Si t’i kursejmë deri në 30% të faturës vetëm nga ngrohja
KEDS-i ka treguar se si mund të kursejmë deri në 30% të faturës vetëm nga ngrohja.
“E tërë Evropa tashmë ka vendosur kaldatë e ngrohjes në maksimum 21 gradë Celsius. Kjo temperaturë llogaritet idealja kur kihet parasysh kriza elektroenergjetike që ka përfshirë tash e një kohë të gjatë kontinentin e vjetër, pasiguria e çmimeve dhe e furnizimit me energji elektrike dhe rritja e kërkesës në anën tjetër”.
“Jemi në dimër, i cili deri tash ishte mjaft miqësor. Por, shumë shpejt pritet të vijë i ftohti, duke u bazuar në parashikimet e meteorologëve. Me ardhjen e të ftohtit, nevoja për ngrohje rritet. E bashkë më të, rritet edhe pasiguria e furnizimit me energji elektrike, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kur po rritet kërkesa, po fluturojnë”, ka njoftuar KEDS-i.
Sipas KEDS-it, në këto rrethana, kursimi është i domosdoshëm, madje jetik.
“Hapi i parë duhet të jetë ulja e temperaturës në termostatin e kaldajës suaj. Nëse e ulni nga 24 gradë Celsius në 21 gradë Celsius, ekspertët tanë sigurojnë që ju do të kurseni deri në 30 për qind të faturës suaj. Vende të ndryshme kanë vënë kufij maksimalë edhe më të ulët, madje duke shkuar deri në 19 gradë Celsius, siç është rasti i Britanisë së Madhe. Në këto raste, ju do të kursenit edhe më tepër, pasi që dihet se nëse ngroheni me energji elektrike, atëherë ngrohja merr pjesë me minimum 70 për qind të konsumit tuaj mujor”, ka njoftuar KEDS-i.
Duke shtuar me tej se: “Në vende të ndryshme praktikohet edhe ndalja komplete për 2 orë, pasi llogaritet që nuk e ftohë fare ambientin. Këtë konsumatorët mund ta bëjnë në një periudhë të caktuar brenda ditës, në mënyrë që të lehtësohet barra e sistemit elektroenergjetik dhe të kursehet edhe direkt fatura e tyre. Nëse kjo ndalesë praktikohet çdo ditë, atëherë llogaritet që do të kurseni 30- 70 euro të faturës suaj mujore. Kjo është një strategji që në terma ndërkombëtare njihet si win-win, pra ku fitues janë të gjithë. T’i përmbahemi këtij rregulli të thjeshtë për të mirën e të gjithëve. Së bashku mund t’ia dalim!”.