Si ta lëmë duhanin ?

29 janar 2018 | 21:44

Duhani vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjes në të gjithë Perëndimin dhe vret më shumë se 70.000 njerëz çdo vit.

Duhani është përgjegjës për 90% të rasteve të kancerit të mushkërive, 70% të kancerit të fshikëzës dhe mijëra lloje të tjera të kancerit (stomaku, mëlçia, laringa, faringu, pankreasi) që diagnostikohen çdo vit. Gjithashtu pirja e duhanit rrit mundësinë e dëmtimit të zemrës dhe sistemit të qarkullimit të gjakut, duke favorizuar patologji të tilla si goditje, arteriosklerozë dhe sëmundje vaskulare periferike. Dhe me këto lidhet një seri e gjatë sëmundjesh: nga bronkopneumopatia kronike obstruktive (Bpco), që po bëhet shkaku i tretë i vdekjes në mbarë botën, bronkiti dhe pneumonia; tek dëmtimi i lëkurës, mosfunksionimi erektil dhe impotenca tek meshkujt.

Hapi i parë: të bëni “identikit” të duhanpirësit (dhe kërkoni ndihmë)

“Kur një duhanpirës më në fund vendos ta lë duhanin dhe kërkon ndihmë, sipas “identikit “të tij (sa dhe kur pi duhan, pse, sa kohë dhe sjellja e tij, madje edhe psikologjike, për sa i përket duhanit) mjeku vendos se çfarë strategjie duhet të përdorë për ta ndihmuar atë të përballet me simptomat që lidhen me abstinencën – shpjegon Roberto Boffi, mjek pneumolog, i cili është përgjegjës për Qendrën Anti-Duhan të Institutit Kombëtar të Kancerit në Milano. Mund të zgjidhet një mënyrë unike ose një përzierje strategjish në varësi të personit që keni përballë.

Pilula, arna, inhalatorë dhe çamçakëz

“Terapia zëvendësuese e nikotinës” është një strategji që ka rezultuar të jetë shumë efektive dhe konsiston në përdorimin e gjërave të tjera (ëmbëlsira, arna, inhalatorë dhe çamçakëz) me një përmbajtje të ulët të nikotinës për të zbutur simptomat e abstinencës. Praktikisht, qëllimi është të furnizojë organizmin me nikotinë për të kompensuar dozën “e zakonshme” ditore që mungon nga duhani. Ilaçet e ndryshme me bazë nikotine mund të blihen në farmaci, pa recetë, por për të vendosur për kohën dhe dozën mund të jetë e dobishme të ndiqni këshillat e mjekut tuaj: zakonisht duhet t’i merrni ato për tre muaj, me një dozë ditore që do të reduktohet me një të tretën në muaj.

Barnat e përshkruara nga mjeku juaj

Një tjetër metodë efektive dhe e sigurt për ndërprerjen është terapia farmakologjike me bazë buproprion ose vareniklin. Vareniklin është një ilaç agonist/antagonist i nikotinës që, duke vepruar në një nivel cerebral në një mënyrë të ngjashme me të, është në gjendje të zvogëlojë dëshirën për të pirë duhan dhe është miratuar si terapi për të ndërprerë duhanin. Ashtu si bupropioni, është një ilaç antidepresant tip dopamine që mund të ulë intensitetin e simptomave të nikotinës dhe tërheqjes. Këto metoda janë gjithashtu një mbështetje e vlefshme për varësinë psikologjike, duke ndihmuar pacientin të ndalojë pirjen e duhanit dhe të kontrollojë kohët kur dëshira për të pirë duhan rritet.

Mbështetje psikologjike dhe grupe të vetë-ndihmës

Njerëzit që vendosin të lënë duhanin shpesh kanë nevojë për takime me stafin e përgatitur posaçërisht për t’i motivuar dhe mbështetur ata në zgjedhjen e tyre. Disa qendra italiane kundër duhanit ofrojnë mbështetje psikologjike për të përballuar momentet më të vështira. Terapitë njohëse-sjellëse dhe këshilla individuale profesionale (personalisht dhe nëpërmjet telefonit), e bëjnë më të lehtë përballjen me këtë eksperiencë, ndihmojnë që të fitoni siguri dhe të forconi motivimin. Në terapitë e grupit, pastaj shtohen strategjitë njohëse dhe të sjelljes për të ndarë problemet dhe motivimet me duhanpirësit e tjerë.

T’ia dalësh vetë

Vetëm njerëzit më të vendosur dhe të vetëdisiplinuar mund t’i thonë lamtumirë duhanit. Sigurisht që nuk është e pamundur, por sipas statistikave vetëm 4 deri në 7% e atyre që provojnë t’ia dalin vetë (“ndalesa e së nesërmes” fatale) arrijnë të kenë rezultat. Kërkesat e domosdoshme janë një vullnet i fortë dhe një motivim i rëndësishëm themelor.

Cigaret elektronike

Në treg ka dy lloje cigaresh elektronike (të quajtura “e-cig”): ato pa nikotinë dhe ato me nikotinë, gjithsesi në rastin e dytë ajo absorbohet nga organizmi në sasi jo të përcaktuara plotësisht. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e-cig ende nuk mund të deklarohen as efektive dhe padyshim as të padëmshme, nëse avujt e tyre përmbajnë ose jo nikotinë dhe se thithen aktivisht ose pasivisht afër atyre që i përdorin.

(gazeta-Shqip.com)

Share

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se do të rishikojë…