Sigurohet mbrojtje falas për viktimat e dhunës seksuale
Fondacioni Jahjaga dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit, me të cilën të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i siguron mbrojtje falas.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se tashmë viktimat nuk janë vetëm, pasi ato kanë pas vetes të gjithë.
“Po nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi, për ofrime të shërbimeve falas, për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në vitin 2014 me themelimin e Këshillit kombëtar, u iniciua procesi për riintegrim, u bë e mundur njohja e tyre, u hap rruga për verifikimin e statusit të tyre, që ka filluar në shkurt të këtij viti. Kemi punuar për njohjen insticuionale, për luftimin e stigmës. Është e vërtetë që kemi shënuar arritje, të rëndësishme, por nuk kemi arritur t’iu ofrojmë drejtësi atyre”, ka thënë Jahjaga.
Ndërsa, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, ka thënë se kjo ditë është shumë e rëndësishme për ta.
Duke shtuar se në këtë proces synojnë të përfshijnë më shumë avokate, e po ashtu si të tillë do t’i nënshtrohen disa trajnimeve.
Ai ka thënë se kjo odë do të bëjë identifikimin e avokatëve të cilët do të merren me këto raste, duke ruajtur kështu identitetin e tyre.