Sigal Prishtina në gjysmëfinale te Superkupës
Sigal Prishtina pa telashe e ka kaluar pengesën e parë në Superkupën e Kosovës në basketboll. Në turneun që filloi të mërkurën dhe po mbahet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Prishtina e mposhti Istogun për të avancuar në gjysmëfinale.
Në çerekfinalen e parë të turneut të Superkupës, Prishtina triumfoi me rezultatin bindës 89:71. Prej fillimit të ndeshjes, Prishtina ishte dukshëm më e fortë se Istogu dhe këtë e konfirmoi epërsia 19:0 pas gjashtë minutave lojë. Pikët e para në ndeshje, Istogu i shënoi kur kishin mbetur më pak se tre minuta lojë në çerekun e parë, i cili u mbyll me shifrat 30:10.
Dominimin Prishtina e vazhdoi edhe në çerekun e dytë dhe në pushim shkoi me një epërsi prej 22 pikëve – 48:26. Epërsia e krijuar në dy çerekët e parë, i mundësoi Prishtinës që me lehtësi ta siguroj kualifikimin në gjysmëfinale. Çerekun e tretë, Prishtina e mbylli 21:18, ndërsa i katërti përfundoi në favor të Istogut 27:20 por që nuk mjaftoi për të evituar humbjen.
Më efikasi te Prishtina ishte Steven Davis me 17 pikë , i përcjell nga Devoe Joseph që shtoi 13 pikë, 7 kërcime e 2 asistime. Lejson Zeqiri pati 14 pikë. Në anën tjetër, Arian Azemi me 19 pikë, Michael Lang me 18 dhe Labinot Kelmendi me 16 sosh, ishin më efikasit tek Istogu.