Si të mbrohet Kosova nga vetë kosovarët?!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Vërtet jemi në telashe me injorantët dhe arrogantët: Para lufte dhe në fillimin e saj, biri i Dragqit ka qenë sinonim i dhunës dhe të poshtërimit në Llap. I hynte në shtëpi kujt donte dhe rrihte kënd të donte. Kryesisht e përdorte poshtërimin në baza kombëtare duke rrahur në vende publike pleq dhe ata që bartnin plisa në kokë. Mirëpo, ishte i kujdesshëm të mos shkelë në dërrasë të kalbët, aty ku kishte rrezik ta pësonte. Edhe këtij i erdhi fundi, ashtu siç e meritoi. Djemtë e UÇK-së ia hoqën flamën duke e ekzekutuar si një kriminel që edhe ishte i tillë. Po atë ditë, një gazetë tabloid e Beogradit, më duket se ishte, më thirri në telefon celular e që ishte pronë e Kariqëve, por se udhëhiqej nga disa shqiptarë të Pejës që u pasuruan shumë. Pyetja e gazetarit ishte se si e vlerëson z. Shala, si sekretar i KMDLNj-së, vrasjen e një zyrtari të lartë të Serbisë dhe kush mund të jetë prapa këtij ekzekutimi.
U përgjigja në pyetjen e dytë duke thënë se vrasjen e tij ka pasur motiv ta bëjë çdo shqiptar e që nuk është bashkëpunëtor i Serbisë duke treguar për dhunën që e ka ushtruar ndaj shqiptarëve. Gjithashtu, thashë se ai ka qenë psikopat i llojit të vet që nuk ka njohur dhe pranuar asnjë vlerë njerëzore dhe morale. Të nesërmen, aty kah ora shtatë (7) e mëngjesit, dola nga banesa ime në Dardani, i bleva gazetat përballë tregut në Ulpianë dhe dikush ma futi dorën në krahë duke më përshëndetur në gjuhën shqipe. U ktheva dhe e pashë Rade Noviçeviqin, shef i Sigurimit Shtetëror në Llap, i cili m’u drejtua me fjalët: “Ty duhet t’i thyejmë kockat për këtë deklaratë…” duke ma treguar faqen e parë të gazetës së Beogradit ku ishte fotografia ime, me deklaratën që e kisha dhënë, por se isha cituar shumë mirë dhe saktë nga gazetari serb. E pyeta në mos ai donte të m’i thyente kockat dhe çka do të bënte pastaj, duke shtuar se edhe vetë shefi i UDB-së është në dijeni se ky farë biri i Dragqit ishte psikopat dhe dhunues. Ai, shefi i UDB-së për Llap, banonte në banesat në Ulpianë, përballë Gjykatës Ekonomike, kishte mbaruar gjeografinë dhe kishte punuar një kohë në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”, së bashku me patriotin e madh shqiptar Xheladin Rekaliu, të cilin pastaj e kishte rrahur në objektin e policisë në Podujevë, derisa i ishte thyer bishti i fshesës. Noviçeviqi nuk ka qenë udbash tipik apo dhunues i lindur dhe vetë është vrarë në një lokal në Nish nga një paramilitar a ushtar serb, së bashku me disa serbë të tjerë. Xheladin Rekaliu ishte patriot i jashtëzakonshëm, modest dhe i hequr keq. Me një fjalë, ishte idealist i papërmirësueshëm. I tillë edhe ka vdekur.
Gjatë një ndeje në supermarketin “Vlora” në Podujevë ku punoja thuaja 15 orë dhe të cilin e kisha shndërruar në zyrë të Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut për Llap dhe ku mbanim takime me dr. Selmanin, Sylejman (Blakun), Nexhin, Fehmi Blakçorin, Afrim Fushën, Bajrush Behramin, Ahmet Hasanin, Arif Ejupi derisa e rrahu policia serbe duke i shkaktuar invaliditet të përjetshëm dhe të tjerë që ishin aktivistë të NKMDLNj-së, sikur që takohesha edhe me Ahmet Haxhiun, Hakif Shehollin, Fatmir Toplicën dhe anëtarë të tjerë të LDK-së e që përbënin pjesën kombëtare të LDK-së përkundër të tjerëve që kishin për detyrë të bënin propagandë, odë me odë dhe derë më derë kundër Bacë Adem Demaçit dhe të cilët mbanin mbledhje pas së cilës dilnin me qëndrim se: “Të burgosurit politikë shqiptarë janë më të rrezikshëm për ne se vetë Serbia…! Po në këtë supermarket “Vlora”, i shitja 200-300 ekzemplarë të revistës “Dielli”, brenda 2-3 orëve.
Aty paraqiteshin rastet e keqtrajtimit, silleshin fotografi nga “Foto Kçiku” që bëheshin pa asnjë fening kompensim, caktoheshin ekipet për terren dhe zhvilloheshin aktivitete të tjera. Nga ai supermarket jam nisur për Zagreb, me dajën Pajazit, ku jam takuar me dr. Slobodan Lang dhe rektorin e Universitetit të Zagrebit, Zvonimir Sheparoviq, për t’ua dorëzuar listat e të helmuarve, listat e ushtarëve shqiptarë të vrarë në ish-Armatën jugosllave dhe disa mostra me të cilat më pati pajisur Baca Adem Demaçi. Edhe disa të LDK-së që bëheshin gati për luftë m’u lutën të shoh nëse është e mundur që të sigurohen armë. Në Zagreb pata takuar heronjtë e kombit dhe të shqiptarisë, Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci, banesa e të cilëve, në qendër të Zagrebit, por që ishte shumë modeste, ishte bërë ambasadë dhe qendër logjistike për mobilizim të shqiptarëve. Feha dhe Xheva kishin ndarë mendjen se vetëm me luftë çlirohet Kosova dhe nuk kishin asnjë rrugë tjetër. Jam takuar edhe me Xhafer Jasharin, ish-oficer i Armatës Jugosllave, i cili thoshte se ka kapacitet dhe mundësi të stërviteshin deri 10 000 shqiptarë në brigjet e Dalmacisë. Kroacia në atë kohë ishte para shpërthimit të luftës dhe armë kishte me bollëk.
Nga Burgu i Lepogllavës kisha ruajtur një miqësi me një kroat me nofkën Lima (nuk po ia përmend emrin dhe mbiemrin) i cili më dërgoi në një vend ku kishte arsenal të shumëllojshëm të armëve. Po në atë kohë lulëzonte kontrabanda me duhan (cigare Opatija), detergjent dhe gjësende të tjera sepse nuk kishte kontroll të rreptë në kufi dhe për shkak të situatës politike, policia kufitare e Serbisë korruptohej shumë lehtë. Ata që e mbajnë mend atë kohë mund ta vërtetojnë se një apo dy maune me cigare Opatija u shitej stërshitësve në dalje të Vranjevcit, te tregu i kafshëve, për 30 minuta, pa pasur nevojë të dërgohen fare në depo. Pasi u ktheva nga Zagrebi dhe ua tregova çmimin e armëve dhe mundësitë e transferimit në Kosovë, edhe krahu radikal i LDK-së u bë më paqësorë se vet Rugova dhe u mbyllë ky kapitull. Porositësit e armëve edhe sot janë gjallë, kanë poste dhe, fatmirësisht kanë shpëtuar. Takohem me ta për kafe, pa asnjë të keqe. E kishin një kohë të njëjtin qëllim por nuk pajtoheshim për mënyrën e realizimit të këtij qëllimi.
Dy bosanacat, i Vogli dhe i Madhi: Edhe këta ishin shumë të dhunshëm, i Vogli me trup të shkurtër ishte shumë më i dhunshëm se bosanaci i Madh. Që të dy ishin nga Bosnja ku e kishin përsosur luftën dhe krimin ndaj Myslimanëve dhe kroatëve. Në Podujevë dhe Llap ushtronin dhunë të madhe prandaj përfunduan ashtu siç edhe jetuan, në mënyrë të dhunshme. Bosanacin e Vogël duket se e qëroi Zahiri i cili, te Shtëpia e Shëndetit në Podujevë hyri nën një shaht mbi të cilin e kishte parkuar veturën Bosanaci i Vogël ku priti disa orë dhe, me të hyrë në veturë polici serb, Zahiri apo dikush tjetër i gueriles së UÇK-së zbrazi armën duke e lënë për vite të tëra në karrocën e invalidit.
Bosanaci i Madh kishte shumë dëshirë të luajë lojëra të fatit apo tombolën. Kishte hyrë në kafen e Selit, i kthyer nga xhami kah rruga në udhëkryqin për fshatin Peran, Bajçinë dhe Kërpimeh dhe mbante tiketën në dorë kur dikush nga guerilja e UÇK-së e goditi me armë zjarri.
Ishte edhe një tjetër inspektor serb i UDB-së që ishte vrarë në rrugën Podujevë – Prishtinë , me të kaluar fshatin Lluzhan.
Kolaboracionistët shqiptarë: Zahir Pajaziti ishte guerilas dhe atentator i lindur, së bashku me një grup shokësh. Përveç udbashëve serbë ata qëruan edhe udbashët shqiptarë sikur që ishte Bejtushi, Maliqi dhe Rama. Me një fjalë, Zahir Pajaziti, me shokë, për një kohë e kishte lënë Podujevën fare pa udbashë, apo, së paku nga ata që njiheshin në publik si të udbash dhe që ushtronin dhunë ndaj civilëve shqiptarë apo që mbysnin nën dhunë aktivistë politikë dhe patriotë. Në një rast tjetër sigurisht se do të zgjerohem edhe më shumë.
Pse e bëra këtë hyrje dhe pikërisht në këtë kohë: Nuk ka asgjë më e keqe se të bëheni të dhunshëm dhe të dhunoni të tjerët vetëm nëse keni fuqi politike, materiale apo status shoqërorë që ua mundëson këtë. Nuk ka rast që dikush ka qenë i dhunshëm e që e ka përfunduar jetën duke kultivuar lule përveç Don Vito Korleones pas plagosjes së rëndë që iu bë apo duke ligjëruar për mjete paqësore të zgjidhjeve të problemeve. Nga historia kemi mësuar se dhuna e lindë dhunën dhe se, siç thoshin latinët e moçëm: “Kush me shpatë jeton, nga shpata edhe do të vdesë”. Kohëve të fundit, arrogantë të veshur me fuqi politike apo, kryesisht familjarë të tereqëve politikë, ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve pa iu nënshtruar asnjë procedure ligjore. Arroganca e tyre është e neveritshme, intelektualizmi i tyre është në nivelin e një idioti. Në jetën e vet nuk e kanë lexuar një libër të vetme ndërsa janë bartës të titujve shkencorë dhe akademikë. Këta i kanë zënë vendet kompetente, të armatosur me tituj dhe grada shkencore, të imunizuar nga çdo lloj përgjegjësie dhe të herkularizuar nga çdo lloje ndjekjeje ligjore. Për mendimit tim këta janë më të këqij dhe më të dëmshëm se biri i Dragqit, të dy bosanacat dhe kolaboracionistët tjerë. Këta janë më të rrezikshëm dhe më të dëmshëm se të gjithë bashkë, që janë qëruar me plotë të drejtë nga Zahiri me shokë.
Nuk janë sakrifikuar mijëra dhe dhjetëra mijëra shqiptarë, që nga Tif Fusha të cilit nuk i dihet as varri, nga Shaban Shala që është mbytur nën dhunë në burg duke kënduar se: “këtu more nuk është Serbi por është Shqipëri …”, nga Xheladin Rekaliu, Zahir Pajaziti dhe Ali Ajeti, Bajrush Behrami dhe qindra e mijëra ish të burgosur politikë, luftëtarë të së lavdishmes UÇK-së, invalidë të luftës, martirë dhe heronj të Kosovës, që një grup banditësh të luaj me jetët tona, me jetën e fëmijëve tanë, me të kaluarën e lavdishme plotë sakrifica dhe me ardhmërinë tonë. Nëse në kohët më të vështira nuk e kemi duruar dhunën, pse duhet ta durojmë sot?!
Si të mbrohet Kosova: Kurrë nuk ka qenë më lehtë të mbrohet Kosova se sot. Formula është shumë e thjeshtë; të mbrohet Kosova në kufijtë që është pranuar nga 115 shtete ose, nëse dikujt i kruhet prapanica me luajt me kufij, po i shtrojmë edhe kufijtë e Serbisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë, që nga themelimi i këtyre shteteve e deri më sot për faktin se këto shtete kanë hyrë shumë borxh te shqiptarët duke i marrë shumë toka. Përralla janë se mund ta marrim Luginën e Preshevës dhe mos të japim asgjë. Po e jap një zotim publik; nëse Hashim Thaçi është i zoti ta bashkojë Luginën e Preshevës pa i dhënë asgjë Serbisë, do të nisem nga pragu i shtëpisë në Prishtinë zhargas duke shkuar dhe puthur çdo milimetër, deri në Burojë, dhe atje do ta puthë edhe qenefin e Hashimit sikur që do t’ua puthë këmbët krejt thaçëve të Burojës dhe atyre që nuk e kanë mbiemrin Thaçi. Ky është zotim publik dhe unë e mbajë fjalën!
Këta të Luginës së Preshevës që po e përkrahin Hashim Thaçin në këtë projekt të çmendur të lojës me kufij e që pashmangshëm do të përfundojë me luftë, moti janë bashkuar me Kosovën, qysh para 30-50 vjetëve, kanë krijuar familje, punojnë këtu dhe bëjnë biznese kurse, Luginën e Preshevës e vizitojnë aq sa edhe unë e vizitoj Afganistanin, Pakistanin dhe Izraelin ku nuk kam qenë asnjëherë!
Nuk ka ndryshim të kufijve, ka Asociacion me kompetenca ekzekutive nëse Agim Bahtiri deri atëherë nuk do të jetë gjallë dhe vetëm pas 20-25 vjetësh do të ketë korrigjim të kufijve. Nuk do të ekzistojë Kosova si shtet dhe as Bosnja si shtet. Duket se edhe Maqedonia do të çkatrramohet. Besoj se në atë kohë në një botë tjetër , bashkë me Bacën Adem do të bisedojmë për çështjet nëntokësore që me aq shkathtësi po i drejtojnë do dhunues sot në Kosovë. Baca Adem ka përparësi sepse beson në rikthim në një formë tjetër dhe në një trup tjetër kurse unë nuk besoj. Besoj se jeta jonë përfundon në këtë botë dhe në këtë pikë nuk pajtohemi me Shefqën dhe Papë Françeskun.
Krejt për fund: me Serbinë mund dhe duhet të bisedojmë për çështje që bisedojnë dy shtete nga pozita e barabartë e kurrsesi ta marrim rolin e gjeodetit apo kadastrës. Duhet ta kuptojmë se Kosova ka territor më shumë se çdo prapanicë e politikanit, e çfarëdo madhësie qoftë ajo. Kush e identifikon Kosovën me madhësinë e karriges ku e vendos prapanicën dhe në përputhje me këtë i bënë llogaritë, nuk e ka fundin e mirë sepse, përveçse nuk e duron robi, nuk e duron as toka. Duhen shekuj e shekuj që kjo tokë të kullohet nga gjaku i derdhur prandaj, respektojeni më shumë. Respektojeni deri në fund sikur që çdo shtet e respekton tokën e vet, me histori apo pa histori qoftë!