Siguria nacionale, shteti mbi të gjitha
(Qasje nga aspekti i sigurisë)
Shkruan: Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë
Siguria nacionale është dhe do të jetë zemra e shtetit. Ata që punojnë këtë punë në heshtje me profesionalizëm të pashoq quhen AJKA e shtetit.
Më lejoni ta shpjegoj se pse janë AJKA e shtetit.
Ata/Ato grumbullojnë, përpunojnë, analizojnë informacionet dhe krijohet një produkt i quajtur ‘inteligjencë’ ose informacion inteligjent që mund të jetë krucial për ndonjë çështje të caktuar në të mirën/mbrojtjen e shtetit dhe ky informacion me vlerë floriri mbrohet në një perde të pakalueshme dhe të hekurt që quhet fshehtësi.
Këto informacione shumë sensitive, sekrete, top sekrete dhe konfidenciale u servohen dy institucioneve më kredibile, President/e dhe Kryeministër /e, raportojnë aty dhe vetëm aty, kurse të tjerëve informacioni sensitiv u servohet sipas nevojës dhe vetëm sipas nevojës.
Ky është definicioni im i varfër kundrejt definicioneve të tjera nga njerëzit eminent, më kredibil dhe më të mençur që janë më të mira dhe më të kapshme për lexuesin se ky definicioni im i varfër.
Dhe ja, po e përmendi një njeri që ka definicionin më të mirë nga të gjithë çka unë kam lexuar sa kam qenë në studime të shkencave kriminalistike dhe çështjeve të sigurisë.
Bëhet fjalë për Winston Churchill, ky kryeministër i pa përsëritshëm:
Në sferat e larta të punës zbuluese faktet kanë qenë të barabarta me fiksionet më fantastike të romaneve dhe melodramave. Ngatërresë mbi ngatërresë, tradhti mbi tradhtinë, mashtrim dhe mashtrim i dyfishtë, agjent i vërtetë, agjent i rrejshëm, ari dhe çeliku, bombë, thikë dhe skuadër pushkatimi, të gjitha këto kanë qenë të ngatërruara në mënyrë të pabesueshme, por që kanë ekzistuar me të vërtetë.
Shefi dhe oficerët e larte të Inteligjencës/Shërbimit Sekret kanë lëvizur nëpër këto labirinte të nëndheshme dhe e kanë bërë punën e tyre me pasion të heshtur dhe pa asnjë fjalë të vetme.
Kjo është thënia e Winston Churchill për AJKËN e shtetit.
Shteti para së gjithash është formë organizative. Ai i ka disa atribute dhe karakteristika themelore. Këto atribute, në të vërtetë, janë elemente të caktuara përmes të cilave vihet në pah sidomos specifika e kësaj forme të organizimit, e quajtur ‘Shtet’.
Ne jemi shtetas dhe kemi shtet, ne nuk jemi apartid (pa shtetësi), dikush nga ne mund të jetë bipatrid (me dy shtetësi), mund të jetë edhe polipatrid (dy ose më shumë shtetësi) por para së gjithash ne jemi shtetas të Republikës së Kosovës.
“Nëse dëshiron që njëqind italian të heshtin, vrite një. Nëse dëshiron që njëqind shqiptarë të heshtin, duhesh t’i vrasësh nëntëdhjetë e nëntë.” (Lordi Bajron).
Prandaj ne kurrë nuk do të ndalemi së krenuari dhe nuk do të heshtim.
Shteti është mbi të gjithë ne.
Policia jonë:
Policia është dhe mbetet krenaria e këtij vendi. Rajoni janë lakmitar të mëdhenj për sukseset e policisë tonë dhe e keni pa se si duken për lakmi, profesional në çdo aspekt. janë thjeshtë më të mirët në rajon, ky është fakt.
Edhe ti që po e lexon shkrimin tim sot, qysh nesër mund të bëhesh polic/e, që nesër mund të fillosh dhe kontribuosh për vendin tonë Kosovën. Do të paguhesh për këtë punë, mirëpo punën që do ta punosh ti është specifike, është e shenjtë dhe gjithmonë do të jesh krenar nëse je i drejtë dhe punon drejtë.
Kur nesër të bëhesh polic dhe do të pyesin familjarët, shokët, shoqet, a u lodhe ose si kalove sot në këto kohëra të vështira dhe kruciale për vendin, do të përgjigjesh: po e mbroj rendin dhe ligjin, sovranitetin e shtetit, e shpëtova një jetë, e parandalova një vrasje, e shpëtova një të moshuar, një grua me fëmijë ose nëse je i thjeshtë dhe nuk do që të trazosh askënd me problemet e tua në profesion, do t’iu përgjigjesh thjeshtë: mirë jam po ju si jeni?
Duaje Policinë e Kosovës sepse është e jotja, ruaje si sytë e ballit edhe më shumë se sytë nëse ke mundësi!
Nëse nuk ke mundësi, mos u vështirëso punën, lehtësoje të lutem, fole një fjalë të mirë dhe të butë. Do të hasesh në mirëkuptim sepse ata menjëherë i pret rasti tjetër, sfidë tjetër që do të thotë problem tjetër.
Nuk do t’i elaboroj ngjarjet e fundit prej 26 majit 2023 që po vazhdojnë edhe në këtë moment kur po shkruaj këtë shkrim të thjeshtë sa s’ka më. Kam shkruar dhe jam prononcuar, kam dhënë më të mirën nga vetja ime, me plot zemër.
Dashnia për shtetin është më e madhe se unë!
Esenca e shkrimit është rëndësia e shtetit dhe organeve të sigurisë në këto kohëra të vështira dhe kruciale për vendin.
Shkrimi im është për të shprehur falënderim nga zemra, shkrim me emocion sepse unë shprehem ashtu si mendoj dhe ndihem, drejtpërdrejt dhe pa asnjë ekuivokë.
Në fund:
Vendi ynë po kalon në kohëra të vështira dhe në situata të jashtëzakonshme matanë lumit Ibër. Jemi në momentet kruciale për shtetin që njëherë përgjithmonë të marrë fund problemi shekullorë me Serbinë.
Dhe këto probleme me këtë shtet problematik datojnë shumë më herët /dekada të tëra, luftëra të tmerrshme, vrasje dhe gjenocid, dhunime, maltretime nga ana e tyre. Por, tash kemi rastin që të përfundojmë me ta njëherë dhe përgjithmonë!
Ky përfundim është njohja reciproke sepse ka ardhur koha tashmë kur çdo zvarritje e dialogut, sabotimit, shkeljes së marrëveshjeve nga ana e tyre nuk pinë ujë më, është thjeshtë fundi.
Fundi është tash dhe ne dëshirojmë të jetojmë në paqe si dy shtete fqinje duke njohur sovranitetin e njëri-tjetrit.
Ne këtë e arrijmë vetëm në koordinim të plotë me ata që kurrë nuk u ndalën së ndihmuari shtetin tonë, aletin tonë më të madh, SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, NATO, BE-në dhe Turqinë.
Bashkërisht ia dalim!
Mitrovicë 06.07.2023