Si u konsumua narrativi i Albin Kurtit: Nga shpresa në lodhje dhe krizë identiteti
Shkruan: Shenoll Muharremi
Si u konsumua narrativi i Albin Kurtit
U bë vështirë me shiku kryeministrin duke dhënë intervista 🙂
Sapo e shikova intervistën në Kosova Press. Albin Kurti ka qenë kënaqësi për t’u dëgjuar vite më parë. Ai gjithashtu ka reflektuar shpresë kur fliste. Çfarë ndodhi?
Pse është bërë kaq e vështirë, deri në torturë psikologjike, ta dëgjosh kryeministrin duke folur në intervista të zgjedhura me kujdes? “Borxhi i ulët publik është mirë sepse kemi pavarësi në vendimmarrje.” “Kosova ka rritjen më të lartë në rajon…” “Deficiti i lartë sepse Kosova ka dalë prej lufte.”
Maksimalisht deri te minuta e 11-të e intervistës e shtyva, me gjithë përpjekjet për tolerancë dhe kuptueshmëri që jemi në kohë fushatash zgjedhore. Albini është konsumuar dhe nuk po shkëlqen më, duke i lodhur dhe raskapitur.
Argumentet që ai po përdor, sidomos për ekonomi, jo vetëm që janë të paqëndrueshme, disa janë edhe të pavërteta. Kjo nuk na gëzon aspak, sepse do të dëshironim të ishte ashtu siç ai e spinon narrativin.
Ai është mirë në dijeni që Kosova nuk ka pasur rritjen më të lartë në rajon; Mali i Zi e ka pasur. Por, po e përsërit. E di mirë që borxhi i ulët publik nënkupton mungesë të vizionit, ideve dhe kapaciteteve për të zbatuar projekte të mëdha. E di që deficiti po rritet sepse ne jemi fokusuar në ndihma sociale dhe e kemi harruar sektorin privat (përveç taksave kur ua marrim!).
Duket se po ndihet nën presion të madh sepse nuk po ka rezultate për të treguar. Madje, edhe rezultatet kur shkon nëpër komuna nuk po i poston në Facebook siç e ka zakon, por i mban “sekrete rezultatet.”
Ndoshta e ka të vështirë të kuptojë dhe pranojë që rënia dhe tkurrja e tij pas fitores historike është normale dhe e pashmangshme. Ku po do të shkojë pas 50.2% të 2021? Ku i sheh ato 500k vota? Ndoshta rreth 300k do të jenë në fund.
Ky është një rast tipik kur je në opozitë gjatë dhe nuk ke njohuri si funksionon shteti. Mendon që është lehtë të transformosh vendin, sepse nuk e ke testuar e provuar asnjëherë, vetëm po ta merr mendja ashtu.
Kur je në opozitë, është lehtë të kritikosh, por kur vjen në pushtet me shumë kërkesa e pak resurse e kapacitete të kufizuara, nuk mund të zbatosh “mrekullitë” që i ke premtuar nga opozita.
Prandaj, tani po kemi telashe, dhe toni, narrativi dhe fryma e LVV-së në zgjedhje është zbehur. As edhe program nuk ka prezantuar ende, sepse me siguri ka krizë identiteti dhe vizioni. Atë që do të shohim ditët e ardhshme mund të jetë përsëritje e premtimeve të vjetra, kryesisht.