Si po “vdesin” një nga një liqenet e njohura në Evropë
Liqeni Montbel është një liqen vezullues, që shtrihet në 1400 hektarë në Francën jugperëndimore, në ultësirën e Pirenejve – një strehë për kafshët e egra, një burim jetik ujitjeje për fermerët dhe sjell ujë për lumenjtë lokalë. Mund të konsiderohet një parajsë turistike. Por pas dimrit më të thatë në më shumë se gjashtë dekada, ai është një hije e vetvetes së mëparshme.
Nivelet e pakësuara të ujit, varkat e zhytura në tokë, toka e plasaritur e shtratit të liqenit – këto janë pamjet aktuale të liqenit Montbel që të kujtojnë më shumë atë që mund të pritet në fundin e një vere përvëluese. Jo në fund të dimrit.
Aktualisht, në rreth 28% të kapacitetit të tij, nivelet e ujit janë më pak se gjysma e zakonshme për këtë periudhë të vitit.
“Në historinë e liqenit, të krijuar në fillim të viteve 1980, kjo është hera e parë që kjo situatë ka qenë kaq serioze,” tha Boris Rouquet, një fermer dhe drejtues për Federatën Kombëtare të Sindikatave të Fermerëve në Ariège, rajoni ku ndodhet liqeni Montbel.
Liqeni është përballur me kohë të vështira më parë “por kjo është gjendje e jashtëzakonshme”, tha Rouquet për CNN.
Kjo histori e ekstremeve është ajo që po shfaqet në të gjithë Evropën.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, bora dhe shiu që kanë goditur Kaliforninë kanë ndihmuar në mbushjen e rezervuarëve dhe lehtësimin e thatësirës së pandërprerë, dimri nuk ka qenë aspak i mirë për shumë pjesë të Evropës.
Ende të tronditur nga vera e vitit të kaluar dhe thatësira më e keqe në 500 vitet e fundit, pjesë të kontinentit kanë përjetuar nivele kaq të ulëta të borës dhe shiut, saqë frika po rritet për atë që mund të ndodhë me afrimin e verës – dhe më tutje.
Ndërsa ndryshimet klimatike intensifikohen, shkencëtarët thonë se mund të presim që thatësirat dhe valët e të nxehtit të bëhen më të shpeshta dhe më të rënda – duke ushtruar presion të madh mbi burimet ujore.
Temperaturat në Francën jugperëndimore u rritën në 30 gradë Celsius të mërkurën, sipas Météo-France, shërbimi i motit të vendit. Ishte dita më e nxehtë e marsit e regjistruar në vend që nga viti 1900, tha agjencia. Dhe fillimi i ngrohtë i vitit po vjen dorë për dore me reshje jashtëzakonisht të ulëta.
Midis janarit dhe shkurtit, Franca pati më shumë se 30 ditë radhazi pa reshje të konsiderueshme – shtrirja më e gjatë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1959. Shtuar kësaj, reshjet e borës kanë qenë shumë të ulëta, që do të thotë më pak shkrirje bore për të rimbushur lumenjtë në pranverë.
Më shumë shi ka rënë në mars, por jo aq sa duhet. “Liqeni Montbel mbetet në një nivel anormalisht të ulët”, tha për CNN Franck Solacroup, drejtori rajonal i Agjencisë së Ujit Adour-Garonne, i cili mbulon zonën që përfshin liqenin Montbel.
Fermerët si Rouquet, të cilët mbështeten te liqeni, duhet të marrin vendime të vështira se çfarë të kultivojnë. Disa kanë ndaluar mbjelljen e kulturave të caktuara, të tjerët kanë mbjellë më shumë drithëra me shpresën se do të bjerë shi. Fermerët blegtoralë janë të shqetësuar për të pasur ushqim të mjaftueshëm për kafshët e tyre dhe disa madje mund të detyrohen të pakësojnë tufat e tyre, tha Rouquet.
“Nëse liqeni nuk mbushet mjaftueshëm, fermerët nuk do të jenë në gjendje të ujitin dhe mbijetesa e shumë fermave është në rrezik,” tha ai. Po dëmton moralin e fermerëve. “Ne shpesh flasim për anën financiare, por ana njerëzore është shumë e prekur.”
Ndërsa vera afrohet, situata “nuk parashikohet e mirë”, tha Solacroup. Vitin e kaluar, rreth 400 bashki në rajon kishin kufizuar ose ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm.