Siguria në vendin e punës, brenda një jave tri raste të aksidenteve të punëtorëve
Që nga dita e hënë e kësaj jave, janë shënuar tri raste të aksidenteve në vendin e punës.
Rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë, ku një punëtor kishte rënë nga ndërtesa që ishte duke punuar.
“Më datë 24.08.2020 rreth orës 17:10 policia ka pranuar informacionin për një person të lënduar në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore të stacionit Qendra. Është njoftuar ndihma e shpejtë, si dhe inspektorët e punës”, kishte thënë për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.
Po ashtu gjatë kësaj jave një 26-vjeçar ka marr lëndime të rënda trupore, pasi kishte rënë nga kati i katërt i ndërtesës së Kuvendit Komunal në Gjakovë, ku ishin duke u kryer disa punime.
“Punëtori 26 vjeçar i cili ka qenë duke punuar në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Gjakovë ka rënë nga një lartësi prej 12 metra, kati i katërt konkretisht në zonën e ashensorit. Ka marr lëndime të rënda trupore dhe në fillim është dërguar në spitalin ‘Isa Grezda’, e më pas për shkak të lëndimeve të rënda është dërguar në QKUK ku edhe po trajtohet”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj.
Në mëngjesin e së mërkurës, ka ndodhur edhe rasti i tretë i aksidentit në vendin e punës.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku një punëtor i ndërtimtarisë ka marr lëndime trupore pasi kishte rënë nga kati i tretë i një ndërtese.
“Viktima mashkull kosovar punëtor i një kompanie, derisa ishte duke punuar, ka rënë nga kati i tretë i ndërtesës, me ç’rast ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.
Lidhur me këto raste, zëvendëskryeinspektori për Sigurinë në Punë, Agim Millaku, për Telegrafin tha se janë të njoftuar me rastet dhe se shumë shpejtë do të dalin me një raport.
“Inspektorati i Punës është në ngjarje për gjetjen e gjendjes faktike se çfarë ka ndodhur. Për rastin e Prishtinës dhe të Gjakovës, punëtorët kanë rënë për shkak të pasigurisë në vendin e punës, por realisht i kanë pasur pajisjet dhe informatat për sigurinë në punë, ku nga informatat e para që i kam kanë qenë jashtë standardeve dhe rregullave. Por gjendja reale do të dihet pasi t’i kemi raportet e inspektorëve”, tha Millaku.
Ai ka shtuar se nëse gjenden shkaktarët, atëherë do të merren masat e parapara administrative.
“Prej konstatimit të gjendjes faktike, inspektori e shënon në raport se a ka pasur apo jo shkelje dhe inspektori është që merr vendim për veprimin e tjetër administrativ, pra për shqyrtim të masës ndëshkuese”, shtoi ai.
Ndryshe, gjatë vitit 2019 në sektorin e ndërtimtarisë kanë qenë të punësuar 17 për qind e totalit të punësimit në vend. /Telegrafi/