Si shkoi në fshehtësi të plotë udhëtimi i Bidenit në Kiev?
Udhëtimi i presidentit amerikan Joe Biden në Kiev të hënën u bë në fshehtësi të plotë. Aeroplani presidencial “Air Force One” është nisur nga baza ajrore Andrews në mbulimin e errësirës rreth orës 4:15 të mëngjesit të dielën.
Gazetarëve që po udhëtonin me presidentin nuk u lejua të mbanin celularë me vete. Në agjendën publike nuk u bënë të ditura detajet rreth udhëtimit, ndërsa zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u shprehën javën e shkuar se vizita në Ukrainë nuk ishte opsion.
Të shtunën mbrëma, përpara nisjes, Bideni darkoi me bashkëshorten e tij në Uashington dhe nuk u pa më në publik derisa mbërriti në Kiev të hënën.
Ukraina është një zonë aktive luftë ku ushtria amerikane nuk ka asnjë kontroll dhe kjo e bën vizitën e së hënës të ndryshme nga çdo udhëtim tjetër presidencial në Irak apo në Afganistan.
Bideni ka udhëtuar me një delegacion relativisht të vogël, duke përfshirë këshilluesin kombëtar Jake Sullivan, zëvendësdrejtuesen e stafit Jen O’Malley Dillon dhe ndihmësen e tij personal Annie Tomasini.
Presidenti ukrainas e ftoi fillimisht homologun e tij amerikan për ta vizituar Kievin një vit më parë kur forcat ruse po i afroheshin kufirit.
Jo më larg se javën që shkoi Zelensky e përsëriti se ftesa e tij për Bidenin mbetej e hapur, edhe pse nënvizoi se opsione të tjera për të komunikuar ka.