Si sot, 21 vite më parë ra heroi i shqiptarisë, gjeneral Tahir Malë Sinani
Shkruan: Sedat Kryeziu
Emër i njohur në çdo cep të trojeve etnike. Gjatë luftës ishte komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, ku tregoi trimëri të rrallë në aksionet dhe betejat që u zhvilluan në këto anë. Kontributi i tij në organizimin e radhëve të UÇK-së ishte mbresëlënës. Statura tipike e një ushtaraku reflektonte tek vartësit e tij kurajo e guxim për t’u përballur me falangat serbo – çetnike.
Mori pjesë në luftën që e bënë vëllezërit tanë në Preshevë e Bujanoc, ku spikati në betejat e Konçulit, Dobrasinit etj.
Pas përfundimit të luftës në këtë zonë, ai më shumë luftëtarë të sprovuar u bë pjesë e luftës në Maqedoni.
Rrëzë bjeshkëve të Korabit, afër Gostivarit, ra heroikisht me 29.07.2001, bashkë me luftëtarën e lirisë, të burgosurën politike, Hyrë Emini, si dhe Naser Ademin, Brahim Ademin e Hisë Fazliun.
Komandant Tahir Sinanin unë e kam njohur pas luftës. Ai bashkë me axhen e vëllezërit e mi shërbenin në Zonën e II- të Mbrojtëse të TMK – së. Organizonim ndeje në familje dhe në të shumtën e herave ishte pjesmarrës edhe heroi. E shikoja me admirim, e para se ishte nga Shqipëria dhe e dyta, më kishin treguar vëllezërit për trimërit dhe të bëmat e tij gjatë luftës.
Ditën e rënies, në familjen time këtu në Suharekë kishim dasëm ku martoheshin dy vëllezërit e mi. Ahengu në oborrin e shtëpisë sa kishte filluar, dhe për disponimin e shumë mysafirëve këndonin solistet e mirënjohur të estradës sonë, Violetë Kukaj dhe Hamëz Llapqeva. Në mesin e shumë të pranishmëve ishte edhe vëllau i Tahirit, Skënder Sinani që në atë kohë shërbente në Trupa Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Lajmi i hidhur i erdhi axhes tim, Nezir Kryeziut i cili u trondit jashtëzakonisht shumë, njejtë e përjetuam edhe ne të tjerët, po sa e morëm lajmin. Muzika e vallet u ndërprenë
Zymtesia e eklipsoj atë atmosferë impozante që mbretëronte deri në ato çaste. Aty u krijua një situatë e rëndë, mirëpo më rënduese ishte së kush do ta njoftojë Skenderin(vëllaun e Tahirit) i cili ende nuk dinte asgjë. Axha im e mori përsipër ta njoftojë dhe e beri këtë gjë. Me insistimin e shumë miqve, muzika rifilloi serish.
Pas dasmës, tri ditë në shtëpinë tonë është hapur e pamja. Nga Tropoja erdhën vëllezërit e tij, të cilët qëndruan dinjitoz, por edhe krenar për veprat heroike të vëllait të tyre. Edhe sot, gjithandej ku flitet shqip, emri i Tahir Sinanit përkujtohet dhe nderohet me krenari e pietet.
Lavdi e nderim i përjetshëm, komandant Tahir Malë Sinani!????