Sigurimi shëndetësor për policinë të jetë prioritet këtë vit
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ka bërë me dije se sigurimi shëndetësor do ta inkurajonte më shumë përkushtimin policor për shërbim ndaj të tjerëve.
Ai i ka ftuar institucionet e Kosovës që këtë vit ta kenë prioritet sigurimin shëndetësor për Policinë e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka thënë se e kupton problemin financiar, por në këtë drejtim duhen veçuar policët, ushtarët, zjarrfikësit dhe gardianët.
“Debati për sigurim shëndetësor është debat gati dy dekadash. Uroj dhe apeloj që kjo çështje sa më parë të kryhet. E kuptoj problemin financiar, por duhen veçuar policët, ushtarët, zjarrfikësit dhe gardianët nga profesionet e tjera, pastaj kjo çështje rregullohet më lehtë. Është krejtësisht e kuptueshme pastaj se sigurimi shëndetësor do ta inkurajonte më shumë përkushtimin policor për shërbim ndaj të tjerëve. Pra, sa më parë”, ka thënë Selimi.
Ai ka folur edhe për shtimin e rasteve të vjedhjeve në vendin tonë. Sipas Selimit, këto krime shtohen kudo në botë për fundvit. “Mbase rrethanat që krijohen në festat e fundvitit, mbyllja e bilanceve financiare private e publike, vigjilenca e relaksuar qytetare para dhe pas ndërrimit të motmoteve, e faktorë të ngjashëm socialë, si kudo në botë, edhe tek ne ndikojnë që këto dhe krime të ngjashme të shtohen. Ndryshe, këto hyjnë në kuadër të krimeve sezonale, të cilat, sipas statistikave kriminalistike, shfaqen të shtuara në vjeshtë dhe dimër”, është shprehur ai.
Njohësi i çështjeve të sigurisë ka treguar edhe se çfarë duhet të bëjnë institucionet e vendit për t’i ndaluar këto raste. Selimi ka thënë se duhet këmbëngulur për zbatimin e strategjisë së policisë në bashkësi bashkë me strategjinë e policisë nëpërmjet inteligjencës.
“Me vigjilencë të shtuar, bashkëpunim me agjencitë private të sigurisë dhe duke këmbëngulur për zbatimin e strategjisë së policisë në bashkësi, bashkë me strategjinë e policisë nëpërmjet inteligjencës. Besoj fuqishëm se lidershipi aktual i policisë është duke vazhduar, mbase edhe më mirë se paraardhësit, duke më përfshirë edhe mua, që suksesin e parandalimit të krimeve ta arrijë nëpërmjet zbatimit fanatik të këtyre strategjive”, ka thënë Selimi.
“Epoka e re”: Z. Selimi, së fundmi kemi pasur numër të madh të vjedhjeve dhe grabitjeve në vend. Si njohës i çështjeve të sigurisë, pse mendoni se janë shtuar këto raste?
Selimi: Mbase rrethanat që krijohen në festat e fundvitit, mbyllja e bilanceve financiare private dhe publike, vigjilenca e relaksuar qytetare para dhe pas ndërrimit të motmoteve, e faktorë të ngjashëm socialë, si kudo në botë, edhe te ne ndikojnë që këto dhe krime të ngjashme të shtohen. Ndryshe, këto hyjnë në kuadër të krimeve sezonale, të cilat, sipas statistikave kriminalistike, shfaqen të shtuara në vjeshtë dhe dimër.
“Epoka e re”: Si duhet t’u përgjigjen institucionet e sigurisë, përkatësisht policia, këtyre ngjarjeve?
Selimi: Me vigjilencë të shtuar, bashkëpunim me agjencitë private të sigurisë dhe duke këmbëngulur në zbatimin e strategjisë së policisë në bashkësi bashkë me strategjinë e policisë nëpërmjet inteligjencës. Besoj fuqishëm se lidershipi aktual i policisë është duke vazhduar, mbase edhe më mirë se paraardhësit, duke më përfshirë edhe mua, që suksesin e parandalimit të krimeve ta arrijë nëpërmjet zbatimit fanatik të këtyre strategjive.
“Epoka e re”: Në përplasjet e policisë me grabitësit kemi pasur edhe viktima nga të dyja palët. A do të thotë kjo se grabitësit nuk po u frikësohen organeve të rendit?
Selimi: Jo, jo. Nuk ka të bëjë me frikë. Policia e Kosovës është forcë autoritative, në kuptimin e vlerave dhe meritave që i ka, së cilës ia kanë frikën edhe kriminelë rajonalë e ndërkombëtarë. Disa prej tyre, tani prapa grilave, veç e kanë provuar. Fatkeqësisht, profesioni i ka edhe sakrificat e veta dhe, së këndejmi, patëm edhe këmbënguljen e Izetit deri në vetëflijim për ta përmbushur betimin e profesionit.
“Epoka e re”: Këto ngjarje kanë nxitur debatin rreth mungesës së sigurimit shëndetësor për Policinë e Kosovës. A do të ndikonte sigurimi shëndetësor për performancë më të mirë të policisë po qe se do të kishin pjesëtarët e saj?
Selimi: Debati për sigurim shëndetësor është debat gati dy dekadash. Uroj dhe apeloj që kjo çështje sa më parë të kryhet. E kuptoj problemin financiar, por duhen veçuar policët, ushtarët, zjarrfikësit dhe gardianët nga profesionet e tjera, pastaj kjo çështje rregullohet më lehtë. Është krejtësisht e kuptueshme pastaj se sigurimi shëndetësor do ta inkurajonte më shumë përkushtimin policor për shërbim ndaj të tjerëve. Pra, sa më parë.
“Epoka e re”: Ministria e Punëve të Brendshme që një muaj ka marrë një vendim për legalizimin e armëve ilegale. Si e keni parë këtë veprim dhe sa do të ndikonte në sigurinë publike?
Selimi: Po, ministria ka marrë vendim për zbatimin e Ligjit për legalizimin dhe dorëzimin e armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive. Pra, përfaqësuesit e popullit kanë vendosur të bëhet kështu, të bindur se kjo është politikë e drejtë. Edhe unë besoj se po, meqë kjo politikë synon edhe dorëzimin pa ndëshkim dhe futjen nën kontroll të një numri të madh armësh dhe eksploziveve, aktualisht jashtë administrimit shtetëror. Pra, legalizimi synon kontrollin dhe kjo duhet të bëhet.
(Muhamet KOCI)