Si u tentua të qëllohej me armë zjarri pronari i restorantit “Ujvara” në Mitrovicë
Të dielën rreth orës 17:30 janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në Mitrovicë, shumë pranë lumit Ibër.
Sinjali ka siguruar detaje më të hollësishme nga ky incident.
Burimet tregojnë se incidenti ndodhi në shëtitoren afër lumit Ibër, pranë restorantit “Ujvara”, ku pronari i restorantit (shqiptar) raportoi se ishte tentuar që të qëllohet me armë zjarri nga një automjet i cili ishte në lëvizje, me numër regjistrimi 06-666- JK.
Sinjali ka mësuar po ashtu nga burimet se automjeti u largua nga vendi i ngjarjes dhe kishte ikur për në pjesën jugore të Mitrovicës.
Automjeti është ndaluar nga një zyrtar policor i Stacionit Mitrovica e Jugut.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë treguar se personat që ishin në automjet u morën dhe iu dorëzuan policëve nga Stacioni Policor Mitrovica e Veriut.
Të dyshuarve u është bërë kontroll për armën nga e cila ishte shkrepur, por e njëjta nuk u gjet sepse ishte hedhur në lumin Ibër.
Policët e forenzikës në vendngjarje gjetën dy gëzhoja dhe ato ishin gëzhoja të pistoletave me gaz.
Në lidhje me rastin, ishte kontaktuar prokurori kujdestar i cili urdhëroi që të merren deklarata nga i dyshuari, ankuesi dhe dëshmitari dhe që çështja të hapet, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armëve ose armëve të rrezikshme”.
Sinjali mëson se me vendim të prokurorit të njëjtit nuk janë ndaluar.