‘Sikur ta gëzoja së paku një a dy vjet’: Betejë e gjatë për pensionin e dyfishtë
Pas tre vjetësh betejë ligjore, Fitorja ka shpresë se do t’i rikthehet pensioni kontribut-pagues.
Si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ajo hoqi dorë prej tij, për ta marrë pensionin e viktimës – 30 euro më të lartë.
Ligjet në fuqi, në bazë të interpretimit të autoriteteve përgjegjëse, nuk ia mundësonin të dy.
“Nëse ma japin pensionin kontribut-pagues, mendoj ta ndaj vetëm për barna”, thotë 71-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.
Muajin e kaluar, gjykata ia miratoi asaj të drejtën për pension të dyfishtë, ndonëse vendimi, tash për tash, është vetëm i shkallës së parë.
Saga deri te dy pensionet
Fitorja – identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e REL-it – mori statusin e viktimës së dhunës seksuale në vitin 2019, e bashkë me të edhe një pension prej 230 eurosh.
Atëkohë, Fitorja ishte e pensionuar dhe merrte pensionin kontribut-pagues prej 200 eurosh.
Të dyja pensionet i rastisi t’i merrte vetëm një muaj – më pas autoritetet i kërkuan të zgjidhte.
Fillimisht mori kontribut-paguesin, por pas një viti kaloi tek ai i viktimës, pasi ishte më i lartë.
“Oh, kur e kam lënë pensionin tim, më është dukur…”, ndërpret rrëfimin.
Me Ligjin për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta në Kosovë, përfitues të pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë, që u takon me Ligjin për skemat pensionale.
Ngjashëm, edhe kategoritë e tjera të luftës që u takon pensioni me atë ligj, mund të jenë përfitues edhe të pensionit bazë.Kosova shtyn afatin për aplikime për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ajo që nuk i zbaton ligjet siç duhet.
Dy ligjet nuk bien ndesh me njëri-tjetrin dhe “Ministria e Financave duhet t’i respektojë”, thotë Astrit Kola nga ky institut.
“Veprimet që janë duke i bërë institucionet, janë kundërligjore”, sipas tij.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Financave për këtë çështje që nga java e kaluar, por nuk mori përgjigje.
Rasti i Fitores arriti në gjykatë përmes Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ku ajo dhe viktima të tjera, prej vitesh, marrin ndihmë psikologjike.
Juristët e kësaj qendre përgatitën dosjet e dhjetë rasteve që kërkonin pension të dyfishtë, të cilat i përfaqësuan edhe në gjykatë.Procedurat gjyqësore nisën qysh në vitin 2021 dhe, në fund të majit, Gjykata Themelore në Prishtinë ua njohu të drejtën e pensionit të dyfishtë tri viktimave, përfshirë Fitoren. Njëra prej tyre, ndërkohë, kishte vdekur, ndërsa procedurat për shtatë viktimat e tjera vazhdojnë ende.
“Stresi dhe pritja të shkatërron. [Ndërprerja e njërit pension] nuk do të duhej të ndodhte”, thotë Fitorja.
“Shteti duhet të veprojë”
Në Kosovë nuk dihet saktë numri i të përdhunuarve gjatë luftës së viteve 1998/99, por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, bëhet fjalë për rreth 20.000.
Nga viti 2014, kur Kosova miratoi një ligj për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të dhunuar, këtë status e siguruan rreth 1.650 persona.
Në QKRMT thonë se në mesin e personave me këtë status, ka disa raste që kanë arritur moshën e pensionimit – 65 vjeçe – por që nuk kanë vendosur të kërkojnë të drejtën e pensionit të dyfishtë, nga bindja se procedurat gjyqësore zvarriten gjatë.
QKRMT-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta njohë këtë të drejtë për këtë kategori të shoqërisë, sidomos pas vendimit të Gjykatës Themelore për tri rastet në fjalë.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se shteti duhet të veprojë, në mënyrë që të mos humbet kohë nëpër gjykata.
REL-i kontaktoi për këtë temë edhe Qeverinë e Kosovës, por ajo nuk u përgjigj.
“Edhe një vit e gjysmë pritje”
Selvi Izeti, psikologe në QKRMT, thotë se vendimi i Gjykatës Themelore ndikon pozitivisht në shëndetin mendor dhe emocional të viktimave.
Sipas saj, “për të mbijetuarit, njohja e të drejtave të tyre është pjesë thelbësore e procesit të shërimit dhe rimëkëmbjes nga traumat e përjetuara gjatë luftës”.
Por, Fisnik Mehmeti, jurist në QKRMT, thotë se Fitorja dhe rasti tjetër nuk do të mund ta gëzojnë menjëherë të drejtën e pensionit të dyfishtë, pasi pas vendimit të Themelores, Ministria e Financave – Departamenti për Pensione ka paraqitur ankesë, përmes Avokaturës Shtetërore.
Sipas tij, procedura e shqyrtimit të lëndëve në shkallën e dytë mund të marrë kohë deri në një vit e gjysmë “në rastin më të mirë”.
“Por, ne si QKRMT do të tentojmë që, përmes parashtresave, t’i drejtohemi Gjykatës [së Apelit] që këto raste t’i trajtojë me prioritet”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.
Mehmeti shpjegon se nëse Apeli i konfirmon vendimet e Themelores, “Ministria [e Financave] obligohet t’ua njohë këtyre rasteve pensionet dhe t’ua kompensojë ato në mënyrë retroaktive për periudhën kur s’i kanë marrë”.
Përveç të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, të drejtën për pension të dyfishtë në gjykata janë duke e kërkuar edhe kategori të tjera të dala nga lufta, përfshirë invalidë, veteranë e të tjerë.
Në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut zotohen se do t’i drejtohen Qeverisë së Kosovës me kërkesën që t’ua njohë pensionin e dyfishtë të gjitha kategorive.
“Nëse gjykata ka bërë precedent për tri raste, ne duhet ta unifikojmë këtë për të gjithë”, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetarja e këtij komisioni, Duda Bale.
“Së pari, do ta kontaktojmë Qeverinë. Nëse Qeveria nuk merr ndonjë vendim, do ta shohim se cilat janë mundësitë që të bëjmë diçka brenda Kuvendit, sepse është e padrejtë [të zgjedhësh mes dy pensioneve]”, shton ajo.
Fitorja, e cila me dhjetëra vite ka punuar në një nga institucionet e shtetit, nuk ka shpresë se pensionin për këtë kontribut do ta marrë shpejt.
“Sikur ta gëzoja së paku një a dy vjet… por kushedi se sa do të zgjasë [procedura]”, thotë 71-vjeçarja.