“Si u njoha me Adem Jasharin”, rrëfen Jakup Nura
Jakup Nura, bashkëluftëtar i Adem Jasharit në “RTK Prime”, ka rrëfyer për njohjen dhe luftën e përbashkët me komandantin legjendar, Adem Jashari. Nura ka thënë se me Adem Jasharin është njohur gjatë një demonstrate në Skenderaj, ku ishin ballafaquar me disa milicë të asaj kohe.
“Ademi shfaqi dëshirën të më takojë dhe të më njohë më për së afërmi. Jemi takuar në një odë dhe nga aty filloi rrugëtimi i jonë i përbashkët në përpjekjet për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Nura.
Bashkëluftëtarit të komandantit legjendar, i kujtohen fjalët e para që ka shkëmbyer me Adem Jasharin në takimin e tyre.
“Më thotë a ka mundësi me e pa revolen tënde. I thash, kujdes se e ka fishekun në tytë. E nxori edhe ai revolen e tij, dhe tha kujdes edhe e imja e ka fishekun në tytë. Gjatë bisedës më tha kur u ballafaqove me policinë serbe, po të ishe nevoja ta përdoreshe armen isha i gatshëm të përfshihem në atë ballafaqim”, ka rrëfyer Nura.
Bashkëluftëtari i Adem Jasharit ka folur edhe për shpërndarjen e trakteve dhe organizimin e demonstratave.
“Pas atij takimi i shpeshtuam takimet me Ademin. I rrëfeva se jamë anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ai pa hezitim tha se ishte i gatshëm të punojë diçka të vlefshme për vendin tonë. Gradualisht kemi filluar veprimtarinë, kemi shpërndarë trakte, kemi shkruar parulla dhe kemi organizuar edhe demonstratat bashkërisht dhe me shokë tjerë”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe përgatitjen e grupit me njerëzit me të cilët do të punonin.
“Çdo njërin që e njihnim kishim një besim ose ishte i sprovuar gjatë rrugëtimit. Ademi i ka ofruar njerëzit të cilët i ka njohur. E ka dittur çfarë tiparesh burrërore kanë. E kemi pasur një bindje se çdo njeri që e kemi afruar, ai do të jetë më i mirë se ne që i kemi ofruar ata”, theksoi Nura në “RTK Prime”.
Me emocion Nura ka folur edhe për Kullat e Jasharajve dhe kujtimet në to.
“Te kullat e Jasharëve çdo herë deri në ditën e rënies kemi pasur kujtime jashtëzakonisht të mira dhe mbresëlënëse”, ka thënë Nura, duke kujtuar se aty është folur për tema të ndryshme dhe edhe është kënduar.
“Të gjitha kujtimet nga aty janë një thesar i çmuar. Këtu e kemi ëndërruar edhe si do të jetë liria”, ka theksuar Nura.
Nura ka folur edhe për celulat e para të UÇK-së. Ka përmendur edhe disa fotografi të komandantit legjendar Adem Jashari me bashkëluftëtarët tjerë.
Ai ka theksuar se fotografitë shpërfaqin celulat e para të UÇK-së.
“Ato foto mund të themë se janë të veçanta. Së pari janë bërë me qëllim që t’i tregojmë Lëvizjes Popullore jashtë Kosovës e cila hezitonte dhe nuk besonte që një grup i armatosur po ballafaqohej me forcat serbe. Ato janë dëshmi e gjallë që tregojnë realitetin dhe kohen në të cilën kur është bërë ajo fotografi ne vetëm kemi pasur aksione kundër forcave serbe. Nuk ka nevojë për ilustrim më tutje, e shihni edhe armatimin, edhe njerëzit dhe çdo gjë që shihet është origjinale ”, ka theksuar Nura në rrëfimin e tij për RTK-në.
https://www.facebook.com/share/XPiwavGwHzAe18aM/?mibextid=WC7FNe