SI TA RIBËJMË KOMBIN NË REALITETET E REJA

01 janar 2025 | 11:05

Milazim KRASNIQI

Vitin 2024 do ta kujtoj për mirë qoftë dhe vetëm për faktin se me librin tim “Postkolonialia” e kam hapur një temë të injoruar a të fshehur. Idenë e tij dëshiroj ta ndaj edhe me ju në këtë fundvit, me dëshirën që të na shërbejë për vitet në vijim. Titulli “Postkolonialia” shënjon gjendjen postkoloniale të njeriut shqiptar të Kosovës. Pra, njeriu i dalë nga robëria, nga pozita koloniale, është në situatë të meditojë, të reflektojë për gjendjen në të cilën ka qenë dhe për pasojat që ajo gjendje ka lënë në jetën e tij. Dhe më tutje të aftësohet që ta planifikojë të ardhmen e vet si njeri dhe si komb i lirë.

Nuk jam i sigurt se njerëzit tanë dinë shumë për gjendjen postkoloniale, edhe pse jetojnë brenda centrifugës së saj marramendëse. Pse nuk dinë? Sepse shkenca dhe artet, mediet e universitetet te ne, ende nuk janë marrë seriozisht me këtë problem. Ne ende nuk e kemi kuptuar rëndësinë që ka studimi dhe njohja e asaj përvoje që kemi kaluar nën sundimin kolonial serb. Disa njerëz te ne me mendësi ende janë brenda gjendjes koloniale, ndërsa pjesa tjetër, pjesa më e madhe, sillen sikur nuk kanë qenë kurrë viktima të kolonializmit. Këta të fundit e kanë përbrendësuar një lloj triumfalizmi dhe me të tentojnë t’i fshehin pasojat dhe traumat që ka lënë në jetën e tyre okupimi, sidomos spastrimi etnik i viteve nëntëdhjetë.

Në realitetin shkencor, kulturor, medial e akademik, gjendja postkoloniale është kohë e reflektimit për atë që i ka ndodhur individit e kombit, i cili ka qenë viktimë e kolonializmit. Ajo që sheh njeriu menjëherë në atë reflektim është jeta e dëmtuar e gjeneratave të tëra, të cilat i ka bluar kolonializimi, siç bluan guri i mullirit kokrrat e misrit. Jetët e dëmtuara në rrjedhë të kohëve nuk ribëhen. Por nëse në gjendjen postkoloniale fitohet vetëdija për atë që ka ndodhur, mund të lehtësohen pasojat dhe eventualisht të bëhet përpjekje më e fortë për të mos rënë në një rast tjetër viktimë e variacioneve koloniale të poshtërimit.

Në librin “Potkolonialia”, në formën e ligjërimit poetik, e kam mbarështuar një reflektim të nuancuar, mbi jetën e dëmtuar në gjendjen tonë koloniale, që nga ajo personale e familjare e deri te jeta kombëtare. Secili njeri që ka jetuar në këtë vend deri në vitin 1999, secila familje shqiptare, i ka dëmtimet e veta nga sundimi kolonial serb. Vetëm duhet të gërvishten kujtimet, kronikat familjare, dokumentet zyrtare dhe del në spikamë dëmtimi, që ka qenë pasojë e barbarisë së kolonizatorit. Të gjithë kolonizatorët janë barbarë, por në një progresion “orvelian” të bizaritetit, disa janë më barbarë sesa të tjerët. Kolonizatori serb mund të konkurrojë për lider të asaj liste makabre.

Prandaj në disa raste jam detyruar ta formësoj edhe një qëndrim cinik të ashpër ndaj kolonizatorit dhe bartësve të gjendjes koloniale e aktorëve kolonialë, si shenjim i triumfit të njeriut shqiptar mbi gjendjen koloniale. Mua më brengos fakti se një çerek shekulli pas çlirimit nga kolonizatori serb, ne ende nuk e kemi ndjenjën e triumfit kombëtar. Për ta ngjallë atë ndjenjë e atë vetëdije, ne duhet të formësojmë një botëvështrim të ri kulturor lidhur me kombin serb e shtetin serb dhe përvojat tona të hidhura njëshekullore nën sundimin e tyre. Duhet ta denoncojmë në të gjitha nivelet shkencore, artistike, mediale e akademike barbarinë e tyre. Brenda atij botëvështrimi ne duhet të afirmojmë përparësinë tonë kombëtare, si komb autokton, si komb paqedashës, si komb në aleancë me botën e lirë.

Ne duhet ta ridimensionojmë edhe katalogun e atyre që kanë punuar e luftuar për mbijetesën tonë kombëtare dhe lirinë tonë kombëtare, gjatë sundimit kolonial serb, sepse shumë nga ato figura e ngjarje të periudhave të mëhershme, ne i kemi injoruar e edhe harruar. Ne duhet ta forcojmë pozicionin tonë gjeopolitik e gjeostrategjik, larg iniciativave të vjetra e të reja, që nga pansllavizmi e deri te BRICS. Ne duhet të kërkojmë hapësirat e reja të integrimeve brendashqiptare, në kontekstin e integrimeve evropiane e atlantike. Ne faktikisht duhet ta ribëjmë kombin shqiptar në realitetet e reja. Dhe gjithë ky proces kalon pashmangshëm nëpër introspeksionin e asaj që na ka ndodhë nën sundimin kolonial serb.

Fijet kombëtare që na janë këputur në vitin 1912, duhet të rilidhen përfundimisht. Ato fije nuk mund t’i rilidhin politikanë hazarderë e aventurierë si Edi Rama e Albin Kurti. Ato fije duhet t’i lidhin studimet shkencore, veprat artistike, produktet mediale dhe edukimet universitare.

Unë shpresoj dhe uroj që viti 2025 të jetë vit kthese në këtë projekt. Dhe uroj shëndet e më shumë mençuri për të gjithë ne!

FOTOGRAFI E VARUR NË GOZHDËN E FRIKËS

Në secilën klasë ishte fotografia e Titos
e gozhduar në mur.
Tito kishte shikim hetues
sa që dukej se na shihte të gjithëve,
në çdo çast.
Në kokë mbante një kapelë me yll
dhe veshur e kishte një kapotë të trashë.
Na thonin se ai ishte komandanti suprem
që kishte mposhtë në luftëra
Hitlerin e Musolinin,
ndërsa në paqe edhe Stalinin.

Në libra mësonim se çfarë kishte bërë
Në Kumrovc, në Vjenë,
në Rusi, në Zagreb, në Beograd,
si i kishte udhëhequr komunistët në demonstrata,
si kishte shpëtuar nga çdo atentat.

Mësuesi na thoshte të bënim kujdes në klasë
çfarë bënim e çfarë thoshim
sepse Tito e dinte se edhe çfarë mendonim.

Na thoshte se Titon duhet ta duam
më shumë se prindërit tanë dhe pikë.
Në rregull mendoja, por ai shikim i tij hetues
pse më ngjallte aq shumë frikë?
Më vonë e kuptova
se edhe fotografia ishte pjesë e programit
për të nxitë panik.

VETËM ATA TË MARRË ISHIN MBI FRIKËN FITIMTARË

Porezniku*Mirko ishte trupshkurtër,
rahitikë e çalamanë,
fytyrëregjur, një mjeran.

Por, poreziku Mirko
e shoqëronin policë të armatosur
që arrestonin burra me plisa
e i fusnin në maricë me një potez,
dhe i shpienin në burg për porez. **

Kur hynte Mirkoja në fshat
dukej sikur kishte rënë epidemia:
burrat fshiheshin ku të mundnin,
gratë nxirrnin pshërëtima,
fëmijët i pllakoste lemeria.

Rezistencë bënin
vetëm dy-tre të marrët e katundit.
Ata edhe përballë vetë Mirkos
dukeshin trima e triumfalë
sepse e kishin prekur qëmoti fundin e fundit.

Vetëm ata ndiheshin të lirë e triumaftorë
Në shtetin kolonizator.
*Tagrambledhësi
** tatim

CERVENA ZVEZDA A PARTIZANI

A je me Zvezden a me Partizanin
pyesnin djemtë njëri tjetrin
duke shikuar kërcënueshëm
e duke ngritur zanin.

Djem të rinj e të leckosur
që ruanin bagëtinë në kullotë
ishin o me Zvezden o me Partizanin,
si pasardhës të ilirëve kryekëcyem
për gjera që s’u përkisnin
po t’ua prishje, mund ta bënin namin.

Natyrisht edhe këta si ilirët e humbur
ishin viktima të kolonizimit
por nuk e dinin djemtë e mjerë.
Atyre që kishin ditur çka nuk ishin
gjuhën kolonët ua kishin prerë. *

“ZHIVELA SRBIJA”

Në nevojtoren e një vagoni treni udhëtarësh
nga Fushë Kosova drejt kryeqytetit të Serbisë,
i cili lëvizte ngathtë, si një karvan gomarësh
ishte ky mbishkrim, si provë serbe e atdhetarisë.

Guximtari kish bërë një veprim me vlerë
ndonëse kuptohej se e kish bërë me ngut.
“Zhivela Srbija”* e kishte shkruar në derë,
me germa të përftuara me mut.
*Rroftë Serbia

TRENI PËR NË BURGJE

Në trenin Fushë Kosovë-Beograd
gjithmonë kishte shumë udhëtarë
shqiptarë.
Ata mbanin me vete do çanta të mëdha
me rrobe e me ushqime
thua se po shkonin në pushime.

Në fakt, ata shkonin nëpër burgjet
e hapërdara anekënd Jugosllavisë,
të ngarkuar me peshën e mallit e mërzisë.

Ata shkonin në Nish, në Novi Sad,
në Pozharevc,
Në Stara Gradishkë, në Golli Otok.
Rrugën e shkuarjes dhe të kthimit
Gjithmonë e lanin me lot.

Nëpër ato burgje u mbaheshin pengje
fëmijët, prindërit, vëllezërit,
bashkëshortët dhe shumë miq
që shteti i kishte shpall armiq.

Udhëtonin me ata trena, të rraskapitur
dhe shpresonin të mos vdisnin
para se atë shtet të kalbur
si një qen të ngordhur ta shihnin.

(Nga libri “Postkolonialia, Logos A, Shkup, 2024)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të krijuar nga…