Si u hakuan dhe shpërthyen pajisjet e komunikimit të Hezbollahut?
Të paktën 9 persona u vranë dhe 2800 u plagosën dje në Liban, pasi qindra radio komunikimi të blera rishtazi nga Hezbollau shpërthyen njëkohësisht, duke zhytur qytetet në kaos.
Shpërthime të ngjashme ndodhën pas incidentit fillestar në Bejrut edhe në zona të tjera në Libanin jugor, sipas burimeve të sigurisë të cituara nga Reuters dhe mediat arabe. Si Al-Arabiya dhe Al-Jazeera raportuan se shpërthimet ndodhën në malin e Libanit dhe në pjesën jugore të vendit, ndërsa banorët thanë se ato zgjatën rreth gjysmë ore.
Mes viktimave janë dy luftëtarë të lëvizjes pro-iraniane dhe një vajzë 16-vjeçare, ndërsa pretendohet se po ashtu ka vdekur njëri nga djemtë e një ligjvënësi të Hezbollahut.
Hezbollahu akuzoi Izraelin se ishte i vetmi përgjegjës për shpërthimin e komanduar dhe siguroi se do Tel Avivi do të marrë dënimin e merituar pas “këtij sulmi kriminal”.
Nga ana e tij, kryeministri i Libanit, Najib Mikati fajësoi Izraelin për serinë e shpërthimeve në vend, të cilat i cilësoi si kriminale. Sipas tij, kjo është një “shkelje flagrante e sovranitetit libanez”. Mikati i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përgjegjësitë e veta dhe të ushtrojë presion për të detyruar Izraelin të ndalojë agresionin.
Skenarët në shqyrtim
Meqë Izraeli deri tani nuk ka bërë asnjë koment zyrtar për ngjarjen, analistët po përpiqen të shqyrtojnë mënyrat se si u krye ky sulm i paprecedentë.
Shumë përmendin një lloj hakerimi si shkakun e shpërthimeve që shkaktuan mbinxehjen e baterive të sinjalizuesit, duke çuar në shpërthimin e pajisjeve. Në veçanti, një burim i afërt me Hezbollahun tha në kushte anonimiteti se shkaku i shpërthimeve ka të ngjarë të lidhet me bateritë e litiumit që fuqizojnë sinjalizuesit.
Bateritë me litium përdoren zakonisht në elektronikën e konsumit, ato mund të mbinxehen dhe të marrin flakë, madje edhe të shpërthejnë në disa raste. Kjo ndodh për shkak të një fenomeni të quajtur termik, një reaksion zinxhir kimik që ndodh kur bateria i nënshtrohet një ndryshimi të shpejtë të temperaturës.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar për atë që shkaktoi shpërthimin e njëkohshëm, megjithatë, burime ushtarake libaneze thanë se pajisjet u shpërthyen si pjesë e një sulmi izraelit. Është e mundur që forcat izraelite ose ndonjë agjent tjetër mund të kenë ngacmuar këto pajisje dhe të kenë mbingarkuar baterinë nga distanca, duke shkaktuar një arratisje termike.
Në të njëjtën kohë, korrespondenti kibernetik i BBC-së, Joe Tindy, raporton se është e mundur që skenari të përfshijë sabotim të zinxhirit të furnizimit. Kjo do të thotë, disa faktorë i kanë ndryshuar sinjalizuesit gjatë prodhimit ose transportit të tyre. Nëse do të ishte vërtet një sulm i zinxhirit të furnizimit, do të duhej të kishte qenë një operacion i madh për të hapur sinjalizuesit dhe për të ndërhyrë te ta në mënyrë të fshehtë.
Ndërkohë, një ish-ekspert ushtarak britanik i municioneve, i cili kërkoi të mos përmendet, i tha BBC-së se pajisjeve mund t’u jetë vendosur nga 10 deri në 20 gram eksploziv brenda një komponenti elektronik të rremë.
Analisti ushtarak Elaya Manier theksoi për Al Jazeera se Hezbollahu mbështetet shumë te këto pajisje komunikimi për të parandaluar Izraelin të përgjojë komunikimet. Ai spekulon se pajisjet duhet të jenë hakuar para se t’u shpërndaheshin anëtarëve të Hezbollahut.
“Ky nuk është një sistem i ri. Ai është përdorur në të kaluarën, kështu që në këtë rast ka pasur përfshirje të një pale të tretë për të lejuar aksesin për të aktivizuar nga distanca detonatorët”, tha ai.