Si të dilet nga kriza energjetike në Kosovë?
Nga Ethem Çeku
Kosova humbi pavarësinë energjetike duke mos e realizuar projektin “Kosova C,” i cili ishte dizajnuar nga ekspertët më të mirë vendas dhe ndërkombëtarë të energjisë nga linjiti. Ky projekt ishte ndërtuar mbi konsensusin politik të institucioneve më të fuqishme botërore dhe atyre vendore. Ishte projekti më zhvillimor për Kosovën, me vlerë rreth 2.2 miliardë euro, që do të kishte ndikime të mëdha financiare dhe politike, duke eliminuar njëkohësisht ndotjet që vinin nga termocentrali “Kosova A.”
Fatkeqësisht, në Kosovë u manifestua “mallkimi i resurseve natyrore.” Ndonëse është një nga vendet më të pasura në botë për sa i përket rezervave të linjitit, Kosova mbeti pa energji. Tani, është urgjente të orientohemi drejt energjisë alternative.
Duhet të ndërmarrim hapa të mëdhenj për të shfrytëzuar tokat djerrë në investime kapitale për energjinë solare. Sipas raportit të Bankës Botërore, Kosova ka një potencial për të prodhuar deri në 7,700 MW energji solare, por ky potencial kërkon investime kapitale shumë të mëdha, rreth 4.7 miliardë euro. Prandaj, duhet të hapim tërësisht tregun për investime nga investitorë vendas dhe të huaj.
KEK-u mund të shfrytëzojë tokat e tij për të prodhuar energji solare. Po ashtu, duhen promovuar investime të përbashkëta me Shqipërinë në fushën e energjisë hidrike. Kosova ka mundësinë të ndërtojë tri hidrocentrale reversibile, në Zym të Hasit, në Ujman dhe në Vermicë.
Përveç kësaj, duhet të investojmë në:
• Rrjetin e transmisionit dhe përforcimin e rrjetit të distribucionit.
• Zbatimin e një sistemi të ri tarifor.
• Minierat e linjitit.
Kosova duhet të ndërtojë një bllok të ri deri në 500 MW në kompleksin e “Kosovës B,” në partneritet publik-privat. Ky projekt do të ndihmonte në eliminimin e ndotjes nga blloqet e vjetra dhe duhet të realizohet me teknologji të avancuar dhe miqësore ndaj mjedisit.
Një tjetër prioritet është bashkëpunimi rajonal për ndërtimin e kapaciteteve të reja me energji nga gazi, hidrocentrale dhe energji bërthamore, duke ndjekur modelin e Bullgarisë, e cila ka bashkëpunuar me kompani amerikane.
Të gjitha këto projekte duhet të realizohen mbi bazën e një konsensusi politik, si brenda vendit, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë.
Ky opinion imi është hartuar me ndihmën e ekspertëve më të mirë të Kosovës.