SI U FORMUA LDK-ja, SI U BË RUGOVA KRYETAR I SAJ

23 dhjetor 2023 | 17:59

Milazim KRASNIQI

Kur u profilizua Rugova si figurë emblematike
(…) Më 16 shkurt të vitit 1988, në një Kuvend të rregullt të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u zgjodh kryesia e re e këtij asociacioni. Në mbledhjen e kryesisë që e pasoi atë të Kuvendit zgjedhor, unë u zgjodha sekretar, ndërsa Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Askush atë ditë nuk ka mundur të prognozojë se prej asaj zgjedhjeje, po dilte jo vetëm kryetari i ri i asociacionit të shkrimtarëve, por edhe lideri i ardhshëm i Kosovës për shumë vite dhe njëra nga figurat më emblematike të historisë së këtij vendi. (…) Kur e morëm kreun e asociacionit të shkrimtarëve, e morëm një barrë të madhe, sepse ai asociacion ishte me prestigj të konsiderueshëm në shoqëri. Pas ardhjes së Sllobodan Millosheviqit në krye të Serbisë, në Beograd shkrimtarët nacionalistë serbë morën hov të madh, sepse ata u bënë shpejt pjesë e projektit të Millosheviqit për Serbinë e Madhe. Rritja e ndikimit të shkrimtarëve serbë në Serbi, me automatizëm filloi ta rriste ndikimin e shkrimtarëve edhe në republikat e tjera të ish Jugosllavisë e rrjedhimisht edhe në Kosovë, si pasojë e polemikave të shtuara. Ne u gjetëm në këtë vorbull, që sapo kishte filluar të merrte fuqi marramendëse. Sa për kuriozitet të përmend një detaj: pas ardhjes së Millosheviqit në krye të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, organizata themelore e partisë së Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë u bë degë e Komitetit Qendror, duke u lidhur në mënyrë direkte me udhëheqjen më të lartë të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë! Ky fuqizim i organizatës partiake të shkrimtarëve serbë, i pasuruar edhe nga rritja e financimeve dhe nga hapësira në mediet që i kontrollonte Millosheviqi, u dha shkrimtarëve nacionalistë serbë një fuqi të frikshme. Ne pra duhej të vepronim në ballafaqim dhe në konfrontim me këtë organizim të fuqishëm të shkrimtarëve serbë, të cilët ishin pararojë e regjimit të Millosheviqit.
Kishim edhe dy rrethana të brendshme, tmerrësisht të pafavorshme. E para, në Statutin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës kishte mbetur një nen problematik, sipas të cilit të gjithë anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishin edhe „anëtarë kolektiv të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë“. Në bazë të këtij neni, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë ishte „shoqata amë“, ndërsa ne si filialë e saj! Kështu na e kishin lënë gjendjen të gjithë pararendësit tanë, shqiptarë e serbë. Në konfrontimet e reja që u shfaqën pas ardhjes sonë në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kolegët tanë serbë ngritën pretendimin se ishin edhe anëtarë të asociacionit serb dhe se ne duhej t’i subordinoheshim këtij rregullimi statutar. Por, me insistimin e Rugovës, ne e hoqëm shpejt atë nen nga statusi. E dyta, shkrimtarët serbë që ishin anëtarë të asociacionit tonë, merrnin instruksione e direktiva nga kryesia e Shoqatës së Serbisë (sipas gjasash edhe nga shërbimi sekret serb) dhe ata e kishin marrë si detyrë që të kontribuonin për zhbërjen e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Mënyra që e zgjodhën ishte një dorëheqje kolektive nga anëtarësia në Shoqatën tonë dhe një kërkesë drejtuar Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, që të suspendohej aktiviteti i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, deri sa të „zgjidheshin problemet.“ Por, ata problemet i kishin krijuar për të mos i zgjidhur ashtu që suspendimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, e kishin planifikuar si afatgjatë dhe përfundimtar. Pra, synimi i shkrimtarëve serbë dhe i shërbimeve sekrete serbe ishte që të krijohej një model i eliminimit të Kosovës nga organet federative, si prelud për ndërrimet kushtetuese që do ta suspendonin autonominë e Kosovës dhe veçmas do ta eliminonin statusin e Kosovës si „element konstituiv i federatës“. Por, në rastin e shoqatës sonë, këtë objektiv ata nuk e arritën. Ndodhi krejt e kundërta: organi i parë federativ që u shpërbë, ishte Lidhja e Shkrimtarëve të Jugosllavisë! Sipas një marrëveshjeje të arritur mes tre asociacioneve tona, brenda tre-katër ditësh u njoftua me nga një telegram LSHJ se më nuk do të paguanim kotizacionin si anëtarë të saj, me çka ajo faktikisht pushoi së funksionuari. Roli i Rugovës në këtë proces të vështirë e të komplikuar, ka qenë shumë i rëndësishëm. (…)
Duhet të theksohet poashtu se pas bisedave të shkrimtarëve serbë e shqiptarë në Beograd në prill 1988 dhe pas kërcënimeve në drejtim të Rugovës për mundësinë e arrestimit të tij në vigjile të tubimit serb në Gazimestan më 28 qershor 1989, Rugova de facto ishte bërë lider shpirtëror për një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve të Kosovës. Por, jo një udhëheqës politik, meqë ai jo vetëm që nuk kishte ndërmarrë asnjë nismë politike, por edhe ishte përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës. Pra, politikisht ishte një i anatemuar, si shumica e intelektualëve kritikë të asaj periudhe. Ishte i angazhuar si kryetar i asociacionit të shkrimtarëve dhe kjo e mbante në majat e popullaritetit, në sytë e opinionit publik ndër shqiptarë. Ishte e qartë se ai ishte bërë figurë edhe me peshë politike, por ai nuk kishte ndërmend të ndërmerrte ndonjë iniciativë politike. Vazhdonte të ishte një observues politik mjaft vigjilent, por vetëm observues, jo edhe veprues. E akceptonte idenë e pluralizmit politik që kishte nisur të nxirrte kokë në republikat veriore të federatës jugosllave dhe e shihte me shpresë se pluralizmi politik do të mund të sillte ndonjë ndryshim, ndonëse dyshonte që Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë do të ishte e gatshme të pranonte konkurencën politike e ideologjike. Mendonte se gjuha e saj ishte vetëm gjuha e represionit ideologjik dhe policor dhe ashtu do të vazhdonte edhe për do kohë. Pas forcimit të Millosheviqit në krye të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe rrëzimit të udhëheqjeve në Vojvodinë e Mal të Zi e pas eliminimit të autonomisë së Kosovës, karta e represionit ideologjik e policor ishte e vetmja në duart e shtetit serbo-jugosllav. Rrëzimi dhe burgosja e Azem Vllasit dhe eliminimi i autonomisë së Kosovës, ia ngurtësuan bindjen se lëvizja jonë kulturore ishte e vetmja në atë rast që kishte pakëz hapësirë për manifestim dhe për afirmim të identitetit të shqiptarëve dhe të Kosovës. Ambasadori amerikan, Voren Zimermani, i kishte propozuar në prill të po atij viti një sjellje joviolente për shqiptarët, por jo edhe formulën se si të formohej e të funksionalizohej ajo sjellje. Ishim në një vakum ideologjik dhe politik. Bisedonim përditë me orë të tëra, analizonim shtypin, deklaratat e politikanëve, veprimet politike e policore që bëheshin, represionin që po përshkallëzohej, po në fund nuk shihej ndonjë hapësirë se si mund t‘i kundërviheshim gjithë asaj makinerie shtetërore, përveç me një aksion kulturor, që nuk prodhonte violencë. (…)

Lider politik me zor

Iniciativa pë themelimin e një shoqate politike, erdhi në adresën tonë, që në fillim të saj, sepse shoqata jonë ishte bërë e pakalueshme për farëdo inicative ose aksioni kulturor ose edhe politik. Kështu, një ditë më thirri Jusuf Buxhovi e më tregoi se e kishte idenë që të themelonte një asociacion politik. E kishte biseduar me Xhemal Mustafën, Mehmet Krajën e Ibrahim Berishën dhe po mendonin se diçka duhej të bëhej në këtë drejtim. Por, ende nuk kishin ndonjë plan konkret se si duhej të fillonte ajo punë. Thjesht ishin ende në proces të diskutimeve në kafe dhe po kërkonin bashkëpjesëmarrës eventualë dhe këshilla se si të fillonte realizimi i asaj ideje. Pasi e dëgjova argumentimin e Jusufit, pa u hamendur shumë i thashë se unë do të mund të bëhesha pjesë e asaj iniciative, meqë konsideroja se po hynim në një fazë, kur aksioni politik ishte i pashmangshëm. I kisha të freskëta kujtimet nga biseda një vit më parë në Lubjanë me Vladimir Sheksin e Jasha Zllobecin, jo vetëm për pluralizmin politik, por edhe për harmonizimin e mënyrave të veprimit drejt shpërbërjes së federatës së Jugosllavisë dhe çlirimit nga diktati i nacionalizmit serbomadh. E kisha kuptuar se duhej të ndiqej ritmi i ndryshimeve që po ndodhte në republikat veriore, Slloveni e Kroaci, nëse synonim që të ndryshonim statusin tonë politik e kushtetues, i cili pas rrënimit të autonomisë, ishte bërë krejtësisht i padurueshëm. Faktikisht më nuk kishim as çfarë të humbnim, sepse e kishim humbur edhe minimumin e subjektivittetit politik e kushtetues që kishim pasur. Por se si duhej të vepronim më terrenin politik, ende nuk e kisha të qartë. Aq më tepër që Ibrahimi nuk kishte asnjë ide në këtë plan, ndërsa ai ishte jo vetëm eprori im në shoqatë, po në atë kohë ishte edhe mentori im në planin intelektual.
Jusufi u gëzua shumë nga qëndrimi im, meqë kjo nënkuptonte që mund të kishte me vete edhe Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, asociacionin me reputacionin më të madh publik në Kosovë e bashkë me të mbase edhe autoritetin e madh publik të Ibrahim Rugovës. Në takimin e dytë Jusufi më tha se e kishte menduar që Ibrahimit t’i ofrohej posti i kryetarit të asociacionit të ri politik që po formohej. Jusufi po më numëronte disa argumente, në stilin e tij si shumë të lidhur me detaje. Unë ia miratova idenë, sepse isha i bindur që ishte zgjidhja më e mirë. Atëherë Jusufi më kërkoi që të flisja me Rugovën dhe t’i kërkoja që të bëhej pjesë e grupit nismëtar dhe kryetar i asociacionit politik që tashmë po quhej Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ma dha listën ku ishim të shënuar disa persona si nismëtarë (më duket se kanë qenë pesë emra: Jusufi, Zekerija Cana, unë,Ajri Begu e Ali Aliu) dhe më kërkoi që ta anëtarësonim edhe Ibrahimin në atë listë. Unë pasi u ndava nga Jusufi, shkova drejt në shoqatë dhe e gjeta Ibrahimin, si zakonisht duke pirë kafe e duhan, krejt vetëm. Kishte një vit e më shumë, që nga dorëheqja e shkrimtarëve serbë dhe konflikteve të shtuara me Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë, që në shoqatë na vinin pak kolegë, gjithsej dy-tre veta. Të tjerët as nuk i binin nga ajo anë e qytetit, thjesht qenë zhdukur. (Ndër ata që nuk vinin fare në shoqatë ishin edhe do miq të brezit të Ibrahimit, që po i rrinin në distancë, veçmas pas kërcënimeve se Ibrahimi mund të arrestohej. Ia vlen ta theksoj se kur Ibrahimi u bë lider dhe veçmas pas luftës, ata u bënë rugovistë të tërbuar dhe morën privilegje të mëdha.) Unë sapo hyra në zyrë, pasi ia mora një cigare, meqë ato kohë nuk po mbaja duhan me vete, me synimin që ta lija, i tregova për iniciativën për formimin e një asociacioni politik. I tregova se para idesë ishin Jusuf Buxhovi, Xhemail Mustafa, Mehmet Kraja, Ibrahim Berisha dhe unë që i kisha premtuar angazhimin tim Jusufit dhe madje e kisha firmosur listën si anëtar i këshillit nismëtar. Ai e miratoi iniciativëm, duke thënë se ishte mirë të bëhej diçka, meqë situata po përkeqësohej. Tha se do të jetë vështirë, meqë represioni ishte në rritje. Unë e nxora listën e Këshillit nismëtar me ato tri firma dhe ia vura përpara dhe i thashë që ne po mendonim që ai të ishte pjesë e këshillit nismëtar. E shikoi një çast listën me emrat, nxori lapsin dhe e firmosi menjëherë. Pasi e falënderova, i tregova se ideja ishte që ai të zgjidhej kryetar i atij grupimi politik që po ngrihej. Por, ai shpejt tha se nuk dëshironte të merrte ndonjë angazhim tjetër, meqë funksioni i krytarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës po i jipte hapësirën e nevojshme për angazhim publik. Nuk insistova më shumë. Ç‘është e vërteta, as vetë nuk dija më shumë rreth inicativës dhe as rreth caqeve të mundshme të saj, gjë që besoj se ka vlejtur edhe për të gjithë të tjerët. Gjendja ishte kaq e keqe në Kosovë sa që nuk mund të ishe i sigurtë as se çfarë do të sillte dita e nesërme e lëre më se si do të zhvillohej një projekt politik në rrethanat e terrorit shtetëror dhe të gjendjes së jashtëzakonshme. E mora listën, e futa në çantë dhe pastaj biseduam për punët e zakonshme. Anëtarësimi i Rugovës në Këshillin Nismëtar ishte vetvetiu një sukses yni, sepse duke përdorur emrin e tij si firmëtar i këshillit nismëtar, mund të zgjerohej lista e firmëtarëve. Ashtu edhe ndodhi, vërtet.

Ndryshimi i dinamikës politike dhe i vetë njerëzve

Deri më 23 dhjetor 1989 kur i themelua Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kur ai u zgjodh kryetar i saj, kam folur me të disa herë lidhur me procesin e themelimit të LDK-së dhe idesë që po zgjerohej që ai të ishte kryetar. Ai dëgjonte me vëmendje e me qetësi, duke pirë duhan dhe pastaj në fund tundte kokën lehtë e thoshte se nuk dëshironte të merrte angazhime të tjera. Por, ndoshta filloi të piqej edhe në mendjen e tij ideja që të kalonte në aksion politik. Nuk e di a është konsultuar me ndokend a jo. Numri i njerëzve me të cilët komunikonte e rrinte në atë kohë, ka qenë shumë i kufizuar. Pra, nuk e kam idenë se a është konsultuar me ndokend para se ta pranonte detyrën si kryetar i LDK-së. Mbase e ka biseduar me të shoqen. Shpesh më thoshte se e shoqja ishte shumë e brengosur për të dhe poashtu edhe djali i madh, gjë që po e rëndonte emocionalisht. (…) Sidoqoftë, ai më 23 dhjetor 1989, pesë minuta para se të hapej Kuvendi themelues, nën presionin e të gjithëve që ishim në sallë, kund pesëmbëdhjetë veta, pranoi të ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Propozimin për kandidaturën e tij, për sekretarin dhe kryesinë, ma ngarkuan që t’i bëja unë, në emër të një komisioni kandidues. (…)Kështu atë ditë dhjetori 1989, në një kuvend themelues tërësisht të improvizuar, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, në një sallë ku të mirrej fryma, Ibrahim Rugova hyri në dyert e mëdha të politikës, duke u bërë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me çka do të ndryshonte dinamika dhe filozofia politike e këtij vendi. Por, do të ndryshonte, madje shumë, edhe Rugova vetë. (Fragment nga libri „Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar…