaqësuesit e mandatuar të popullit e kanë marrë mandatin nga qytetari që të qeverisin për të mirën e qytetarëve, që të qeverisin me paranë e pasurinë e tij, për t’i siguruar arsim e edukim cilësor, për të zhvilluar vendin, për punë, siguri e drejtësi (gjyqësi), për kulturë e shëndetësi, për një jetë më se të dinjitetshme. Koha është që ta mbyllim një praktikë që nuk na dha besim e siguri dhe ta fillojmë një praktikë tjetër për mandatimin e njerëzve, por kjo nuk bëhet duke fryrë balona politikë, siç kemi bërë që gati tridhjetë vjet, por duke ua dhënë mandatin për qeverisje njerëzve të dinjitetshme, njerëzve që kanë dije e dashuri për njeriun, për kombin e shtetin! Ne nuk i kemi respektuar dhe nuk po i respektojmë njerëzit e dinjitetshëm, njerëzit që kanë dhënë dëshmi të shumta për dijen e dashurinë për vendin e kombit që i përkasim. Këta njerëz i kishim në vendin tonë, por nuk deshën të shihen nga njerëzit e meritave të luftës. Pa dyshim, ata të luftës kishin merita për lirinë e çlirimin, por nuk kishin dije e përvojë për të qeverisur e bërë politikë për të mirën e kombit, ashtu siç ditën për vete.
Shkurt: Problemet shoqërore në demokraci nuk krijohen vetëm nga një pakicë, ato krijohen nga shumica që mandaton njerëzit për të qeverisur me dije e dashuri për kombin e shtetin. Vetëm njerëzit e papërgjegjshëm, që mandatohen nga shumica qytetarëve të pavëmendshëm i krijojnë problemet shoqërore, fillimisht në shkallë kombëtare e pastaj edhe në shkallë rajoni dhe përtej tij. Këtë e kemi parë dhe e kemi të freskët në kujtesë, se çka ndodhi kur populli serb i dha mandat Millosheviqit për t’i luftuar të gjithë të tjerët që i konsideronte kundërshtarë të interesave serbe. Madje, që dhjetë vite edhe ne po e shohim sesi bëhet mandatimi i të papërgjegjshmëve, çfarë probleme po i shkaktojnë shoqërisë e shtetit tonë. Kosova para qershorit të vitit 1999 kishte probleme që nuk vareshin vetëm nga uniteti i brendshëm kombëtar. Pas qershorit të vitit 1999, e sidomos pas Pavarësisë më 17 shkurt 2008, problemet e Kosovës kryekreje janë tek mosdefinimi i qartë nga politika jonë (pozitë – opozitë), e cila nuk po e definon e as po e dallon qartë interesin kombëtar e shtetëror nga ai zgjedhor.
Politika e çakorduar e Kosovës në dhjetë vitet e fundit, qeverisja e keqe, mossundimi i rendit dhe i ligjit, mosndëshkimi i krimit ekonomik dhe i korrupsionit (gjatë gjithë periudhës së pasluftës), kanë bërë që Kosova për shumëçka të trajtohet si Serbia, madje edhe sa u përket krimeve të luftës! Ani pse Serbia ka udhëhequr politika të gjenocidit ndaj tre popujve, shqiptarëve, kroatëve e boshnjakëve. Dhe çuditërisht, nga Drejtësia Ndërkombëtare nuk pati ndonjë gatishmëri për ta dënuar Serbinë për gjenocid! Në këtë mënyrë Serbia u amnistua për t’i paguar dëmet e luftërave. Dëme që janë shkaktuar në ditët me diell, me pasojat e të cilave dëme po jetojmë edhe sot e gjithë ditën.