Siguria kibernetike dhe privatësia vazhdon të jetë sfidë serioze për Kosovën dhe vendet tjera
Inovacioni dhe teknologjia po zhvillohen në një ritëm të shpejtë, andaj sulmet kibernetike janë bërë kërcënim i madh për sigurinë dhe privatësinë në Kosovë dhe mbarë botën, për çka duhet angazhim i përbashkët me institucionet dhe akademinë. Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare për siguri kibernetike dhe privatësi, organizuar nga Cyber Security and Privacy dhe UBT, mbështetur edhe nga Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Në ditën e parë të punimeve, konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, përfaqësues të Agjencionit të Bashkimit Evropian për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit “Enisa”, të kompanive të njohura në botë, si Facebook, Google, HackerOne, etj.
Hapjen e edicionit të katër të kësaj konference e ka bërë rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili theksoi se kjo ngjarje ka për qëllim vetëdijesimin e popullatës për siguri kibernetike, andaj kërkoi edhe bashkëpunim për mbrojtje nga sulmet kibernetike.
“Sigurisht, është ngjarja më e madhe dhe Kosova e meriton një konferencë të tillë. Duke marr parasysh pjesëmarrjen e madhe të Kosovës në fushën e IT, kjo është një nevojë. Kjo është çështje serioze. Me rritjen e digjitalizimit ne mund të kemi probleme në aspektin financiar dhe gjëra të tjera. Nëse humbin të dhënat, prej tyre 40 për qind nuk mund të rikthehen. Pra nuk është një dëshirë, por është një masë e nevojshme që të merret seriozisht. Në të gjitha fushat ka nevojë në Ballkanin Perëndimor, po ashtu edhe Kosova. Element që duhet bërë është partneriteti që të parandalohen krimet kibernetike në mënyrë që të reagojmë”, ka potencuar rektori Hajrizi.
Ai ka thënë se UBT-ja ka arsim cilësor, merret me shkencë dhe si institucion gjithnjë do të kontribuojnë për siguri kibernetike.
Me anë të një videoprezantimi nga ShBA, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se është e nevojshme që shteti i Kosovës të krijojë ambient të sigurt për mbrojtjen e të dhënave.
“Secili qytetar secili institucion bashkërisht të merremi me aktivitete të cilët duhet të krijojmë një ambient sa më të sigurt për të dhënat të cilat kanë përhapjen e të dhënave, por njëkohësisht për fëmijët të cilët janë të ekspozuar në mënyrë masive gjatë kësaj periudhe në rrjete sociale të cilët mund të denigrojnë funksionimin e tyre”, ka theksuar Beqaj.
Gjithashtu, kryetari i Cyber Security and Privacy, Mentor Hoxhaj, ka treguar se synimi i këtij komuniteti është që edhe Kosova të jetë pjesë ose të identifikohet në hapësirën kibernetike.
Ai ka thënë se vendit i mungojnë edhe standardet e sigurisë dhe privatësisë kibernetike.
“Ky është fillimi duhet të vazhdojmë dhe objektivat janë që të ngiten standarde dhe më pas edhe të aplikohen. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të identifikueshëm në hapësirën kibernetike, mundësia qe na mos të identifikohemi paraqet rrezik të jashtëzakonshëm”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq, kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, ka treguar se krimet kibernetike në botë shkaktuan 3 bilionë dollarë dëme, ndërkaq siç tha ai, parashihet që kjo shifër të rritet në 6 bilionë dollarë në vitin 2021.
Pjesë e diskutimeve në ketë konferencë ishte edhe përfaqësuesja e “Facebook”-it, Gabriella Cseh, e cila ka pohuar se ky rrjet social është i fokusuar në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave, privatësinë, të drejtat e njeriut dhe internetin, tregun digjital, sigurinë në internet, internetin e hapur etj.
Profesori i Stanford University, Burton Lee, ka thënë se organizimi i konferencave të tilla ndihmon shumë përdoruesit për vetëdijesim të sigurisë dhe privatësisë.
/Epoka e re/